Aleatët e Bashës apo parazitët e opozitës?

Dje opinioni publik u gajas kur disa pseudo-aleatë të Bashës u shqetësuan për protagonizmin e LSI-së në opozitë teksa deklaruan se nuk kanë nevojë për LSI-në për të ardhur në pushtet. Kujtojmë se këta pseudoaleatë kështu deklaruan edhe në 2013-n kur i kërkonin Berishës se ishin të zotë të fitonin pa LSI-në dhe pasi LSI-ja “i dha dorën” Berishës të gjithë e mbajnë mend rezultatin katastrofik që prodhuan zgjedhjet për PD-në.

Me të njëjtën eufori kështu u shprehën dhe tani para zgjedhjeve se ishin të aftë dhe i kishin të gjitha mundësitë që të fitonin pa LSI-në, por iu desh që të flirtonin edhe me Ramën dhe sërish rezultati ishte shumë i rëndë për demokratët. Ndërsa këta kryetar partish aleate e futën veten në listat e kandidatëve për deputetë nga PD, pasi vetë nuk merrnin asnjë kokërr mandati deputeti.

Përveç Fatmir Mediut, i cili përfaqëson një parti tradicionale dhe me një mbështetje të konsiderueshme, mandatet e këtyre pseudo-aleatëve nuk vlejnë as sa ish-mandati i vetëm i demokrates, Jozefina Topalli, e cila u sakrifikua padrejtësisht bashkë me të tjerë personalitete për t’u dhënë qyl-mandate këtyre parazitëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sepse disa nga këta i marrin mandatet duke bërë pazare me Edi Ramën dhe shantazhuar Lulzim Bashën, madje disa qëndrojnë poshtë pallatit të Ëngjëll Agaçit dhe Erion Veliajt për të marrë ndonjë tender ose leje ndërtimi për familjarët e tyre. Çudia më e madhe ndodhi pak ditë më parë kur nëpërmjet medias mësuam se këta pseudo-aleatë të Bashës ishin mbledhur në një lokal pranë një koteci, teksa kërcënonin Bashën për mënyrën e të bërit opozitë dhe flirtonin me Ramën, nga ana tjetër pasi kishin e pirë e zhdepur në mish Rrashbulli, deklaronin që do të krijonin polin e tretë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Diversioni është e vetmja lojë që Rama di të ndjekë me opozitën dhe falë saj arrin të mbijetojë në pushtet vetëm nga intrigat, pazaret dhe përçarja nëpërmjet njerëzve të telekomanduar, të blerë apo të shantazhuar brenda opozitës. Kjo e shkatërron PD dhe Bashën nëse tërhiqet prej hunde nga këta bashibozukë partish pilafi!

Përsa i takon PD-së, as në 2005-n nuk kishte shans të vinte në pushtet kundër ish-kryeministrit Nano, por falë LSI-së iu hoqi 20 mandate partisë së Nanos. E prapë PD-së i duhej të bënte koalicion edhe me Lufter Xhuvelin për të bërë qeverinë.

Kjo ndodhi edhe në 2009-n me PD-në që bëri koalicion me LSI-në për t’u rikonfirmuar në pushtet, por edhe në 2013-n ku PD-ja pa LSI-në u përball me një dështim të paprecedent në zgjedhjet parlamentare, duke prekur fundin. Mjafton të shikosh mediat e kapura nga pushteti i narko-qeverisë, të cilat transmetojnë dhe shpërndajnë me gëzim lajme të sponsorizuara për përçarjet brenda opozitës. Pa ndihmën e Endri Fugës këto lajme nuk do të publikoheshin as në faqet më periferike të gazetave e jo më në titujt kryesore të edicioneve televizive të lajmeve. Fuga ndan mjeshtërisht për çdo lajm nga një dhuratë.

E vetmja mënyrë për të ndaluar këtë juntë, oligarki dhe këtë grup që ka marrë peng vendin, është që të bashkohen, jo vetëm partitë opozitare PD e LSI, por edhe shoqëria civile, çdo grimcë opozitare me një qëllim të vetëm: çmontimin e narko-shtetit dhe oligarkisë së Ramës.

Cilido që gjoja është në opozitë dhe është i shqetësuar nga “çizmja e Monikës” nuk ka asnjë qëllim tjetër, por është duke mbrojtur “çizmen naziste të Ramës” që shkel çdo ditë Kushtetutën, shantazhon institucionet, biznesin, qytetarët, përçmon dhe jep me koncesion të ardhmen e vendit.

Është keq për një vend kur qeveria korruptohet, por është fatalitet kur edhe opozita korruptohet nga qeveria.

Ora e provës ka ardhur! Basha duhet të ndahet një herë e mirë nga këta pseudo-aleatë të cilët qëllimin e tyre në jetë kanë si të flirtojnë me qeverinë dhe të sigurojnë benefitet e tyre. Sa herë janë në hall për leje ndërtimi apo përfitime të tjera këto partiçka do krijojnë “Polin e Katërt”, me pas “Polin e Pestë” e kështu me radhë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?