Duma: Qeveria manipulon të dhënat, Prokuroria “dele”
Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma e ftuar në studion e Ora News, thotë se mazhoranca aktuale qeveris me batuta dhe manipulim të dhënash, ndërsa Prokurorinë e konsideron si “dele”.
“Ne kemi komunikimin, fjalën, denoncimet, ata kanë mjetin, dhunën, presionin, manipulimin. Kur jemi në një pseudo-demokraci, mjeti i vetëm i diktaturës është të manipulosh të dhënat dhe të dalësh nëpër ekrane dhe të japësh batuta dhe të qeverisësh me batutaxhinj. Njëri thotë artisti, tjetri thotë aktori. Prin veprimin e prokurorisë dhe prokuroria si një dele, krejtësisht e ç’integruar, çfarë thotë kryeministri e bën realitet ekzaktësisht ashtu. Nuk ka gjë më të pacipë për sa i përket guximit. Këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë nivel të sofistikuar. Këtu u thuhet njerëzve, unë jam kryeministri, jam kryeprokuror dhe unë i them një komisari policie horr”- u shpreh deputetja demokrate.
Grida Duma tha gjithashtu se Shqipëria ndodhet në një momentum të historisë të ngjashme me Kamorrën e Italisë së Jugut, duke nënvizuar se tanimë metastazat e krimit kanë kapluar shtetin.
“Jemi përballë një situate e cila është krizë kombëtare. Është në misionin e Partisë Demokratike të tregojë se nuk kemi shtet, ka rënë shteti. Tashmë, grupet kriminale janë në metastazat e veta në krye të institucioneve shqiptare. Çdo qytetar që jeton në Shqipëri është i pasigurt për asgjë. Sot çdo qytetar nuk është më i sigurt se në qoftë se i shkon kundër vullnetit të një grupi mafioz, që fillon nga vrasjet e rëndomta në Bllok ku mund të qëndrojë çdo njeri i ndershëm, deri tek ata që gjykohen me gjyqe popullore që kapen me 3 gram hashash dhe shkojnë në burg dhe nuk kapet asnjë kapo dhe asnjë drejtues i organizatave kriminale nuk shkon në burg. Po kthehet miti i të fortit pa asnjë vlerë dhe njerëzit sot kanë ulur kokën. Mendojnë brenda tyre për renë e zezë që ka sot vendit dhe nuk arrijnë të kuptojnë se si ka mundësi që kjo metastazë është shtrirë gjithë andej.
Partia Demokratike sot është një mision edhe historik (nuk është patetike ta them këtë) të tregojë një momentum të keq të historisë të Shqipërisë, që i ngjan Kamorrës së Italisë së Jugut, mafies së jugut, me të cilët ne duhet të tregojmë qartazi se nuk mund të përballemi si një krim ordiner. Kemi të bëjmë me shtetin e inkriminuar. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një video. Është maja e një infeksioni, ku njerëzit shikojnë se me cilën fytyrë, cilën pamje vlerëson drejtësia shqiptare. Gjykata shqiptare kishte marrë atë njeri si themeli i çështjes, po nga ana tjetër Agron Xhafa sot është e paditur se ku është. Rezultati është që një i dënuar, siç vëllai i ministrit të Brendshëm shkoi brenda natës në Itali”- tha Grida Duma.
KOHA JONË SONDAZH

