Home Aktualitet PËRVJETORI I ...

PËRVJETORI I NJË ZËRI LIRIE

77
0
Nga Albert Vataj-
“Koha Jonë”, zëri i zëshëm i shpresave filluese të lirisë
“Koha Jonë”, sot festoi 28-vjetorin e themelimit të saj. Kjo kremte u përcoll përmes një dreke ku nuk munguan të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre të vyer ndër vite, të cilët sot janë drejtuesit kryesorë të medias shqiptare.
28 vite në historinë e traditës së shtypit shqiptar, janë fare pak për të treguar gjithë ato përpjekje dhe sakrifica, që fjala e shkruar, mendimi i lirë dhe idetë novatore të shndërroheshin në një zë kushtrues, në një vullnet forcash reaguese dhe reflektuese.
28 vite në historinë e shtypit të lirë shqiptar, zërit të së vërtetës dhe reales me të cilën përleshet njeriu i punës dhe përkushtimit, janë vitet e vetë ndryshimeve transformuese, janë kohërendie e mjaftueshme, për të dëshmuar mbi përpjekjet titanike të dhjetra e dhjetra, vajzave dhe djemve të përkushtuar e pasionant, të cilët dhanë emrin dhe kontributin e tyre në historinë e gazetës “Koha Jonë”, të pares gazetë të pavarur.
Historiku i medias shqiptare, natyrisht që nuk fillon me gazetën “Koha Jonë”, por tradita e shtypit të pavarur, nuk mund t’ia mohojë asaj atributet e simbolikës së mëvetësisë së lirisë së mendimit dhe shprehjes.
“Koha Jonë”, erdhi për të qenë gazeta e parë e pavarur, tribuna e mendimit të lirë, streha e atyre kurajove dhe kapaciteteve intelektuale, që u bënë promotor i zhvillimeve dhe shëmbëllim i atyre ëndrrave që u vendosën në themele dëshirimesh dhe sfidash. Ajo lindi dhe u rrit me shenjtërimin e fjalës së lirë që gurroi prej zjarreve pasionuese, për të mbetur e tillë, shpesh herë në kushte të vështira dhe aspak të favorshme.
“Koha Jonë”, vazhdoi të ishte paraprirëse e fjalës së lirë; mes peripecish, persekucionit, përplasjesh dhe ngadhënjimit, për të dëshmuar misionin e saj historik, për të treguar se ne meritonim më shumë dhe guxonim ta merrnim atë që ishte e jona edhe duke u përleshur.
Ajo është sot, jo dhe aq një madhështi që mbështet mbi supet e saj të së kaluarës, historisë dhe lavdisë, se sa një zë i zëshëm që jehon nga zëri i zemrave dhe pasioneve që besojnë se liria e shprehjes dhe misioni i informimit, meritojnë atë shpirt vullnetesh të kurajshme, që mbolli dhe kultivoi në median e shkruar shqiptare, ajo, “Koha Jonë”.
“Koha Jonë”, me fjalën dhe të vërtetën rrekej të hymnizonte fjalën e lirë, të shtatonte atë kryelartësi që ngjitej mundimshëm në tokën e dëshpërimit të fatit të keq, ku gjendej Shqipëria e atyre viteve të stuhishme. Kjo gazetë, e drejta sublime për të denoncuar keqqeverisjen, për të shprehur papajtueshmëri me çfarë ishte kundër interesave dhe kauzave të njerëzve të punës dhe përkushtiumit, ndoshta nuk shëroi plagët e hapura nga befasitë e kohës, por u përpoq që të paqtonte me ballsam dhimbjet, dhe të jepte kurajë njerëzve zemërthyer dhe dëshpërimit, t’u mësonte atyre alfabetin e qëndrestarit dhe guximit për t’u ndeshur dhe fituar.
Mes pengimit, prangave, dhunës, represionit dhe djegie, “Koha Jonë” mbijetoi si një sinks që ringihej nga hiri i vet dhe e vendosi rolin e saj informues dhe ballafaques të së vërtetës atje ku kishte më shumë kundërshti dhe hakërri. Në këto koshte sfiduese “Koha Jonë”, la gjurmë në ndërgjegjen e kohës, dhe ishte këmbanë në forcën e besimit. Në këtë rrugë 28-vjeçare ajo, u përpoq dhe arriti të ishte një zë i dinjitetshëm lirie, një zemër e zjarrtë e misionarëve të fjalës së lirë, një shembull dhe referencë, shkollë përvojash dhe motivim për të gjithë ata që shpresuan dhe besuan.
Urime “Koha Jonë”!
Qofsh përgjithmonë zë i zërave që besuan te liria, vullnet i shpirtrave të kauzave të larta që aspirojnë ardhmëri dhe proges!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit