Agron Duka: Reformë zgjedhore dhe zgjedhje në pranverë, vetëm këtë pakt me Ramën
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste: Nëse Rama-Basha duan një pakt, le të shkojmë në zgjedhje. Jo më pazare me dy burra të mbyllur në një dhomë
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka thotë se e vetmja marrëveshje që mund të behet më Edi Ramën është caktimi i datës së zgjedhjeve në pranverë dhe reforma zgjedhore. Në një intervistë për “Koha Jonë” kreu i PAA thotë se nëse interesi i Edi Ramës është integrimi i vendit, atëherë kjo arrihet vetëm më një reformë zgjedhore me standarde dhe zgjedhje të parakohshme. Duka del kundër çdo takimi mes Ramës dhe Bashës pa praninë e krerëve të partive të tjera. “Një pakt kombëtar nuk mund të bëhet vetëm nga dy burra, sidomos duke pasur parasysh rezultatin e paktit të 18 majit, i cili la të pakënaqur Opozitën, dhe na solli këtu ku jemi sot, në një tjetër ngërç politik”,- thotë Agron Duka.
Duka, emergjenca e përmbytjeve, të paktën mediatikisht u mbyll, pasojat janë ende duke u monitoruar dhe analizuar. Si u përballua emergjenca sipas jush?
Në këtë pjesë të vitit, shiu është një fenomen normal dhe shqiptarët nuk kemi pse të habitemi. Jemi në kohën e pajisjeve inteligjente, kur edhe fëmijët kanë një telefon që jep informacione mbi motin, të gjithë mund të konsultohen me sasinë e reshjeve për të programuar më mirë përballjen me emergjencat dhe marrjen e masave për të minimizuar dëmet. Por, ato që shqiptarët nuk mund të shmangin janë dëmet që ju sjell atyre paaftësia projektuese e menaxhuese e agjencive shtetërore, papërgjegjshmëria dhe neglizhenca vrastare e drejtuesve të institucioneve ligj zbatuese. Pra, në këtë situatë, të vetmit që moti i kapi gafil ishin qeveria. Folën për përgatitjen dhe marrjen e masave mbrojtëse vetëm kur përmbytja ndodhi dhe shkaktoi dëme.
Cila ishte mangësia sipas jush?
Le të marrim shembullin e Autostrada Tiranë – Durrës. Është aksi rrugor më strategjik i gjithë vendit, është segmenti infrastrukturor nga ku furnizohet e gjithë jeta ekonomike e shqiptarëve. Nuk ka rrugë tjetër me vitale e më të rëndësishme se ky aks që bashkon dy kryeqendrat e zhvillimit, kryeqytetin me qytetin e dytë me portin më të madh. Kjo rrugë duhet të ishte kështjella e fundit që duhet t’i dorëzohej përmbytjes. Por, edhe këtë radhë, shiu arriti ta bllokojë për pothuaj një ditë të plotë. Aty, bizneset humbën nga përmbytja dhjetëra milionë euro. Këtë radhë u rrezikua edhe jeta e qytetarëve. Nuk ka dyshim, edhe sipas ekspertëve të Partisë Agrare Ambientaliste, që ndërhyrja e bërë me të ashtuquajturën “rilindje urbane” të Autostradës, si trafik-ndarësja mes dy korsive, që zgjatet e pandërprerë dhe që nuk lejon kalimin e asnjë pikë uji nga një krah në tjetrin të autostradës; dhe kanalet anësore të rrugës të zvogëluar dhe pa komunikim me njëri-tjetrin, si mbjellja e palmave, nuk mundësojnë largimin e menjëhershëm të ujit në rast reshjesh të dendura. Nga ana tjetër, ndërhyrjet jo të pakta të bëra në shtratin e përrenjve, armiqësia e treguar ndër vite ndaj territorit, mungesa e investimeve, dhe mungesës së mendimit teknik në menaxhimin e ujërave, janë themeli i shkaqeve që sollën përmbytjet; së bashku me veprimet e papërgjegjshme dhe mungesën e kontrollit dhe koordinimit për shkarkimin e rezervuarëve në zonën përreth. Pra, në gjykimin tim, përsëritja e përmbytjes është absolutisht përgjegjësi dhe faj i qeverisjes, e cila nuk ka marrë guximin të planifikojë e të veprojë për të korrigjuar dhe për të bërë përmirësimet e nevojshme në kohën e thatë të verës me shumë më pak kosto. Këtë papërgjegjshmëri dhe këtë neglizhencë nuk mund ta justifikojë sot asnjë mobilizim, sidomos ai mediatik që pamë në ekranet e televizioneve dhe rrjeteve sociale.
Për t’i dhënë zgjidhje pjesës së dëmshpërblimeve, nga qeveria është folur për “sigurimin e detyrueshëm të pronës”, pra një nismë për t’i detyruar qytetarët dhe bizneset me forcën e ligjit të sigurojnë pronat nga fatkeqësitë, cili ëshë qëndrimi juaj?
Personalisht mendojë se përpara se të arrijmë tek sigurimi i detyrueshëm, duhet të zgjidhim problemet kronike për të cilat fola më sipër. Pra shteti ka detyrën të bëjë ato punë publike, të krijojë infrastrukturën e duhur, të vendosi në siguri diga dhe lumenj, të përfshijë në këtë përpjekje ekspertët më të mirë të vendit, pas këtij hapi, nëse financat publike nuk përballojnë do të ketë kosto, mund t’ju drejtohet qytetarëve. Pra shteti duhet të bëjë detyrën e tij, pastaj të kërkojë nga qytetarët zgjidhje alternative. Sigurimi i detyrueshëm nuk është zgjidhja, por një dhunim i lirisë ekonomike të qytetarëve.
Ditën e djeshme Kryeministri Rama i ka “shtrirë dorën” Bashës duke i kërkuar një pakt kombëtar për Europën, cili është qëndrimi i PAA-së si forcë opozitare?
Si fillim, ky gjest është një shenjë e mirë në këtë moment politik. Por gjithsesi ne si Opozitë duhet të jemi të matur. Duhet të jemi konsekuent me qëndrimet tona dhe të mbajmë fort kredibilitetin. Nëse kërkohet një pakt kombëtar duhet që edhe përfaqësimi në atë tavolinë të gjejë të gjitha forcat politike. Një pakt kombëtar nuk mund të bëhet vetëm nga dy burra, sidomos duke pasur parasysh rezultatin e paktit të 18 majit, i cili la të pakënaqur Opozitën, dhe na solli këtu ku jemi sot, në një tjetër ngërç politik. Sipas meje, nëse synimi është realisht Europa, zgjidhja mund të jetë kjo: Të mblidhemi dhe të prodhojmë një Reformë Zgjedhore të denjë për një vend demokratik, dhe të shkojmë në zgjedhje të reja në pranverën e ardhshme. Nëse Rama dëshiron një pakt për Europën, të fillojë nga Reforma Zgjedhore dhe të organizojmë zgjedhje dinjitoze. Çdo pakt tjetër do të perceptohet nga qytetarët si pazar i radhës, dhe do të cënonte kredibilitetin tonë politik. Pra, nëse duan një pakt, le të shkojmë në zgjedhje dhe paktin ta miratojnë qytetarët me votën e tyre, jo vetëm dy burra të mbyllur në një dhomë. Koha Jonë
KOHA JONË SONDAZH

