Home Kultura Mona Liza dhe...

Mona Liza dhe Madalena Doni, një përballje e ëndshme e titanëve të Rilindjes së Artë

179
0

Nga: Albert Vataj

Këto janë dy tablo ikonike të titanëve të Rilindjes së Artë Italiane. Ata kanë kaq shumë ngjashmëri dhe akoma më shumë elementë dallues mes tyre. Janë të arta, sepse e artë ishte periudha kur ata u ngjizën për të rrokur përjetësinë, për të udhëtuar në mijëvjeçarë me të njëjtin solemnitet dhe madhështi, qyshkur zbritën spariherë në “pasarelat” e kumteve shprehëse estetike. Sfiduan kohën, duke gjunjëzuar në një akt solemn nderimi gjenerata të tëra adhuruesish, të cilët u magjepsën pas tyre dhe u shastisën prej misterit që fshihnin në nënlëkurën inkandeshente të toneve të ngjyrës dhe shpimeve të dritës.

Arti nuk është përfaqësuar nga shenjtorë, anipse ajo që forca e tyre përjetuese e ngriti aq lart shpirtin krijues, duke e pleksur si një shpërthim të vezullimtë ylli në galaksinë e Udhës së Qumështit. Gjithmonë historia njerëzore ka qenë bujarisht e përkëdhelur nga një adhurim i përmasave të tilla, si një formë shpërblese për mrekullinë që ai beson, magjinë së cilës ai i blaton pasion dhe përkushtim, ndjenjë të pastër adhurimi. E kësisojtë është ajo marrëdhënie, që na përfshin kur mëtojmë e mëkohemi prej një shkasi krijues që vjen nga thellësitë e kohës, për të dëshmuar mbi gjithëkohësinë e së tashmes së një komunikimi estetik. E kush më mirë se shpirtja krijuesve e titanëve të artit ka privilegjin të na qaset kësodoresh.

Këto dy tablo janë një befasi, të cilat na përfshijnë duke na yshtur në kureshti, shuarja e të cilave është njëjtësisht me zbërthimin e një ekuacioni. Sepse ata, Leonardo Da Vinçi dhe Rafaelo, nuk ishin thjeshtë piktorë, dhe përkime të tilla në artin e pikturës, nuk janë thjeshtë rastësi, janë ajo mistikë e komunikimit, me të cilin ata i folën kohës së tyre dhe epokave që mbasrendën.

Një shikim i shpejtë nuk e ka të vështirë të gjejë të përbashkëtat e këtyre pikturave. Të veçantat dhe ngjashmëritë e dy kryeveprave të dy gjenive të Rilindjes italiane, Leonardo Da Vinçi dhe Rafaelo, dëshmojnë më shumë se sa fshehin një histori të bashkëkohësve, të dy mjeshtrave, që u pavdeksuan me veprën e tyre dhe hyjnizuan me bekimin e penelit këto zonja fisnike.

Studiuesit qasen t’i lidhin këto dy punë, jo vetëm nga tërësia e elementeve përbërës të pikturave, por edhe nga historia e zanafillës së tyre. Të gjithë dakordësohen se është Rafaelo ai që ka sjellë një Madalena Doni, e cila merr shkas nga Mona Liza e famshme e Leonardo Da Vinçit. Pëshpëritet se Rafaelo e ka parë punën e Leonardos në studion e këtij të fundit, ndërkohë që ajo ishte e papërfunduar.

A kemi të bëjmë me një imitim apo një zgjatim të asaj qasje për të përafruar idetë dhe zëfilljet kompozicionale? Historia e artit është e mbushur me përngjasime, me akuza dhe trille, me teori të larmishme konspiracioni, gjithashtu. Në fund të fundit, secili ka patur vendin e vet në histori dhe qiellin e famës në lavdi.

Duhet të sjellim në vëmendje se shpesh pëlqimet apo dashuritë me shikim të parë të mjeshtrave, konkretizohen në përkime krijuese, pa dashakeqësinë dhe qëllimin e përvetësimit të ideve apo shtytjes në një mundësimi krijues. Rafaelo, i cili “akuzohet” se ka sjellë Madalena Doni referuar Moza Lizës së Da Vinçit është përpjekur të sjell diçka ndryshe nga mjeshtri, por duke ruajtur strukturën kompozicionale, si kundër duke bërë zhvendosje trajtimi dhe ezaurimi, si në sfond, në tonalitet ngjyrash, në veshje të zonjës, në pozicionin e duarve, në përqendrim dhe vështrim.

Secila prej këtyre dy tablove ka diçka ndryshe në atë që do të quajmë ligjërim krijues. Të gjithë elementët në dukje imitues, nga Da Vinçi, te Rafaeli pësojnë ndryshim, i cili është i themeltë në dekodifikimin e shprehive dhe gjesteve. Pavçka se Moza Liza është më e famshme se Madalena Doni, ajo nuk është më shprehëse dhe rrjedhimisht në ekzaminimet artistike që të dyja qëndrojnë në një lartësi.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit