Deputetët zbarkojnë në zonat e përmbytura, shtyhet raportimi i Nikollës për ligjin e arsimit të lartë
Komisioni Parlamentar i Edukimit shtyu për të mërkurën raportimin e Ministres së Arsimit Lindita Nikolla lidhur me ligjin e arsimit të lartë, pasi kjo e fundit nuk u paraqit në mbledhjen e sotme për shkak të emergjencës me përmbytjet.
Mbyllja në kohë të shpejtë të mbledhjes u kërkua edhe nga deputetë të Fierit dhe Vlorës në këtë komision, të cilët kërkuan të gjenden pranë banorëve të tyre.
Albana Vokshi: Në rakordim dhe të orareve të Ministres, të mërkurën do t’iu njoftojmë për orarin se kur do të zhvillohet. Përtej asaj që përmbytjet prevalojnë mbi çështjen e asaj që do të diskutohej sot, ligji për arsimin e lartë, unë do të doja që mos ta shtynim përtej kësaj sepse jo vetëm është futur në kolaps i gjithë sistemi i arsimit të lartë por ligji i miratuar ka shkaktuar jo vetëm konflikte kompetencash por çdo ditë po shkakton konflikte fizike në Rektorate. Do të doja që Ministrja të paraqitet të mërkurën, të mos vazhdojë të shkelë në mënyrë sistematike rregulloren dhe Kushtetutën dhe të ndërhyjë sa më parë të zgjidhë konfliktet që ajo vetë me ligjin e miratuar ka shkaktuar. Falenderoj deputetët që kanë ardhur nga zonat e përmbytura. Nëse keni probleme në zonat tuaja dhe nuk mund të vini nesër të komunikojmë me Milvën dhe mua sepse nëse do të duhet mund të shtyjmë dhe mbledhjen e nesërme ku është thirrur në dëgjesë drejtori i televizionit dhe kryetari i këshillit drejtues. Na njoftoni që të bëjmë njoftimet përkatëse dhe për drejtuesit e RTSH.
Luan Baçi: Më “vjen mirë” që Ministrja nuk ka ardhur, gjendja në Fier është në gjendje të vështirë përmbytje. Ka dalë lumi Vjosa. Mbledhjet e komisioneve në situata të tilla duhet të jenë shumë të shkurta ose të shmangeshin fare. Në fatkeqësi natyrore duhet të jemi të gjithë bashkë. Do ju kërkoj ndjesë për largimin tim drejt zonave të përmbytura.
Shezai Rrokaj: Padyshim që edhe Ministrja do të jenë në zonat që janë përmbytur. Ka një emergjencë kombëtare që prevalon mbi çdo punë tjetër. Nuk është se ky ligj u vonua një javë, gati tre vjet po mbushen dhe Universitetet janë në kolaps. Pse e shtyjmë për një herë tjetër nuk ka ndonjë gjë. Unë mendoj ta mbyllim dhe mos ta zgjasim sepse edhe ne duhet të ikim në zonat tona.
Deputeti i PS: Shqipëria po përmbytet është në rrëshqitje dhe nuk po na rrëshqet ligji i arsimit të lartë. Zona ime elektorale Mallakastra është pa drita. Kemi kohë dhe do të gjejmë kohën e plotë për ligjin.
KOHA JONË SONDAZH

