Basha: Qeveri antimafia, zgjedhje të parakohshme
Në fjalën e tij në protestën e opozitës, Lulzim Basha u shpreh se sot ka marrë fund qeveria e Edi Ramës. Ai kërkoi qeveri antimafie dhe zgjedhje të parakohshme.
“Në emrin tuaj dhe gjithë shqiptarëve kërkoj largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, krijimin e qeverisë antimafia që do të largojë krimin dhe do të çojë përpara reformën në drejtësi dhe do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme”,- tha Basha.
Kreu i PD-së tha se ajo që prodhoi 25 qershori sot ka rënë. “Sot kemi zgjedhur të luftojmë dhe të reagojmë. Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj; Rama IK!”,- tha Basha.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Qeveria e paligjshme e votave të blera, shkel dhe dhunon të drejtat dhe liritë e njerëzve të thjeshtë sepse nuk ndjen asnjë përgjegjësi për ta.
Sa më shumë ta lemë, aq më keq do të jetë për vendin, për të gjithë shqiptarët.
Ndaj sot, në emrin tuaj, në emër të gjithë shqiptarëve që na mbështesin në këtë shesh dhe kudo ku janë, në emër të opozitës, kërkoj largimin e qeverisë së paligjshme, krijimin e qeverisë antimafia që do të luftojë krimin, do të çojë përpara reformën në drejtësi sipas Kushtetutës dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira e të ndershme.
Kjo kërkesë, ky akt solemn, është vendimi popullor i kësaj proteste. Ju burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të moshura, nëna e baballarë, deshmoni këtu me praninë tuaj fundin fundin e raporteve politike të deformuara politike me farsën kriminale të 25 qershorit.
Basha: Me këtë protestë, me këtë demostrim madhështor, opozita dhe qytetarët shpallin dhe vendosin një raport të ri, një raport të vërtetë. Shqipëria prej sot ka një raport të ri të forcave politike, një raport të ri mes qytetarit dhe pushtetit.
Sot vdes 25 qershori. Sot vdes politika që mban pushtet të vjedhur, që mban pushtet të grabitur dhe të blerë. Sot vdes pushteti që nuk i përgjigjet vullnetit të qytetarit.
Ky është vendimi, kjo është thirrja e popullit që ju mohua liria të zgjedhë me votë sepse narkoqeveria i ndërseu bandat e krimit dhe paratë e drogës.
Deri dje e dinin vetëm disa.
Sot e dinë të gjithë shqiptarët.
Sot e e ka pare gjithë bota.
Sot kemi zgjedhur të mos vuajmë më thellë e më thellë.
Sot kemi zgjedhur të bashkohemi, të refuzojmë të keqen, të luftojmë, ta largojmë.
Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj; Rama ik.
At Zef Pllumi na mësoi se i mjerë është ai popull që nuk ia del me i zotnue bijtë e vet të këqij.
Shqipëria ka patur bijtë e saj të këqij, por edhe mes tyre pak kanë qenë ata që vunë në jetë projekte kaq antikombëtare për pushtetin e tyre.
Kjo po ndodh sot.
Në Shqipëri po zbatohet një projekt antikombëtar, aniteuropian, antidemokratik, për pushtetin absolut të një njeriu të vetëm mbi të gjithë Shqipërinë.
Për pushtetin e tij, ky njeri ka bërë ortakëri me krimin, me oligarkinë dhe mercenarët e pangopur.
Shqipëria e Edi Ramës i ngjan shteteve të falimentuara të Afrikës dhe Azisë.
Vetëm në një vend si Guinea ndodh që familja e të parit të vendit të drejtojë trafikun e drogës dhe larjen e parave.
Vetëm në një vend si Nikaragua ndodh që kreu i qeverisë të financojnë fushatën e tij elektorale me milionat e drogës.
Vetëm në diktaturat e Afrikës ndodh që ministri i Brendshëm të jetë edhe i pari i trafikut të drogës.
Vetëm në Venezuelë ndodh që shefi i mbrojtjes të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i baronëve të drogës.
Vetëm në Afganistan ndodh që vëllai i kreut të ekzekutivit të jetë edhe trafikanti më i madh i drogës.
KOHA JONË SONDAZH

