Home Kultura Për herë të p...

Për herë të parë një grua fiton çmimin letrar “Kadare”

55
0

Me romanin “Pusulla të Verdha” Vera Bekteshi bëhet e para grua që fiton çmimin letrar “Kadare”. Mes 22 pjesëmarrësve, 5 finalistëve dhe tri herë renditjes së saj në top listën e këtij çmimi, Bekteshi sjell një libër të fortë dhe emancipues. Një rrëfim në vetë të parë, i gërshetuar me përjetime personale, ky libër u kushtohet personave me aftësi ndryshe dhe sfidave të tyre në një shoqëri ende skematike dhe përjashtuese për të ndryshmin.

‘Letërsia pa detaje nuk vlen’ e këshillonte dikur shkrimtari Ismail Kadare. Ishte kohë kur ajo i rrëfeu vendimin për të shkruar dhe ai e nxiti ta mbushte letërsinë e saj me hollësi, veçanërisht nga ato të jetuarat.

Këshillë që nuk e harroi as në botimin e librit të saj të gjashtë, që u shpall edhe fitues i edicionit të shtatë të Çmimit Kadare, çmimi letrar prestigjioz i akorduar nga Universiteti Europian i Tiranës, në një ceremoninë e zhvilluar pasditen e së mërkurës.

Belina Budini anëtare e jurisë tha se votimi për romanin “Pusulla të Verdha” ishte unanim, ndërsa në jurinë e këtij edicioni vihej re një dominim i grave. Krahas Budinit, ishte studiuesja Diana Kastrati, në rolin e kryetares, pedagogia Myzeqari, si edhe shkrimtarët Adil Olluri e Namir Lapardhaja.

“Rrëfimi në vetë të parë, me një ndjenjë intimiteti dhe i lidhur me përjetimin personal të shkrimtares, e bën “Pusulla të Verdha”, një roman të veçantë”, u shpreh Budini ndërsa i akordoi shkrimtares çmimin.

Libër të vështirë e cilësoi vetë shkrimtarja Vera Bekteshi romanin e saj më të ri, duke zbuluar se iu deshën katër vite ta sillte në jetë.““Pusullat e Verdha”, ia kushtoj njeriut që njoh më shumë, që ka mbetur i dëlirë, megjithëse mbush 49 vjeç këtë pranverë”, u shpreh shkrimtarja në një dedikim për të birin Arturin, duke zbuluar ngjashmërinë hera-herës me personazhin kryesor të romanit.

“Doja të shkruaja një temë aktuale, me probleme të shkaktuara nga tranzicioni i vështirë që ende po vuajmë, që u shoqërua dhe shoqërohet nga plagë të ndryshme. Të flisja për një Dhimokle të ditëve tona, se sa të vështirë e ka të orientohet, krahasuar me të vjetrin të rrethuar vetëm me dashuri. Asokohe, qesëndisja apo bullizmi siç njihet sot, ishte i huaj, për arsye që nuk di t’i shpjegoj, ndoshta nga frika e regjimit”, shpjegoi autorja.

Duke ia lënë në dorë lexuesit të nxjerrë mesazhet nga ky libër, ajo theksoi dëshirën që i pari mesazh të ishte dashuria. “Dashuria dhe vëmendja e ndershme që duhet t’u japim personave me aftësi ndryshe, familja, shoqëria, mjekët, shtet në tërësi dhe institucionet përkatëse në veçanti”.

E pranishme në akordimin e këtij çmimi ishte edhe bashkëshortja Ismail Kadaresë, Elena, prania e së cilës shihej jo vetëm si një mbështetje për çmimin letrar që mban emrin e shkrimtarit të madh, por edhe si një inkurajim për një grua dhe një mike të vjetër, e cila prej asaj dite që ua rrëfeu vendimin për t’i hyrë letërsisë si autore nuk u ndal.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit