Home Bota Palët e përfs...

Palët e përfshira në luftën në Izrael, ja çfarë duhet të dimë

60
0

Grupi militant palestinez, Hamas, filloi një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit, më 7 tetor. Luftëtarët e tij hynë në komunitete pranë Rripit të Gazës, duke vrarë qindra njerëz dhe duke marrë dhjetëra pengje. Por cili është historiku i grupit dhe çfarë po ndodh me sulmet e vazhdueshme?

Çfarë është Hamasi?

Hamasi është një grup militant palestinez që sundon Rripin e Gazës. Ata janë betuar për shkatërrimin e shtetit të Izraelit dhe duan medoemos ta zëvendësojnë atë me një shtet islamik. Hamasi ka zhvilluar disa luftëra që kur mori pushtetin në Gaza në 2007, duke lëshuar me mijëra raketa mbi Izrael dhe duke kryer sulme të shumta vdekjeprurëse. Hamasi cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe, si dhe fuqi të tjera. Irani konsiderohet mbështetësi kryesor i këtij grupi që financon dhe ofron armë e trajnime.

Çfarë është Rripi i Gazës dhe pse është i rëndësishëm?

Rripi i Gazës është një territor 41 km i gjatë dhe 10 km i gjerë midis Izraelit, Egjiptit dhe Detit Mesdhe. Fillimisht, e pushtuar nga Egjipti, Gaza, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor u pushtua nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967. Izraeli tërhoqi trupat e tij nga zona në vitin 2005.

Aktualisht, është shtëpia e rreth 2.3 milionë njerëzve dhe ka një nga popullsitë më të dendura në botë. Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gazë, vijën bregdetare dhe mallrat që hyjnë ose dalin nëpër pikat e saj kufitare. Në mënyrë të ngjashme, Egjipti kontrollon se kush hyn dhe del përmes kufirit të tij me Gazën.

Sipas OKB-së, rreth 80% e popullsisë së Gazës varet nga ndihmat ndërkombëtare. Pas sulmit të paprecedentë të Hamasit, Izraeli njoftoi një “rrethim” të Gazës, duke ndërprerë furnizimet me energji elektrike, karburant, ushqim, mallra dhe ujë. Termocentrali i vetëm i Gazës pritet të mbetet pa karburant. Pa energji elektrike, sistemet e ujit dhe kanalizimeve të Gazës do të mbyllen gjithashtu.

Palestina

Bregu Perëndimor dhe Gaza të cilat njihen si territore palestineze, por edhe Jerusalemi Lindor e Izraeli, të gjithë kanë qenë pjesë e tokës së njohur si Palestinë që nga koha romake deri në mesin e shekullit të 20-të. Mirëpo, këto ishin gjithashtu tokat e mbretërive hebraike, sipas referencave në Bibël dhe shihen nga hebrenjtë si atdheu i tyre i lashtë. Izraeli u shpall shtet në vitin 1948, megjithëse toka ende quhet Palestinë nga ata që nuk e njohin Izraelin.

Pse sulmoi Hamasi tani?

Megjithëse sulmi nga militantët më 7 tetor erdhi pa paralajmërim, ai ndodhi në një kohë që tensionet izraelito-palestineze po rriteshin gjithnjë e më shumë. Ky vit ka qenë viti më i errët për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, gjë që mund ta kishte motivuar Hamasin të godiste Izraelin me kohë.

Nga ana tjetër, Hamasi mund të jetë duke shfrytëzuar këtë moment për të rritur popullaritetin e tij në mesin e palestinezëve. Fakti që ata kanë zënë robër një numër të madh izraelitësh, mund t’i ushtrojnë presion Izraelit për të liruar 4500 palestinezët e mbajtur në burgjet izraelite.

Ka gjithashtu spekulime se sulmi është orkestruar nga Irani, armiku kryesor i Izraelit, ndonëse ambasadori i Iranit në OKB e ka mohuar përfshirjen e vendit të tij. Gjithashtu, Irani dhe Hamasi kundërshtojnë me vendosmëri perspektivën e një marrëveshjeje historike paqeje midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.

A është ky një dështim i madh i inteligjencës izraelite?

Me përpjekjet e kombinuara të Shin Bet, inteligjencës së brendshme izraelite, Mossad-it, agjencisë së jashtme të spiunazhit dhe të gjitha aseteve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, ekspertët janë të befasuar që askush nuk arriti të vepronte dhe nuk ishte në dijeni të asgjëje. Izraeli ka padyshim shërbimet më të gjera dhe më të financuara të inteligjencës në Lindjen e Mesme, me informatorë dhe agjentë brenda grupeve militante palestineze, si dhe në Liban, Siri e gjetkë.

Si përfshihet SHBA-ja?

Amerika është aleati më i afërt i Izraelit. Në vazhdën e sulmit të Hamasit, SHBA-ja njoftoi se po dërgonte një aeroplanmbajtëse, anije dhe avionë në Mesdheun lindor, si dhe se do t’i jepte gjithashtu Izraelit pajisje dhe municione shtesë. Të paktën 14 qytetarë amerikanë janë vrarë në sulmin e Hamasit, ndërsa disa të tjerë ndodhen në mesin e dhjetëra personave që mbahen peng nga Hamasi në Gaza.

Çfarë ndodhi në vitin 1973 dhe pse njerëzit po e krahasojnë atë me sulmin e fundit të Hamasit?

Disa po e krahasojnë sulmin e Hamasit me atë që izraelitët i referohen si Lufta e Yom Kippur në vitin 1973. Saktësisht, 50 vjet më parë, Izraeli u godit befasisht nga Egjipti dhe Siria në ditën e shenjtë hebraike të Yom Kippur. Forcat arabe bënë përparime të konsiderueshme, por izraelitët arritën t’i bënin ballë dhe t’i zmbrapsnin. Në luftë, 2656 ushtarë izraelitë u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën. Ndërsa nga ana arabe, pati rreth 18.000 të vrarë dhe dhjetëra mijëra të plagosur. Fakti që Izraeli u kap i papërgatitur dhe pësoi kaq shumë viktima asokohe, pati ndikim të thellë në psikikën izraelite. Fokusi i tyre i mëvonshëm u kthye te përgatitja ushtarake dhe bindja se një ngjarje e tillë nuk do të ndodhte kurrë më, por historia u përsërit…

Si mund të përgjigjen Izraeli dhe bota arabe?

Komandanti ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif, u ka bërë thirrje palestinezëve dhe arabëve të tjerë që t’i bashkohen operacionit të militantëve. Mirëpo, ende nuk është e qartë nëse palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor do ta dëgjojnë thirrjen e tij. Izraeli nga ana tjetër padyshim sheh potencial për një luftë që mund të hapet në fronte të shumta. Që nga sulmi, grupi militant i mbështetur nga Irani ka lëshuar një numër raketash dhe predhash në veri të Izraelit. Forcat izraelite janë kundërpërgjigjur duke sulmuar dhe duke u përgatitur për një përforcim masiv të trupave që priten të nisin së shpejti një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Bota

Më shumë nga Bota

Lajmet e Fundit

Te Fundit