Deputeti i LSI-së: Pse inkriminimi i ish-ministrit Tahiri nuk e dekriminalizon shtetin
Deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj me anë të një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut parashtroi disa teza lidhur me faktin se duke inkriminuar ish-ministrin Saimir Tahir, largohet vëmendja nga kriminalizimi i shtetit.
Rrokajt thekson se të gjithë e dinë se tonët e drogës në Shqipëri, nuk mund të prodhoheshin vetëm nga Saimir Tahiri me kushërinjtë e vet.
Shezai Rrokaj në Facebook:
Pse inkriminimi i ish-ministrit Tahiri nuk e dekriminalizon Shtetin.
Pas dosjes së bujshme të Katania-s, e cila evidentonte me zë e me figurë inkriminimin e ish-ministrit të brendshëm, gjithë retorika politike është orientuar tek individualizimi i krimit nëpërmjet figurës së Saimir Tahirit. Por të gjithë e dinë se tonët e drogës në Shqipëri, nuk mund të prodhoheshin vetëm nga Saimir Tahiri me kushërinjtë e vet. Kanabizimi i Shqipërisë dhe kriminalizimi i Shtetit shënjestron të gjitha pushtetet me në krye pushtetin e timonierit, që me sa duket s’ka tepsi dhe kazan që e mbush më. Fokusimi dhe përqendrimi i gjithë fajit tek një person, qoftë edhe i rëndësisë së ish- ministrit, është alibi e përsosur për t’i ikur fillimisht fajësisë shtetërore, e cila është e kriminalizuar prej qeverisë në të katërtat pushtetet e saj. ‘Kurbani’ Tahiri duket se po ia del fillimisht të mbajë ‘të pastra’ pushtetet e tjera me në krye kryepushtetin qeveritar. Pasi të ‘rezultojë’ i pastër pushteti i Ramës dhe pushtetet e tjera sejmene rreth tij, do të fillojë ‘tē pastrohet’ edhe imazhi i Sajmirit, ku, pas pak kohe, pritet që kushërinjtë të pohojnë se Sajmiri nuk hyn fare në këtë aferë, dhe se gjithshka që ka të bëjë me të është trillim i tyre. Ku jemi? Asgjëkundi! Vetëm tym! A do të vazhdojnë sërish shqiptarët të mbeten peng të pavetëdijes së tyre, duke e mbajtur ngaherē mbi shpinë dramën që luhet me fatin e tyre?
KOHA JONË SONDAZH

