Basha: Zullumi dhe pabesia e Edi Ramës do të marrë përgjigje të egër
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka folur për marrëveshjen me Edi Ramën në 27-vjetorin e PD-së. Kryetari i PD-së tha se Edi Rama shkeli marrëveshjen që u firmos me ndërmjetësimin e amerikanëve. Duke e cilësuar si pabesi qëndrimin e Edi Ramës, Basha tha se opozita nuk mund të bashkëpunojë në ne Edi Ramën.
Ai bëri thirrje për reagim të fortë dhe të egër ndaj mazhorancës. Në fjalën e tij Basha tha se ndryshe nga 27-vjet më parë, misioni i PD-së është të ruajë vlerat e demokracisë në vend. “Ky 27 vjetor vjen në vitin e krimit të madh të 25 qershorit, një dënim i madh për qytetarët shqiptarë, për demokracinë tonë dhe pastaj për PD dhe opozitën. Ishte një kthim pas që kërkon nga ne reflektime, vendime dhe veprime të matura, por të vendosura”, vijoi ai. Basha thotë se PD ka vullnetin, mundësitë ta bëjë këtë. “PD gjithmonë është kthyer tek vlerat e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor”, thotë Basha. Kryetari i PD-së thotë se ka nisur shpërbërja e strukturës kriminale të asaj që e quan narkoqeveri.
“Ky është fillimi i shpërbërjes së strukturës kriminale dhe gënjeshtrës mbi të cilën qëndron kjo narkoqeveri. Janë katër rekorde të kësaj qeverie; 1, Promovimi me vetëdije i individëve me rekorde kriminale, 2, kanabizimi masiv i vendit, 3, angazhimi i bandave si struktura elektorale të PS për të blerë votat, 4, blerja masive e votave në zgjedhjet e 25 qershorit. Këto rekorde provojnë ilegjitimitetin e Parlamentit dhe narkoqeverisë. Shpërbërja e së keqes do të përshpejtohet në javët dhe muajt në vijim”, deklaroi ai.
Në 27-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk foli vetëm për të shkuarën e partisë që drejton, por dhe për zhvillimet e ardhshme. Në takimin ku binte në sy mungesa e kritikëve që e kundërshtuan fort për marrëveshjen me Edi Ramën dhe opozitën e butë, kryetari Basha lëshoi sinjale të fortë për një betejë të egër kundër mazhorancës dhe personalisht ndaj kryeministrit Rama. Fjalimi i kreut demokrat kishte të gjitha mesazhet e një opozitari që e ka ndarë mendjen për të mos bërë më kompromise me Edi Ramën. Kompromise dhe pazare që edhe sot po i japin kosto në elektoratin e PD-së. Basha foli për pabesi të Edi Ramës në paktin e 18 majit, për ndëshkim të egër ndaj zullumeve të qeverisë dhe për ndëshkim politik ndaj rivalit të tij, kryeministrit Edi Rama.
Si rrallë here, përballë demokratëve, Lulzim Basha ka bërë dhe një sqarim për marrëveshje aq shumë të përfolur me kreun e qeverisë, Edi Rama. Sipas Bashës ishin përfaqësuesit e SHBA ata servirën draftin e marrëveshjes me kreun e qeverisë. Ndërkohë shtoi se arsyeja pse pranoi të ulej me Edi Ramën ishte shmangia e një konflikti civil. Por duke e akuzuar Edi Ramën si të pabesë në zbatimin e paktit mes dy partive, Basha premtoi se shumë shpejt do të vijë dhe hakmarrja. “… Ne pranuam draftmarrëveshjen për zgjedhjet, që partneri ynë strategjik, SHBA, u propozoi shumicës dhe opozitës shqiptare. Qëllimi dhe thelbi i marrëveshjes ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës. Edi Rama u ul në bisedime, por bëri krejtësisht të kundërtën e asaj për të cilin u bë marrëveshja. Tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt. Politika nuk është e pistë apo hileqare në vetvete, por është e tillë për ata që duan ta bëjnë pis e të paskrupullt atë, thoshte Vasllav Havel. Politika hakmerret një ditë ndaj tyre. Kjo është një ligjësi e hekurt”,- deklaroi kreu i PD-së.
