“Bushati–Kotzias”/ Reagon opozita greke, Demokracia e Re: Bisedimet u zhvilluan në fshehtësi
Partia më e madhe opozitare, në Greqi, Demokracia e Re, ka reaguar në përfundim të bisedimeve midis ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias që u zhvilluan në Korçë në fundjavë. Shefi i departamentit të jashtëm të partisë opozitare, Jorgos Kumutsakos, ka akuzuar selinë e diplomacisë greke se çështje të rëndësishme të politikës së jashtme i trajton me një logjike fshehtësie dhe diplomacie sekrete. “Në kohën që pala shqiptare insiston të parashtrojë çështje inekzistente, ministria e jashtme në thelb nuk u përgjigjet provokacioneve shqiptare”, thuhet në deklaratën për shtyp që nënshkruan deputeti Kumutsakos.
Deklarata njofton se deputeti në fjalë ka kërkuar një tjetër interpelancë me ministrin e jashtëm grek. Në argumentimin e kërkesës për interpelancë, Kumutsakos u referohet bisedimeve të Korçës dhe deklaratës së përbashkët që u publikua të dielën pasdite. Duke marrë shkas nga citimi i deklaratës, se gjatë bisedimeve “u shënua progres i rëndësishëm për gjetjen e zgjidhjeve në çështje të njohura”, Kumutsakos i rikthehet intervistës së ministrit Bushati në emisionin “Tonight Ilva Tare”, ku sipas deputetit grek ka thënë edhe se “po diskutohet edhe për çështjen inekzistente të çamëve”. Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e furishëm të Demokracisë së Re, por megjithatë nuk pati një përgënjeshtrim të qartë nga ministria e jashtme greke”, nënvizon Kumutsakos. Nisur nga gjithë këto, Demokracia e Re i drejton tri pyetje ministrit të jashtëm:
- Cilat janë konkretisht “çështjet e njohura” të cilat po diskutohen në kuadër të bisedimeve zyrtare greko-shqiptare?
- Përse nuk thuhen hapur, gjersa janë “të njohura”? Përse fshihen këto çështje?
- Nëse, sidomos, në kuadër të këtyre bisedimeve zyrtare diskutohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë gjoja çështja çame?
Opozita ka kërkuar me insistim interpelancë me ministrin e jashtëm, si për negociatat me Shqipërinë, ashtu dhe për ecurinë e zhvillimeve në çështjen e emrit të Maqedonisë, por ministri i jashtëm grek deri tani ka refuzuar me këmbëngulje t’u përgjigjet kërkesave të opozitës.
KOHA JONË SONDAZH

