Home Editorial Në Tiranë shu...

Në Tiranë shumë ndërtime, por nuk iu dihen burimet financiare

903
0

Radio “Zëri i Amerikës” shkruan sot se në Tiranë, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara UNDP publikoi një studim sipas të cilit, burimet e kërkesës së madhe për leje të reja ndërtimi janë të paqarta, ndërsa popullsia po zvogëlohet dhe një pjesë e konsiderueshme e banesave janë të lira dhe stoku i tyre është rritur.

Studimi vlerëson që në Shqipëri nuk ka kërkesë tregu për këtë rritje të ndërtimeve të reja, por në 8 vitet e fundit çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur me 102%.

Studimi i UNDP vëren se industria e ndërtimit u rigjallërua nga viti 2017 e në vazhdim, ku vendin kryesor e zënë banesat, të cilat mbulojnë 76% të sipërfaqes së re të ndërtimit të miratuar në vitin 2021. Në Tiranë (62%) dhe në Durrës (7%) po ngrihen më shumë se 2/3 e ndërtimeve të reja.

Por autorët theksojnë se mbeten të paqarta burimet e kërkesave të shumta për leje të reja ndërtimi, përderisa pronësia e banesave në Shqipëri është ndër më të lartat në Europë.

Një pjesë e konsiderueshme e banesave janë bosh, ndërsa popullsia po pakësohet, por lejet e reja parashikojnë mbi 11 milionë metër katrorë banesa të reja në dekadën e fundit.

Autorët pohojnë se kërkesat për banesa nuk mund t’i rritë as migrimi i brendshëm, sepse kur popullsia e Tiranës janë rritur së bashku vetëm 4 për qind, nga ana tjetër stoku i banesave është rritur mbi 27 për qind dekadën e fundit.

Edhe më paradoksale është gjetja se tregu nuk ka kërkesë për një shtim kaq të madh të ndërtimeve të reja, por nga ana tjetër çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur me 102 për qind dekadën e fundit, një rritje, që në studim cilësohet si e shpejtë dhe e paprecedent.

Çmimet e banesave në Tiranë, Durrës dhe qytete të tjera bregdetare janë trefishuar krahasuar me vetëm pak vite më parë.

Çmimi mesatar i shitjes së banesave në shtator 2022 për të gjithë vendin është 1146 €/m2 dhe kjo ka ardhur për shkak të çmimeve të fryra në Tiranë dhe në zonat bregdetare.

Në kryeqytet, çmimi mesatar është 1365 €/m2, në varësi të zonës nga 770 euro deri në 2290 €/m2. Në zonat bregdetare çmimi mesatar i shitjes është 1600 €/m2, duke variuar nga 950 €/m2 në Shëngjin deri me 2500 €/m2 në Dhërmi. Ndërsa pa Tiranën dhe bregdetin, çmimi mesatar është 380 €/m2.

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri është i drejtuar nga oferta, sepse shitësit nuk kanë ndonjë nevojë për të shitur dhe se numri i blerësve është mjaft i ulët. Madje ky treg është formësuar nga oferta, thekson studimi, sepse oferta për banesa është rritur më shumë se sa kërkesa.

Banesat nuk janë të përballueshme për një pjesë të rëndësishme të familjeve shqiptare, pohojnë autorët. Nëse një familje me të ardhura mesatare blen sot një shtëpi me çmimet aktuale, ajo mund të zbresë shpejt nën kufirin e varfërisë, por ndikimi i ardhshëm do të bjerë mbi çiftet e reja ose migrantët e brendshëm.

Pjesa dërrmuese e të dhënave i përkasin një harku 10 vjeçar.

Por pikëpyetje të mëdha janë se nga vijnë gjithë këto qindra milionë euro të cilat hidhen në pallate e kulla, kur fuqia blerëse vetëm ulët dhe kostoja e ndërtimit vetëm rritet!

Nga vijnë dhe si pastrohen gjithë këto miliona euro, kur nga bankat nuk marrin kredi por i sjellin cash në canta dhe i pastrojnë më pas duke shitur ato që ndërtojnë.

A është lavatricja e pastrimit të parave të pista në ndërtime apo nga trafiku I kokainës? Ndonëse nga kokainaë vjen shumica e këtyre parave në ndërtime.

Këto dhe shumë pyetje të tjera po dalin para diplomatëve të huaj.

Si rregull gjithë këto ndërtime duhej të ulnin cmimin e shitjes së shtëpive për qytetarët, por këtu në Shqipëri ndodh e kundërta; cmimet rriten, shtëpitë nuk shiten por pronarët e tyre paratë tashmë I kanë të pastruara.

Kjo quhet mafie! Dhe mafia pa bashkëpunim me shtetin nuk mund të jetojë, sidomos në shtetet me demokraci të brishtë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit