Bushati: I habitur që Presidenti ndryshoi qëndrim, negociatat me Greqinë vijojnë
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka pritur homologen austriake, Kneissl, ku u diskutua për një sërë çështjesh me interes për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe Maqedoninë.
Në fjalën e tij, ministri Bushati iu përgjigj interesit të medias, ku sqaroi edhe qëndrimin e tij në lidhje deklaratat e Presidentin Ilir Meta për paktin detar me Greqinë. Ai deklaroi se tashmë autorizimin e ka marrë nga i pari i shtetit shqiptar, ku shtoi se procesi i negociatave është në proces me Greqinë, ndërsa raporti i plotë do të “skanohet” sërish nga presidenti.
“Më habit natyrisht, që presidenti i Republikës në këtë pikë ka ndryshuar qëndrim, po në fund të ditës kush jam unë që të gjykoj të parin e shtetit, unë jam thjesht një ministër”, tha Bushati.
Nuk mund të bëjmë dasmë pa pasur çiftin, ishte shprehja popullore që përdori ministri, duke thënë se negociatat nuk kanë përfunduar ende.
“Në këtë proces presidenti i Republikës ka dhënë autorizimin, siç përcakton Kushtetuta dhe ligji për mua si ministër i Punëve të jashtme. Unë kam lëshuar plotfuqishmërinë, bazuar në autorizimin e Presidentit të Republikës për ekipin negociator. Negociatat nuk kanë përfunduar. Nëse do përdorja një shprehje popullore, ne nuk mund të bëjmë dasëm, në rast se nuk kemi çiftin. Pra në rastin në fjalë negociatat nuk kanë përfunduar dhe deri në momentin që negociatat do të përfundojnë, ne konsiderojmë veten pjesë të një ekipi përfshi dhe Presidentit e Republikës, të cilin e ngarkon Kushtetuta, përfshirë ministrin e jashtëm që e ngarkon Kushtetuta apo ligji për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Në momentin që do të përfundojë e gjithë puna teknike që po zhvillohet nga ekspertët, dosja natyrisht do të dorëzohet pranë Presidentit të Republikës, ku ekipi i ekspertëve do të bëjë vlerësimin përfundimtar mbi përputhshmërinë e asaj çka do të jetë arritur me mandatin që ka lëshuar presidenti i republikës për këtë çështje”, tha Bushati.
KOHA JONË SONDAZH

