A rrezikohet Shqipëria nga aktet terroriste iraniane?
Letra e presidentit Amerikan Donald Trump dhe reagimet e zyrtarëve të tjerë të ShBA për dëbimin e ambasadorit Iranian nga vendi po trajtohen në Tiranë me mendësinë e turpshme të një republike bananesh.
Ajo po shikohet në prizmin: “Trump i shkruan Ramës”, “Presidenti i SHBA falenderon kryeministrin”, “Ai lavdëron liderishipin e politikanit tonë” etj.
Por përpos përpos kësaj vale lumturie sipas së cilës Rama bëri të harrohen deklaratat e tij në fushatë dhe votën anti amerikane për Jeruzalemin kryeqytet duket se fshihet një çështje më e madhe.
Ajo lidhet drejpërdrejt me sigurinë e vendit. Jo më larg se sot Zëri i Amerikës komentonte: “Shqipëria shpalli persona të padëshiruar dy diplomatë të ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete, që cënojnë sigurinë e vendit”.
Dhe ky cënim barabitet me aktet e mundshme të dhunës që mund të kryejë në Shqipëri shërbimi secret i ajatollahëve iranianë për faktin se Shqipëria po strehon reth 3000 muxhahedinë, kundërshtarët të tyret politik që i kemi pranuar falë presionit amerikan.
Në raste episodike edhe në shtypin tonë është përmendur aty këtu frika nga ky kërcënim. Vetë kryeministri shqiptar në 21 prill të këtij viti foli për rrezikun e kanose nga pranimi i ish luftëtarëve të organizatës së njohur si MEK: “Për MEK kemi bërë gjënë e duhur, sa i përket kërcënimeve dhe sigurisë, jemi të kërcënuar as më shumë e as më pak si cdo vend që është i vendosur në anën e duhur të historisë” tha ai duke e relativizuar kërcënimin, pasi dy agjentë iranianë u dëbuan nga vendi pasi dyshoheshin se po planifikonin sulme teroriste.
Një tjetër anëtar kabineti, minisri i diasporës Pandeli Majko i deklaroi TV Fox Neës se zyrtarë amerikanë i kanë thënë që të rrisë sigurinë personale, pas informacioneve për një kërcënim kundër tij. Majko tha në gusht 2018 se strategjia e Iranit në rajon është e pashembullt, ndërkohë që ky televizion në të njëjtën kronikë theksonte: “se muxhahedinët kanë informacione që në Ambasadën e Iranit në Tiranë janë vendosur agjentë dhe drejtues të shërbimeve sekrete iraniane. Qëllimi i tyre është sabotimi i aktivitetit të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri”.
Letra e muxhahedines: Agjentët e Iranit janë në Shqipëri!
Nga ana tjetër ka dëshmi të shumta se edhe vetë opozita muxhahedine e regjimit të ajatollahëve që ka vendosur në Shqipëri ish luftëtarët e saj është një organizatë shumë problematike. Krerët e policisë shqiptare i kanë pohuar televizionit publik Anglez Channel 4 një dokument për rrezikshmërinë e kësaj organizate. Sipas kētij dokumenti, të firmosur nga kryepolici Ardi Veliu, muxhahedinët perbejnë nje rrezik për sigurinë në Shqiperi, pasi ka dyshime të arsyshme që antarët e grupit MEK, mund të vrasin anëtarë qe dalin ose tentojnë të dalin nga grupimi. Muxhahedinët “mund të sjellin implikime në sigurinë e brendshme, pasi këta individë janë të indoktrinuar thellësisht, kanë qenë pjesë e strukturave ushtarake, kanë marrë pjesë në luftimë dhe akte terrori.”, thuhej në dokumentin sekret.
Pra të gjitha këto problem sot janë transferuar në Manzë fare pranë kryeqytetit shqiptar. Ky është thelbi i prezencës së 3 mijë muxhahedinëve në vendin tonë të imponuar nga Uashingtoni. Dy njerëz fare pranë presidentit Trump, Rudi Xhuliani dhe John Bolton, kanë marrë rrugen deri në vendin tonë për tu takuar me ta.
Dhe reagimi i fundit i Tiranës zyrtare për të dëbuar dy diplomatët iranianë me sa duket ka qenë direktivë e Uashingtonit. Prandaj më mirë se sa ta shfrytëzonim këtë ngjarrje për ti bërë hosanna letrës së Trump i dërgoi Ramës, më mirë do qe të ngrinim pyetjen: Sa rrezikohemi nga eksportimi i këtij konflikti Iranian në vendin tonë? Sa gjasa ka të bëhemi pre e akteve terroriste si pasojë e servilizmit kokëulur që tregojmë ndaj ShBA-ve?
Këto pyetje bëhet edhe më të mprehta kur mendon se askush nga kasta politike që jeton me kompleksin e Uashingtonit nuk guxon ti ngrejë.
Sepse e rëndësishme nuk është se kë lavdëroi Trump, po se sa të sigurtë janë qytetarët shqiptarë./express/
KOHA JONË SONDAZH

