Home Forum Mosha e Krish...

Mosha e Krishtit e Partisë së Muhametit

221
0

Nest Zefi

Thjesh për shpegim paraprak, titulli i ktij shkrimi me metaforën e vet, aludon për moshën 33 vjeçare të Krishtit, në të cilën ai fillon predikimin publik të mishnimit të Zotit, tue e raportue me 33 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.

Bash me 12 dhetuer 1990, në zbatim të nji vendimi të pleniumit të KQ të Partisë të Punës dhe në kuadrin e nji fryme të mëtueme paraprijse për demokratizimin e gjithanshëm të jetës shoqnore, lejohet krijimi i nji partie të re politike që do të konkurronte në zgjedhjet apo votimet e përcaktueme të Kuvendit Popullor të 10 shkurtit të vitit 1991. Idea pluraliste e Ramiz Alisë, presidentit të fundit komunist dhe të parit demek demokratik, edhe pse nuk ishte terë apo tha ende gjaku i viktimave të vrame në kufi, të porosituna e të orkestrueme direkt nen regjinë e tij, ishte ajo e nji tranzicioni të kontrolluem prej Partisë të Punës dhe levave të saj shoqnore e politike. Sigurisht, Ramiz Alia e dinte mirë që rezistenca e mirëfilltë politike ishte asgjësue me kohë në sajë të terrorit kriminal që ishte ushtrue fill mbas instalimit të rregjimit komunist në fundin e vitit 1944, tue dekapitue krejt inteligjencën politike e shtetnore të kohës, sidomos atë katolike. Prandej, hapat për me ndërtue nji narrativë të re konkurruese mbijetojse të ngrehinës të turpnueme e kriminale komuniste, në konditat e kaosit të përftuem, duheshin marrë me kujdes maksimal e me nji mea culpa sipërfaqësore për “gabimet” e të shkuemes, tue pasë shqetësim defaktorizimin e asaj pjesë të vogël qëndrestare që i kishte mbijetue me dinjitet nëpër katakombe lingatës dehumanizuese komuniste. Skema e gatshme e luftës të klasave, të cilën e kishte përdor udhëheqja komuniste për me mbrojt monarkinë diktatoriale të nji personi të vetëm, pra, të Enver Hoxhës me klanin e tij prej eventualitetit të nji qarkullimi pushteti te persona të tjerë, u transferue e gatshme në krejt sistemin partiak post monist. Në fakt, suksesin ma të madh kjo skemë ogurzezë lufte klasash e pati te partia e parë opozitare formalisht, e cila u ngjizë me nji konglomerat personalitetesh të njullosun me të shkueme të dyshimtë e aspak përfaqësuese të dëshirës për liri, demokraci e integrim të sinqertë në Europë të popullit shqiptar. Ndryshe prej vendeve të Europës lindore komuniste, ku personalitet e qëndresës antikomuniste, u vunë në krye të Shtetit e qeverisjes të re demokratike, në vendin tonë ato pak përfaqësues të shtresave të persekutueme që mbetën, u katapultuen me pikatore dhe shërbyen thjesh si dekor i zbehun i nji pabesie të paskrupullt ndaj gulçimit aspirues të qytetarëve shqiptar, mbi të gjitha të atyne të persektuem e margjinalizuem, për shtet të së drejtës e dënim të krimeve monstruoze të 50 viteve diktaturë. Retorika e rreme e “antikomunizmit” e partisë të re opozitare me nji ish komunist në krye, që ratifikohej me duartrokitje entuziaste prej disa “brigadave të plehit” në çdo cep të Shqipnisë, sikur ishte ba gjatë diktaturës të Enver Hoxhës, u ba strategjia ma dobipruse e amnistuese e krimeve të komunizmit shqiptar dhe kamxhiku i pamëshirshëm i  yshtjes për largim të atdhetarëve burrështetas potencial të Shqipnisë me gen e gjenezë familiare antitotalitare. Antikomunizmi i rrejshëm mbrrini nivele histerike, sidomos aty ku tërmeti antikomunist kishte ba damet ma të mëdha e të prekshme, tue shantazhue me stil djallzorë e vra dy herë ata që kishin vuejt pasojat e komunizmit. Këtë fakt të cilin e kam hetue me tana kriteret e epistemologjisë njerzore në rrafshin e përvojës dhe të rreflektimit mbi ta, më ka bindë, se të persekutuemit e vërtet të komunizmit, janë persekutue edhe ma shumë në postmonizëm. Ndoshta efekti nuk asht fort evident mbi këtë që thashë, mbasi hapja e kufijve e zbuti disi perceptimin e urrejtjes të pushtetit demek të ri ndaj njerëzve të margjinalizuem e me arsye, të cilët tokën e premtueme për vedi e familjet e tyne e ndërtuen në Europë e Amerike, jo pa kenë të shoqnuem me brengën e pamundësisë me shërbye në vendin e vet.