Ndërsa justifikoi paktin e dyshimtë me Edi Ramën, Basha foli dhe për aksionin e pritshëm të PD-së dhe opozitës, që ketë herë duket si një betejë frontale. Duke e cilësuar qeverinë e Edi Ramës si një të keqe kombëtare që kanabizoi vendin, promovoi kriminelët dhe vodhi zgjedhjet, Basha premtoi aksion kombëtar. “Shpërbërja e së keqes do të përshpejtohet në javët dhe muajt në vijim”,- tha kreu i PD-së.
Deklaratat e ashpra dhe tonet luftarake të Lulzim Bashës vijnë vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama i bëri ftesën e radhës për marrëveshje. Këtë herë në “lojë” është Prokurori i Përgjithshëm dhe PS është përpjekur të josh opozitën duke e futur në procesin e votimit në Kuvend, sa për të kaluar radhën. Po nga ana tjetër nuk ka munguar dhe kërcënimi i PS-së, se nëse Basha nuk pranon negociata kryeprokurori i përkohshëm do të zgjidhet vetëm me votat e mazhorancës.
I egër dhe radikal ka qenë dje reagimi nga LSI-ja, e cila nëpërmjet dy figurave të saj , Petrit Vasili dhe Luan Rama ka paralajmëruar që nëse PS dhe Rama zgjedhin kryeprokuror me votat e mazhorancës, atëhere do fillojë lufta për rrëzimin me forcë të kryeministrit Rama. Qëndrimi i djeshëm i Bashës, të paktën zyrtarisht, nuk lë vend për shumë hamendje. PD bashkë me LSI kanë deklaruar se me zgjedhjen e një prokurori vetëm me votat e PS, praktikisht do jetë fundi i reformës në. Ndërsa Basha foli për reagim të ashpër, kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili shkoi edhe më tej, kur tha se nëse Rama zgjedh kryeprokurorin ka vetëm një përgjigje: “Përmbysje pa asnjë hezitim me çdo mjet e mënyrë”.
Ndryshe nga LSI që flet për Kushtetutën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve në kapjen e Prokurorisë, reagimi i Bashës duket si ai i një politikani që është prerë në besë nga marrëveshja e parë. Nga pakti i 18 majit doli i humbur vetëm PD dhe një tjetër tryezë me Edi Ramën do të ishte vetëvrasje politike për kreu e PD-së. Basha premtoi se këto javë dhe muaj do të ketë betejë për çmontimin e qeverisë.
PD dhe LSI kanë vendosur që ta rrëzojnë kryeministrin Rama, edhe me forcë, nëse ai emëron Prokurorin e Përgjithshëm vetëm më votat e PS.
Si dhe kur do ta rrëzojnë, mbetet të shikojmë, pasi po futemi edhe në dimër e ku njerëzit mblidhen rreth oxhakut. Por nëse opozita qëndron fort dhe nuk ofertohet e miklohet atëhere ka gjasa të fitojnë kauzën e tyre.
VIDEO/Fjalimi i Bashës në 27-vjetorin e PD
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1718639911520516/
Presidenti Meta uron Partinë Demokratike për 27-vjetorin

Kreu i shtetit, Ilir Meta ka uruar sot drejtuesit e PD dhe gjithë simpatizantët e kësaj partie për 27-vjetorin e themelimit. Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i shtetit vlerëson PD-së si fora e parë opozitare e vendit.
“Në këtë përvjetor të themelimit të Partisë Demokratike, si forca e parë opozitare në vend, kam kënaqësinë t’i uroj kësaj partie, lidershipit, anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, suksese në përmbushjen e përgjegjësive tepër të rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit”,- shprehet kreu i shtetit në mesazhin e tij.
Socialistët në festën e Partisë Demokratike
Partia Demokratike ka festuar 27-vjetorin e krijimit në Pallatin e Kongreseve ku kanë marrë pjesë shumë themelues, figura të njohura, politikanë dhe demokratë.
Nga organizatorët, ashtu siç e kërkon ‘zakoni’ ishte dërguar një ftesë edhe në selinë e Partisë Socialiste, që ka zgjedhur për t’u përfaqësuar me deputeten dhe nënkryetaren e parlamentit Vasilika Hysin. Ajo është fotografuar mes dhjetëra demokratëve, teksa dëgjon edhe fjalën e kreut të PD-së Lulzim Basha.
Kujtojmë se në festën e 26-vjetorit të themelimit të PS-së, PD u përfaqësua me deputetin Halim Kosova.
KOHA JONË SONDAZH

