DW: Varësia e ekonomisë gjermane nga Kina është më e madhe se e gazit nga Rusia

Ishte i dhimbshëm dhe i shtrenjtë zgjimi për varësinë energjitike gjermane ndaj Rusisë. Por mpleksjet ekonomike me Kinën janë shumë më të mëdha dhe intensive. Shkëputja e modelit të ekonomisë gjermane nga Kina duhet të jetë shumë më e vështirë se heqja dorë nga energjia e lirë nga Rusia. Në të njëjtën kohë ngrihen konflikte të reja, sidomos në kthesën energjitike. Psh. në të ardhmen në Gjermani do të duhet që panelet diellorë në çati të prodhojnë më shumë energji ekologjike. Por një lëndë e rëndësishme e këtyre paneleve është polisiciliumi. 40% e prodhimit botëror të kësaj lënde vjen nga Kina, pikërisht nga provinca Ksinjang, atdheu i ujgurëve të shtypur.

Wolfgang Niedermark, drejtor për Azinë në Shoqatën Federale të Industrisë Gjermane, BDI pranon në bisedë me DW, se “sidomos në sektorin e lëndëve minerale ekziston pjesërisht një varësi strategjike dhe e rëndësishme ndaj Kinës”. Ai kërkon që të kemi nën kontroll këtë varësi dhe të investojmë në partneritete të tjera. Niedermark thotë se “po mësojmë me luftën në Ukrainë, dhe zbulimet e fundit nga Kina, se në mënyrën e veprimit me autokracitë nuk ka siguri”. Por sipas tij edhe në të ardhmen do duhet “të vazhdojmë të bashkëpunojmë ekonomikisht me vende që nuk janë demokraci liberale. Vetëm kështu BE mund të mbetet një aktore globale në shkallë ndërkombëtare dhe e fortë.”

Kush është i varur nga kush?

Swiss Digital Desktop Reklama

Në të vërtetë është Kina ajo që është shumë më e varur nga tregu europian se Europa. Këtë e thotë Jörg Wuttke, presidenti i Dhomës Europiane të Tregtisë në Kinë. Ai i njeh faktet dhe të dhënat. “Ne eksportojmë përditë mallra në vlerë 600 milionë euro drejt Kinës. Kinezët eksportojnë në ditë mallra në vlerë 1,3 miliardë euro drejt Europës”, thotë Wuttke për DW. Por tek investimet është ndryshe. Koncernet e mëdha të automobilëve, sektori kimik, ai i makinerive janë pozicionuar fort në Kinë dhe prodhojnë për Kinën në tregun kinez. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, tërësia e investimeve direkte gjermane në Kinë është 86 miliardë euro. Kaq shumë angazhim e vështirëson shkëputjen. “Do të mbyllim fabrikat tona?” pyet Wuttke. Investimet kineze kanë qenë shumë fitimprurëse vitin e kaluar, sipas ekspertit. “Ky përfitim ka mbështetur kurset e aksioneve në vendin tonë dhe ka krijuar vende pune.” Janë miliona vende pune në Gjermani që varen nga investimet kineze.

Swiss Digital Mobile Reklama

Por toni nuk ka ndryshuar vetëm në perëndim. “Decoupling” është edhe politikë e Kinës. Sidomos që kur firmat teknologjike kineze duhet të punojnë pa chipat e rëndësishëm për shkak të sanksioneve amerikane. Në mars 2021 Kina në planin e 14-të pesëvjeçar të saj përcaktoi një kurs të qartë të “zvogëlimit të varësisë nga bota dhe në fund të arrihet një masë e madhe e pavarësisë në vend”, shkruan Dhoma Europiane e Tregtisë në një dokument të saj për Kinën.

Duket se bota globale po shpërbëhet gjithnjë e më shumë. Vetëm mund të presësh me interes, se çfarë përgjigjesh për strategjinë ndaj Kinës do të gjejë qeveria gjermane. (Marrë me shkurtime nga DW)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?