Home Aktualitet Operacionet q...

Operacionet që përfunduan në vdekje nga anestezia! Nga rasti i 11-vjeçarit Alimadhit te operacioni në gju i Pepës

76
0

Denis Alimadhi nga Bërzhita e Tiranës kishte 4 vite që priste të kryente një ndërhyrje estetike për të hapur qepallat e syrit pasi vuante nga “ptosis palpebral”. I priti mjekët nga Irlanda derisa më në fund u caktua 7 nëntori i vitit 2012 për të bërë ndërhyrjen në spitalin francez në QSUT.

Mjekët i bënë anestezi të plotë. 11-vjeçari reagoi keq duke kaluar në hipetermi malinje, rritje e temperaturës së trupit gjatë operacionit. Në spital mungonte “Dantroleni”, ilaçi që shërben për trajtimin e hipertermisë malinje. Mjekët u kritikuan në atë kohë nga ekspertë të fushës, se përse hynë në një operacion të tillë, duke e ditur që në spital mungonte antidoti që do të ulte temperaturën.

Mjekët përdorën si alternativë, “Lidokainë” si element për të rregulluar aritmitë e shkaktuara nga hipertermia malinje. Por ekspertët mendonin ndryshe: “Dantrolenin” nuk e zëvendëson asnjë ilaç tjetër në efektet pozitive që ai jep në uljen e temperaturës. Prindërit e 11-vjeçarit Fatmir dhe Sheje Alimadhi denoncuan ngjarjen duke bërë me faj për vdekjen e fëmijës së tyre, mjekimin e pakujdesshëm, por sipas mjekëve vdekja e Denisit ka qenë një aksident, pasi medikamentet alternative nuk rezultuan të suksesshme për të ulur temperaturën që arriti 42 gradë, dhe për pasojë fëmija ka pësuar disa herë atak kardiak gjatë operacionit.

Në operacion asistuan mjekë të QSUT-së dhe disa mjekë vullnetarë të specializuar. Ministër shëndetësie në atë kohë ishte Vangjel Tavo. Sipas ekspertizës mjekoligjore shkak për vdekjen e 11-vjeçarit ka qenë mungesa e mjekimit me “Dantrolen”. “Në rastin e viktimës Den­is Alimadhi sëmundja e hipertermisë malinje është shfaqur në prag të përfundimit të operacionit që duhet të ketë qenë shkaktuar nga narkoza e përdorur për daljen nga gjen­dja e komes. Në këtë moment duhej përdorur sa më shpejtë si mjekimi specifik me Dentrolen, i cili nuk u krye për shkak të mos gjetjes së tij” – argumentonte prokuroria.

Në 2015-ën Gjykata e Tiranës dënoi vetëm me gjobë 600 mijë lekë mjekun irlandez Kevin Klarkson dhe shpalli të pafajshëm mjekun tjetër irlandez, Gerald Fayn. Procesi gjyqësor zgjati rreth 2 vjet, dhe prokuroria kishte kërkuar nga 3 vite burg për secilin prej mjekëve.

Sipas ekspertizave mjeko-ligjore duheshin marr që më parë të gjitha masat për shmangien e një reaksioni nga narkoza, siç ndodhi në rastin konkret, ku përfshihej edhe sëmundja e hipertermisë malinje (kryerja e testeve gjenetike dhe biopsisë muskulare, apo sigurimin më parë të medikamenteve specifike për mjekimin e saj.

Blerta Pepa ishte nxënëse e shkëlqyer e gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në Tiranë. Artiste në perspektivë, ishte angazhuar në shumë kompeticione, për të ndjekur gjurmët e vëllait të saj muzikant. Një incident me këmbën gjatë orës së fizkulturës në shkollë, çoi në nevojën për një ndërhyrje kirurgjikale për përmirësimin e ligamentit dhe meniskut të gjurit.

Prindërit e saj zgjodhën spitalin privat “Continental” në Tiranë. Operacioni u vendos të kryhet më 15 maj të 2017-ës. Sipas mjekëve, 4 orë pas hyrjes në operacion rreth orës 23:30 gjendja e saj është përkeqësuar duke shkaktuar zyrtarisht vdekjen në orën 01:00 pas mesnate, më 16 Maj. Operacioni ishte planifikuar të kryhej në orën 10.00 të mëngjesit të 15 majit, dhe sipas prokuroret Anila Galanxha që kishte dosjen në atë kohë, shtyrja e operacionit ndikoi në gjendjen e pacientes adoleshente.

16-vjeçarja kaloi në hipertermi malinje, si rezultat i anestezisë totale. Mjekët injektuan antidotin “Dantrolen” në sallën e operacionit pas shenjave të hipertermisë, por edhe pse ky ilaç uli temperaturën, Blerta Pepa humbi jetën. Sipas kartelës mjekësore ajo vuante nga alergjia e shkaktuar prej pluhurave. Prindërit akuzuan bluzat e bardha për mjekim të pakujdesshëm, dhe në hetim u vunë anestezisti Tefik Zhurda, Jovan Kosta dhe Moeibus Ulf, mjeku kirurg që bëri ndërhyrjen. Mjeku anestezist Tefik Zhurda, tentoi të vetëvritej pas vdekjes së 16-vjeçares. I injektoi vetes në trup anestezi dhe nga gjendja e rënduar u nis në atë kohë drejt Italisë. /Shqiptarja.com/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit