Arratia e tretë e Edi Ramës!
Nga: SALI BERISHA
Të dashur miq, Edi Rama dje mori arratinë. Për të zhdukur çdo gjurmë, ai mbylli për herë të parë edhe verver TV-në apo teleneverinë, siç po e quan populli ERTV-në e tij. Ai kishte njoftuar se do të shkonte në Shkodër, por në fund zgjodhi vrimën e miut ku mbajti frymën në arrati për 24 orë. Pas 20 shkurtit të vitit 1991, dhe 14 shtatorit të vitit 1998 kjo ishte arratia e tretë e tij. Por, siç i thonë fjalës “e treta e vërteta”!
Kjo sepse e para ishte një evakuim me autoblinda i Bllokut, ditën e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës. E dyta, ditën e varrimit të Azem Hajdarit zgjati vetëm 10 orë, kurse kjo e fundit në të vërtetë rreth 48 orë, pasi përveç disa pamjeve nga Davos ai u zhduk nga ekranet e TV dhe valët e radiove 48 orë.
Militantët socialistë u dëshpëruan thellë me liderin e tyre mbatharak. Papagajtë e tij u thanë mediave se qëndrimi i Berishës në zyrë më 21 janar ishte shkaku i viktimave, prandaj Rama mirë bëri që ia mbathi!
Kurse analistët u mjaftuan me konstatimin, por nuk analizuan shkaqet e kësaj zhdukje, kësaj heshtje të plotë të tij ndaj këtij tmerri infernal të papërjetuar prej tij kurrë më parë! Këtu më poshtë po rendis disa nga arsyet e heshtjes mortore të Edi Ramës, heshtje që tronditi aq shumë narkoqeveritarët, narkodeputetët, narkozyrtarët e tij.
Së pari, Rama u tmerrua sepse pa dje nga vrima ku ai ishte futur, atë që ai kurrë nuk e kishte imagjinuar. Ai pa se bashkimi i opozitës në të gjithë spektrin e saj, të cilën ai vetëm një javë më parë e quante se nuk ekziston, prodhoi dje jo një protestë, por një tsunam popullor, shpresë për mbarë shqiptarët dhe urrejtje ndaj narkoshtetit të tij, që në çdo çast e në pak minuta mund ta fshinte dhe mund ta fshije nga faqja e dheut!
Së dyti, Rama u tmerrua sepse ai si votë-killer, vrasës i votës së qytetarëve shqiptarë, pa dje, pothuaj në harkun kohor të 100 ditëve të formimit të qeverisë së tij të ngritur mbi drogën dhe krimin, atë që kurrë nuk e kishte besuar se do te shihte, protestën gjigande, siç e quajtën mediat e huaja, të atyre që me 25 qershor ai me drogë, banda dhe pushtet krimi iu kishte vrarë votën dhe së bashku me të edhe shpresën.
Ai u lebetit dhe u zhduk dje më keq se më 14 shtator të vitit 1998, sepse protesta e djeshme iu duk si monstër gjigandë apo si marshi i fantazmeve që vërshoi nga të katër anët e vendit dhe pushtoi Tiranën e atyre që u kishte vrarë votën dhe shpresën, të cilët u ngritën si feniksi dhe me fuqinë e tyre mund të bënin pluhur dhe fshinin në pesë minuta nga faqja e dheut pushtetin e narkoshtetit të tij.
Së treti, Rama u tmerrua dhe heshti duke mbajtur frymën në skutën ku ishte futur, sepse dje konstatoi se shqiptarët e të gjithë spektrit politik opozitar, madje edhe qindra e mijëra socialistë, shumë prej të cilëve ishin dje, konsiderojnë dosjen Tahiri-Habilaj, dosjen e Xibrakës, aferat e Armos, djegesve, tarifave të stërlarta të universiteteve etj etj, shumë më të rrezikshme se sa bombat dhe armët kimike të Sirisë.
Mirëpo në vjeshten e vitit 2013, ai arriti të shuaj zemërimin popullor duke dalë gënjeshtar dhe anulluar premtimin e dhënë, kurse tani nga këto dosje, skllav i të cilave është, nuk ka shpëtim.
Përpjekjet e fundit donkishoteske, si zgjedhja e tij kryegjykatës dhe kryeprokuror, mbyllja njëra pas tjetrës e dosjeve të aferave të mëdha, pengimi i drejtësisë për arrestimin e Tahirit dhe kthimi i pasaportës së tij, lirimi i Sotës, ekstradimi i financierit të Habilajve në Itali etj etj, jo vetem që nuk kanë frikësuar njerëzit, por përkundrazi i kanë revoltuar për vdekje ata, ndaj dhe vërshuan si asnjëherë më parë drejt Tiranës, për ti kthyer restin që meritonte ai dhe narkoshteti i tij.
Si përfundim, dje qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, nën udhëheqjen e opozitës, ndrynë Edvin Kristaq Ramën, në vrimen e miut, në banesen e heshtjes mortore dhe e shndërruan atë në kufomë politike të pakallur…!
Nderim dhe mirënjohjen më të madhe për ata qindra mijra qytetarë, që me protestën e tyre madhështore iu treguan shqiptarëve dhe botës, se në Shqipëri shumicë është opozita kurse narkoshteti po shkon në kazanin e plehrave të historisë! Revolucioni vazhdon! Fitore!!
KOHA JONË SONDAZH

