Basha mbledh grupin parlamentar për datën e protestës
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të zhvillojë sot një mbledhje me grupin parlamentar të kësaj partie.
Takimi i Bashës me grupin vjen një ditë pas takimit me aletatët parlamentarë. Në mbledhje do të diskutohet për caktimin e datës së protestës së opozitës.
Takimi me aleatët
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka konsideruar si tejet të vonuar, shkarkimin nga detyra të kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çakos.
Basha e ka marrë lajmin nga mediat teksa jepte një deklaratë pas takimit me aleatët që ai zhvilloi paraditen e djeshme në selinë blu, dhe i pyetur prej gazetarëve për këtë shkarkim të papritur të kreut të uniformave blu, ai deklaroi se Haki Çako është “kokë turku”, pasi siç tha ai, inkriminimi i Policisë së Shtetit është bërë nga Rama.
“Nëse është e vërtetë, është një hap tejet i vonuar, një tjetër tregues i krizës së thellë që e ka zhytur krimi institucionin e Policisë, por Çako është një kokë turku, sepse ai drejtohet nga Rama, Tahiri dhe Xhafaj, lidhjet e të cilit janë të njohura”, u shpreh Basha.
Ndërsa lidhur me takimin me krerët e partive të djathta, Basha bëri me dije se me aleatët e koalicionit opozitar janë vënë piketat për aksionin intensiv opozitar dhe nisjen e protestave brenda muajit janar. Ndrysa shtoi se vendimi përfundimtar do të merret të martën me drejtuesit e PD-së dhe grupin parlamentar.
“Qëllimi i aksionit opozitar, pjesë e të cilit janë edhe protestat, është bashkimi i shqiptarëve në një aleancë vlerash për të bërë të mundur largimin e Edi Ramës, si shkaktari kryesor i zhytjes së Shqipërisë në një krizë politike, ekonomike dhe morale”- tha ai. Ndërkaq, kryedemokrati paralajmëroi se me nisjen e sesionit të ri parlamentar, marrëdhënia e opozitës me Kuvendin do të jetë e kushtëzuar me interesin publik dhe “me aktin e rëndë e të pafalshëm që është dhunimi i Kushtetutës”- theksoi kreu i PD-së Lulzim Basha.
KOHA JONË SONDAZH