Gjithsesi, hilet maskuese me narkoretorikë antikomuniste, kallxuen shpejt, madje edhe për të “devotshmit” që banin luftë imagjinare ndaj sistemit të shkërmoqun komunist, se kishim hy në rrugën e anarkisë të kontrollueme prej të njejtës regji, tashma me bekim internacionalist globalist. Mbasi u luftue komunizmi për pak muej, tue spostue ndonji mësues marksizmit prej qytetit ne fshat, sepse nuk kishte përqafue kursin e ri të partisë të re apo zhvesh ndonji oficer ushtrie me probleme varisie psikiatrike ndaj Enverit, Partia Demokratike në qeveri, ndër hapat e parë të saj ishte anëtarësimi i Shqipnisë në konferencën e vendeve islamike, tue detyrue me firmosë nji ministër katolik që “dekoronte” mozaikun e qeverisë..

Me këte rast u hapë rruga e nji fushate ndërtuese të vendeve të kultit islamik që nuk ishin realizue as në 5 shekuj dominim otoman. Shteti shqiptari hupi busullën e orientimit real evropian dhe u shndrrue në nji konglomerat me trajta të dobëta shtetnore të tipit palestinez, ku alternoheshin “intifadat” e mbrendshme politike simbas skemës të Autoritetit Palestinez të Abu Mazen dhe Hamasit..

Fillimi i shkatërrimit fizik të shtetit me dell vandalist në vitet 91′ e sidomos kolapsi total i vitit 1997 apo nxjerrja e tij në ankand në ditët e sotme, janë pasojë direkte e lidershipit sundues të ktyne 33viteve dhe sidomos të Partisë Demokratike që zhgënjeu krejt atë kapital simpatie paradhanie që i dha populli shqiptar për me ba drejtësi e ndërtue shtet të së drejtës, të mbrujtun me fryme evropiane.

Zgjidhja e dalja prej krizës sistemike politike e shoqnore nuk gjendet thjesht te ndrrimi i elitave sunduese, etiketave apo jashtë sistemit, sikur mendojnë shumë naivë të blogosferës, por te valorizimi i njerëzve të virtytshëm, kompetent, atdhetar që janë me shumicë në vendin tonë, në parti, perfshi partia demokratike dhe mbrenda strukturës të shtetit shqiptar.

Idea se rinia anagrafike asht e ardhmja dhe zgjidhja e vetme, asht nji iluzion i provuem në histori.

 Defaktorizimi dhe delegjitimi i shërbtorëve të shtetit që ka ndodh në postkomunizëm i ngjan tmerrësisht modelit të revolucioni vandalist të Mao Ce Dunit, të cilin fatkeqësisht Sali Berisha e ka përpunue e zbatue me përpikmëni, sa me mbrri me këtë mentalitet, me rrafshue shpresat për nji opozitë autentike në Shqipni, nëpërmjet nji konsociativizmi mafioz me kreun e qeverisë nga njena anë dhe të copës tjetër të Partisë të tij, të kryesueme prej Bashës.

Thjesht për pak kujtesë historike, në mesin e viteve ’60 lideri kinez Mao Ce Dun, mbas dështimit të  planit ekonomik dhe nji farë  zbehje të  rolit të  tij udhëheqës nga ana e eksponentëve të  tjerë  të  partisë  komuniste kineze, filloi me nxit rininë  për me riekuilibrue pozitën e tij, tue e shty ne protesta e akte të dhunshme, sidomos ndaj atyne pak intelektualëve që i kishin mbetë  vendit e personaliteteve institucionale të  arsyeshme që  kërkonin me ndrrue kursin e receteva të  tij dështake.

