Bylykbashi në Senatin italian: Deputetë pranë mazhorancës marrin kontrata publike në këmbim të qëndrimeve

Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë morën pjesë në seminarin e organizuar “Për promovimin e transparencës dhe përgjegjësisë për parlamentarët” në Romë, në Senatin italian.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë seminar, deputeti socialist Ervin Bushati diskutoi mbi rëndësinë dhe nevojën e sundimit të ligjit në Shqipëri dhe për aspiratën integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi, bëri një panoramë të ecurisë së legjislacionit shqiptar që prej vitit 2005-së, për sa i përket konfliktit të interesit, deklarimit të pasurisë nga deputetët dhe funksionarët e Kuvendit, por edhe për punën që duhet bërë në vazhdim për të përmirësuar kuadrin ligjor.

Swiss Digital Desktop Reklama

Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, duke diskutuar çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit, u ndal konkretisht në “vendimin e Kuvendit për të mos hequr imunitetin e deputetit të mazhorancës Saimir Tahiri, që hetohet ndër të tjera edhe për korrupsion”, po ashtu dhe “në rastet e standardit të dyfishtë në trajtimin e konfliktit të interesit për deputetët”. Sipas z. Bylykbashi, “deputetë pranë mazhorancës marrin kontrata publike në këmbim të qëndrimeve politike dhe mbrohen nga mazhoranca parlamentare”. ‎Ai ngriti gjithashtu problemin e pavarësisë së institucioneve antikorrupsion dhe gjyqësorit dhe mbrojtjen e tyre nga presioni politik i qeverisë, duke nënvizuar se “kontrolli dhe presioni aktual prej qeverisë pengon luftën efikase ndaj fenomenit”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kryetari i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Michele Nicoletti mbajti një fjalë në këtë seminar ku përmendi miqësinë e ngushtë dhe bashkëpunimin e përbashkët të dy vendeve ballkanike dhe përpjekjet e tyre të përbashkëta për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. “Demokracitë e reja siç janë ato të Shqipërisë dhe Bosnjës kanë ndjekur rekomandimet e GRECO-s dhe ne jemi të kënaqur me punën e deritanishme të këtyre dy vendeve, por ka ende shumë punë për të bërë”,- u shpreh Nicoletti.

Punimet e seminarit do të vazhdojnë edhe ditën e sotme me diskutime mbi promovimin e integritetit në qeverisje për të luftuar korrupsionin, si dhe Imunitetin Parlamentar. Delegacioni shqiptar përbëhej nga Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Ervin Bushati, Kryetar i Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë pranë Këshillit të Europës (PACE), Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri, Petrit Vasili, Luan Rama, Oriola Pampuri, Eduard Shalsi, Ulsi Manja, Ermonela Felaj, Klotilda Bushka, Almira Xhembulla, si edhe Genci Gjonçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?