Debati me gazetarët/ Rama gaboi te intonacioni i zërit, por jo shumë te fjalët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot pas sherrit dhe fyerjeve drejtori ndaj gazetarëve, pas përfundimit të sancës. Në një shënim që e nis në formë shpjegimi për ato që deklaroi në drekë, Rama sërish këmbëngulë se ka thënë ato që mendon për mediat. Kryeministri shprehet se këto ditë gazetarët kanë raportuar budallallëqe për çështjen “Tahiri”. ‘

“Padiskutim ata janë në të drejtën e tyre të mos kuptojnë atë që thonë ose të thonë me qëllim gënjeshtra e budallallëqe. Janë në lirinë e tyre të dëgjojnë siç u bëjnë veshët apo kur nuk e dinë diçka, të mos përpiqen as ta mësojnë. Janë në punën e tyre që ta bëjnë punën duke shkelur me këmbë çdo normë e rregull bazik, të një profesioni aq fisnik e të vështirë njëkohësisht”,- shprehet Kryeministri.

Por realisht ai ka njëfarë të drejte në ato çka thotë, ndonëse nga toni nuk duhet ta manifestonte ashtu inatin me paaftësinë e një pjese të tyre. Një turmë kalamajsh që marrin një mikrofon nga pronarët apo një celular për regjistrim nga shokët e lagjes, turren pa pikë kulture dhe edukate, dhe bëjnë sikur i dijnë të gjitha, ndërkohë që nuk kanë lexuar asnjë libër. Natyrisht që ka plot gazetarë me emër, të cilët janë nderi i medias shqiptare. Media ka shumë, por edhe shumë paaftësi te gazetarët, të cilët me dy shkrime që botojnë vetquhen gazetarë apo kur mbajnë pesë mikrofonin ngrejnë zërin sikur punojnë në CNN.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeministri gaboi nga intonacioni i zërit, por jo shumë te fjalët që shqiptoi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Komenti i plotë i Edi Ramës

“Asnjë ofendim, thjesht opinion

Po pse qenkan ofenduar gazetarët nga unë? Sipas tyre po edhe sipas të tjerësh, në kazanin mediatik e në atë politik, i paskam fyer sot pas seancës së Kuvendit!

Fare! Nuk kam fyer askënd. Thjesht kam dhënë opinionin tim, për çka ata kanë bërë, gjatë gjithë këtyre ditëve duke e dizinformuar publikun, lidhur me qëndrimet e mia dhe të Partisë Socialiste!

Padiskutim ata janë në të drejtën e tyre të mos kuptojnë atë që thonë ose të thonë me qëllim gënjeshtra e budallallëqe. Janë në lirinë e tyre të dëgjojnë siç u bëjnë veshët apo kur nuk e dinë diçka, të mos përpiqen as ta mësojnë. Janë në punën e tyre që ta bëjnë punën duke shkelur me këmbë çdo normë e rregull bazik, të një profesioni aq fisnik e të vështirë njëkohësisht.

Por as ata – dhe këtu nuk flas, siç nuk fola as sot thjesht për gazetarët e terrenit, po e kisha dhe kam me të gjithë ata që lirinë e pushtetit të medias janë mësuar ta përdorin si armë, për të “vrarë e prerë”, pa teklif e as karar – dhe as kushdo tjetër, nuk më ndalon dot mua të shpreh opinionin tim; qoftë për turpin që i mbetet kujtdo që e shtrembëron, shkel apo shkatërron të vërtetën nga pozitat e gazetarit, duke më vënë në gojë gjëra që s’i kam thënë dhe jo vetëm; qoftë për paditurinë që shfaqet brutalisht nga mëngjesi deri në darkë, si liri dhe e drejtë për të dhunuar lirinë e të drejtat e tjetrit, në emër të profesionit (kur je gazetar je ëngjëll, kur je politikan je djall, prandaj o burra bjeri t’i biem kujt të duam se brenda jemi); qoftë për transformimin e urës së komunikimit mes politikës e publikut, në një grykë thashethemnaje frenetike, ku nuk e merr vesh i pari të dytin!

Kështu që kush është ndjerë i ofenduar, të mos keqkuptohet. S’kam ofenduar askënd dhe s’ka asgjë për t’u ofenduar. Thjesht dikush, unë në këtë rast, u ka thënë në mexhelis se çfarë mendon për punën që kanë bërë tërë këtë javë, në raport me qëndrimet e mia e të Partisë Socialiste.

Vetëm një gjë: Le ta pyesin njëherë publikun se çfarë mendon për ta, se kushedi u del që unë them atë që shumica e popullit nuk ka mikrofon t’ua thotë”-përfundon Rama.

Përmes një reagimi në ‘Facebook’, UGSH i cilëson deklaratat e kryeministrit arrogante, duke thënë se në mënyrë të përsëritur ai përdor publikisht etiketime fyese dhe injoruese ndaj mediave e gazetarëve. UGSH iu bën thirrje gazetarëve të bojkotojnë veprimtarinë e kryeministrit ditën e premte.

Q.Xhani

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?