Libri i tij i kuq me citatet e famshme u ba busulla orientuese e ktyne të  rijve, të  motivuem prej zellit inatcor, brutal e vandal të  Mao-s dhe fatkeqësisht çdo qelizë  e shoqnisë  kineze u përfshi nga i ashtuquejtuni revolucion kulturor kinez, thelbi i të  cilit ishte goditja e kritikëve e njerëzve të  arsyeshëm të  vendit, me pretekstin se këto të  fundit ishin të  rrezikshëm për ortodoksinë  ideologjike të  vijës së  partisë . Rinisë  iu la në  dorë  sfida e Mao-s me luftue të  vjetrën, pra idetë  e vjetra, kulturën e vjetër, zakonet prapanike e sjelljet e vjetra. Studentët filluen me rrah haptazi profesorët tyne nëpër auditore e kush pati fatin me mbetë  gjallë  u detyrue me u riedukue simbas metodave të  imponueme prej kursit të  Mao-s. Nëpunësit e institucioneve shtetnore u përgjakën në  zyrat e tynë  dhe ishin të  gjithë  nen trysninë  e partisë, sepse dyshoheshin për mendime jo në  linjë  me vijën e masave.

Në  fakt, Humusi otoman I PD, u martue perfekt me idetë  e Maos dhe prodhoi një  mostër në  inkubatorin e ri politik shqiptar, pra, atë të instrumentalizimit të militantit sociopatik, i cili  injekton në shoqni nji variant helmues vandalizmi e flijimi për liderin suprem të pa ndigjuem ndonjiherë  në  histori. Ky helm u injektue me doza të  forta, sidomos në  rininë e lodhun shqiptare si drogë  e re dhe me kohën mori trajta të  frikshme kultura vandaliste dhe mercenariste në shërbim të zabit të rradhës. Sikur e përmend shpesh, në  fundin e viteve ’90, sistemi monist në  grahmat e veta imploduese, tregoi krejt dufin e kësaj kulture vandale që  ishte konservue në  inkubatorin komunist, tue u ba kolona sonore e zhvillimeve te mavonshme. Kuadrot e ri të partisë opozitare, të influencuem prej modelit kulturor të  Mao Ce Dunit, filluen të  predikojnë  terapinë  xero dhe shkatërrimin e çdo gjaje të vjetër,  të bame ma përpara edhe pse teorikisht në  emën të  demokracisë  e medemek kundër komunizmit. Pararojë  e kësaj mendësie ishin prap studentët e rinia revolucionare dhe në  fakt ia arritën të  tejkalonin edhe terapinë  xero. Fryma antikulturë  e fillim viteve ’90 ia kalonte edhe viteve të  ardhjes në  pushtet të  Enver Hoxhës, i cili për leverdi të  vetë  e përfshiu edhe personelin e administratës së  Zogut në  ndërtimin e shtetit shqiptar, sigurisht me vigjilencën e kontrollit të  tyne kapilar nëpërmjet nji partizani te kryti.. Për mos me i ra gjatë, në  kto 33 vite, në Shqipnin post moniste, vandalizmi i viteve ’90, konflikti i armatosun autoasgjësues i vitit ’97 e derivatet e tij të  shtrime ciklikisht deri në ditë tona, tashma janë  shndrrue në  vandalizëm të  përmbrendësuem natyrshëm të  sistemit politik, kulturor e intelektual të  vendit, sa me u ba etalon matës për me gjetë  justifikime mbi shëndetin e demokracisë shqiptare. Edhe qeverisja e Edi Ramës asht në nji farë mnyre produkt i modelit pragmatist të sundimit të egos të smut që krijoi modeli e mendësia e Sali Berishës, i cili nuk la filiz të shëndetshëm me u rritë në partinë e tij. Trashigimia 33 vjeçare e opozitës shqiptare si bartëse ideale e shpresës për ndryshim në fundin e viteve 90′, mund të përmblidhet apo shpjegohet me fundin e saj të turpshëm aktual, ku pluralizmi i lirisë të thashethemeve të Ramiz Alisë ka gjetë zbatim me nji përpikmëni të frikshme.

Mendoj se nuk asht Katovica që ka parashikue këtë skenar dështak, por koherenca e nji mendësie të pa trajtueme në repartin “psikiatrisë” politike të spitalit apo burgut të vjetër shqiptar. Shqipnia ka nevojë për njerëz adapt, me dashni dhe me kompetence për me e drejtue e jo nallbanë të inprovizuen, si psh: mjekë që kur dalin prej spitalit e bajnë “për spital” krejt vendin apo për piktor që “pikturojnë” në 3d arritjet e tyne imagjinare.

Toka jonë pjellore ka nevojë për partinë e “Krishtit” dhe jo atë të shkretinës të “Muhametit”…

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit