“Deti”, Vasili: Rama e tha qartë se s’ka nevojë për Gjykatë Kushtetuese
Kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka reaguar në lidhje me deklaratat e Ramës në lidhje me marrëveshjen e Detit me Greqinë.
Vasili në një postim në Facebook shkruan se janë disa pyetje që kanë mbetur pa përgjigje në lidhje me bisedimet me Greqinë.
Postimi i plotë i Petrit Vasilit
“Fake” patriotizmi i Edi Ramës dhe disa pyetje pa përgjigje për Marrëveshjen e Detit.
Dje lidhur me marrëveshjen e detit në një studio televizive Edi Rama tha:
“parlamenti është sovran në këtë pikë. Nëse do të realizojmë një marrëveshje sigurisht që ne do ta kalojmë në parlament, dhe pastaj Gjykata Kushtetuese vërtetë sot nuk mund të gjykojë, por ajo është e hapur. Kush ka pretendime mund të regjistrojë pretendimin, mund ta depozitojë çështjen, dhe në momentin që bëhet funksionale, ajo mund ta rimarrë çështjen”
Pra kryeministri dikur i shfaqur patriot zemërçjerrë lidhur me Marrëveshjen e Detit, sot do që të ecë përpara sipas parimit “Topi bam e Muçua tutje”.
Dihet publikisht, që kjo marrëveshje ka detyrim të pakapërcyeshëm që të respektojë pikë për pikë Vendimin e detajuar të Gjykatës Kushtetuese. Vendim, që ka lindur pas ankimimit të partisë socialiste të Edi Ramës në atë kohë e cila ndërmori një fushatë transparence publike intensive dhe e paraqiti Vendimin e Gjykatës Kushtetuese si fitore të saj.
Pra linja udhëheqëse, parimet pikat e panegociueshme u vendosën qartë në atë Vendim që përbën sot njëe normë kushtetuese të pakapërcyeshme.
Sot Edi Rama thotë qarte që s’ka nevojë fare për Gjykatën Kushtetuese sepse jam unë në pushtet.
Por në 13 nentor 2012 po ky Edi Ramë ,atëherë në opozitë, deklaronte:
“Qeveria shqiptare nuk duhet t’i bëjë bisht në asnjë mënyrë detyrimit për të bërë çdo gjë që ka në dorë në funksion të zgjidhjes së këtij problemi, ashtu siç e imponon vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sensi historik dhe ai i së drejtës, por edhe apeli i së ardhmes.”
Në 2012 Edi Rama pra i kujtonte pa u lodhur qeverisë së kohës imponimin që vinte nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa sot thotë të kundërten.
Cfarë arsye e errët e shtyn të nxitojë?
Pse Gjykata Kushtetuese qe dje ishte instrumenti i tij zgjedhur, sot është për të një prezencë e bezdishme?
Pse transparenca për këtë marrëveshje delikate dhe që ai dje e ndau me publikun, sot është një fjalë e urryer për të?
Përse të mos e presim formimin e Gjykatës Kushtetuese sot, ashtu siç e pati ai dje instancën ligjore të verifikimit kushtetues?
Kush ja kërkon ketij anashkalimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me çfarë çmimi?
Fake patriotizmi i Edi Ramës absolutisht nuk mund t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.
Dashuria Fake e Edi Ramës për Gjykatën Kushtetuese sigurisht s’ka përgjigje për këto pyetje.
Respekti Fake i Edi Ramës për shtetin ligjor natyrisht ja bën zero mundësinë e përgjigjeve.
E sigurtë është që Edi Rama nuk është Fake kur merr angazhime të tjerëve…. që janë e kundërta e këtyre pyetjeve.
KOHA JONË SONDAZH

