Home Aktualitet ”Ngrirj...

”Ngrirja” e Bashës dhe lobisti në PD

974
0

Nga: Redjon Shtylla

Ka mbetur vetëm një fjalë pa thënë nga Lulzim Basha, dhe për këtë ai kërkon më shumë kohë. Kreu i Partisë Demokratike, thotë se mbetet në dispozicion për të bërë gjithçka për hir të demokratëve, edhe pse fjalën dorëheqje nuk e përmend. “Mbetem në dispozicion për të bërë gjithçka për hir të demokratëve dhe për të bashkuar PD-në”, tha kreu demokrat.

Deputeti Arbi Agalliu bën me dije se grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e Bashës, por se kur do ta japë, kjo ngelet në përgjegjësinë e tij. ”Grupi i PD-së do të ndërmarrë të gjitha hapat që ka rregullorja dhe statuti, nëse Basha nuk vepron në kohë”,-tha deputeti.

Kurse shkurtimisht për gazetarët nga oborri i Parlamentit, Sali Berisha tha se po merret me intensitetin më të madh për bashkimin e Partisë Demokratike. Ish-nënkryetarja e PD-së, deputetja Grida Duma tha se personalisht mendon që Partisë Demokratike nuk i bën mirë të zvarritet procesi. Për të që PD të jetë e madhe, duhet të dalë nga këto konflikte dhe cic-mice.

”Ka një solidaritet me kohën që ai ka kërkuar. Për të pritur dhe 2-3 ditë. Për mua sa më shpejt të reagojmë aq më mirë është për PD që të nisë një proces që e ringre PD dhe e bashkon”.

Në të gjithë këtë vorbull të nxehtë, Basha ka pajtuar një lobist për të ndërmjetësuar në konfliktin e brendshëm në PD. Elmar Brok, ish-kryetar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian ka mbërritur në Tiranë për të ndihmuar Bashën në përplasjen brenda PD-së. Dje në darë ai darkoi me Lulzim Bashën, por edhe më herët kishte një takim me Sali Berishën.

Kjo është situata në PD, ku Basha është ”ngrirë” për momentin, dhe nga ana tjetër, grupi parlamentar si kurrë më parë kërkon dorëheqjen e tij si kryetar i PD-së, kjo pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 6 marsit, paçka se nuk janë zgjedhjet e para të humbura nga PD me Bashën në krye. Ditët në vijim, do të jenë edhe më me diell në selinë blu, kjo për të shkrirë të gjithë akujt dhe që PD-ja të ringrihet siç vetë demokratët kërkojnë, ose në Shqipëri opozita dhe opozitarizmi do të shuhen.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit