Home Kultura Poezia “Drekë...

Poezia “Drekë malsorësh”, histori gjakmarrjeje e Martin Camajt, poetit të zanit të shpirtit e krisjes së gurit

17
0

Albert Vataj

“Drekë malsorësh” është një poezi, e cila jo vetëm përfaqëson forcën poetike, me të cilën Martin Camaj, ju qas shqipshkrimit dhe këndimit ndër ne, t’frymun gjallnimit ndër male, shkrepave e shitime zanash, dhanun trazimshëm t’kodeve t’rrepta zakonore, ku gjakmarrja asht e themelta e të drejtës më lyp drejtësi dhe nder.

Ndërsa përcjell vargjet e kësaj poezie monumentale të Camajt, përjetimi, me t’cillin fjala dhe shpirtja shprehëse poetike, të thërret, mundet me të çue atje thellë ndër male, me t’kthy mbas në kohë, e tue lexu, çdo fjalë e përpi çdo varg, ti bahesh pjesë e këtij realiteti, shtërngim i këtij trazimi qi e përmbyll tragjizmin e ashpërsisë së jetës, me drekë malsorësh.

Simbolizmi i kësaj dreke, parë në një kontekst tjetër kohor, mundet me ken nji papajtueshmëri me të cilën arsyetimi modern e ka t’pamujtun me e kapërdi. Gjithkujt qi e ndin erën e gjakut dhe n’shpirt i këputet diçka, mundet me e pas fort t’idhnueshme. Por tue lyp me e kthy kohën mbas, me e lexu realitetin siç Camaj e ka sendërtu, ndoshta edhe tue u pajtu me ligjet e ashpra të maleve, gjejm nji shteg dhe hyjmë në një realitet imagjinar gjaku, vrasje dhe drekimi.

Ligjërimi poetik i Camaj e përshkon në një lineare të krejt tragjizmit, qysh prejse “Dy plumba lëshuen përdhe një burrë”, “Sot ashtë marrë një gjak”. Një pritë dhe plumbat qi marrin jetën e një mashkulli, një qiell që shkuen petkun e vet t’murrm të reve, e malet qi e barin zanin, tue e çue prej një skaj në tjetrin, e thirrjet e pushkshme burrash, që pyesin, ç’ka asht zani moreeee?!

Dhe tjetër krismë që rreshk ndër shkami e i zatetet qiellit: O filani muer gjakun moreneeee! E njashtu zani i burrave e krismave rrinë pezull mbi këtë skenë morte, si perdja e nji skene tragjike qi nuk asht hapun plotësisht.

Tue kenë lypë burrnie e normë fisi, gjaku i marrun kthen nderin e paguem me nji jetë, nji jetë që i mbivendoset një vorri ku ka mbi bari. E vijon poeti, tue cek te riti i drekës së malësorëve, të ceremoniali i përmbushjes së një zakoni, i cilli asht ma i ashpër se vetë vdekja, që merr jetë burrash, e ngujon meshkujt nëpër kulla ku fillërojnë tyta pushkësh ndër frëngji.

“Pëlset rrashta e kaut te prroni.”, (Drekë të mëdha po bahen sot!), vijon kjo panoramë e zymtë. Ceremoniali i sakrifikimit të një kafshe, asht e pse jo pjesë bashkëjetesës së malësorëve me forcën për të besu, si më e epërmja, qi mban kulmuem shpirtrat si kullat dhe malet.

Drithëron në çdo fjalë e t’ngërthen në çdo varg kjo panoramë, e trisht e përcjellun me kaq fuqi shprehëse, prej nji nga penat tona ma t’njimendta të shqipes. I gjëmimshëm ai shpirt qi foli, e zjarmshme ajo zemër qi flaku.

“Gjama e burrave tërbueshëm / Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.” Ky dyvargësh duket se mban tan peshën e këtij qielli që nderet mbi këtë atmosferë morte. Zani i burrave që thërret vajshëm e goditja e gjokseve me grushte, që oshtin maleve që dridhen si tue dasht me përposht një ortek kiamet, tue marrë me turr çka shtegun e kallëzon.

“Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.”/ E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë/Ndë tryeza, jashtë/ Natë. Në vorrezat mbi kodër/ Tokë e re, hanë e re./ Ujqit janë ulë prej malesh/ E pijnë gjak në përrue.” Kulmon zani dhe shpirti i poetit, në këtë përshkrim të simbolshëm, tue përafru tan elementet shprehës poetik në krijimin e një skene të plotë, ku luhet jeta dhe fati i malsorëve. Zakoni, natyra, tradita, mitikja, përzihen në një masë që tue u ngjesh fort mësyn tue zgju të shkumen, tue e përtëri kujtesën, si tue mos me e lan qi harrimi me e rikthy çka koha e mori me vedi e poeti e ktheu në monument.

Deka dhe dreka përbashkohen në një epikë që fjala rreket me e përshkru sa mundet, por tue mos mujt me përafru si vetë realiteti shpalon, e robnia i neper këtij ceremoniali. Deka dhe jeta tue shku bashkë mujn me tregu se sa ngërthyem shkuen motet e sa zoritshim e gjamshme u gjegjën jetët. Të ashpra si malet, të mrazt si qiejt, epike si vetë amfiteatri i atij realiteti.

Martin Camaj me “Drekë malsorësh” shkruan përmes hyjnisë së poezisë historinë e trishtë të jetës dhe të së drejtës për jetë dhe nder, tue mos e fjalë e prrall se sa dhe qysh me e pague. Kjo poezi dëshmon një faqe të historisë së jetës dhe mbijetesës së malsorëve, thërret me za poeti t’shkumen tue dasht na ftu t’tanve në nji homazh për jetët që shkuen për nji fjalë goje, e flijimet që ju banen nji altari ku lutjeve nuk ju përgjigj kurrkush.

Drekë malsorësh nga Martin CAMAJ

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.
Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Sot ashtë marrë një gjak.
Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë
Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit