Edi Rama: Nga 1 shkurti nisin ndëshkimet
Kryeministri Edi Rama zhvilloi në Fier një takim me drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit në këtë qytet për të diskutuar mbi reformën e ujit. Gjatë fjalës së tij, Edi Rama kërkoi nga drejtuesit e këtij sektori të njoftojnë qytetarët se mundësia e amnistisë është deri në 1 shkurt.
Pas kësaj date ai premtoi se do të ketë ndëshkime shumë të rënda.
“Është shumë e rëndësishme, që të kemi më shumë komunikim në këtë muaj, pasi siç e kemi bërë të qartë në 1 shkurt përfundon “ koha e paqes” në kuptimin e mundësisë për çdo konsumator që përfiton nga lidhjet e paligjshme për t’u legalizuar falas dhe pa pasur më asnjë detyrim për ujësjellësit. Dhe fillon një proces ku pastaj çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit. Është shumë e rëndësishme që t’iu bëhet e qartë të gjithë punonjësve të shtetit, të gjithë atyre që paguhen nga taksat e popullit ,qoftë edhe në nivelin qendror, qoftë edhe në nivelin vendor duhet të paraqesin faturën. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me bizneset, por kryesorja në këtë rast është që bizneseve t’u bëhet e qartë që nuk do të falen dhe do të kenë sanksione shumë të renda për vjedhjen e ujit”,- tha Kryeministri.
Kryeministri u shpreh se dëmin më të madh në këtë sektor e bëjnë bizneset dhe e cilësoi këtë si një turp. “Janë bizneset që bëjnë dëmet më të madha. Biznese që deklarojnë që furnizohen me pus dhe në fakt janë të lidhur në mënyrë të paligjshme rrjetin e ujësjellësit. Turp më të madh nuk ka. Është krim dhe si çdo krim duhet ndëshkuar. Kuptohet sfida më e madhe është fshati . Aty ku uji i pijshëm përdoret edhe për ujitje, që është një skandal më vete, por duhet një fushatë intensive këtë muaj komunikimi për t’ju sqaruar dhe për t’ju thënë që kjo gjë nuk mund të vazhdojë të tolerohet më dhe për këtë arsye është mirë që të gjithë të legalizojnë lidhjet e tyre. Të gjitha këto bëhen që të kemi më pak shpenzime për të kompensuar humbjet dhe më shumë investime. Më shumë investime përkthehen në më shumë më tepër cilësi shërbimi, që do të përkthehet më shumë më tepër ekonomi në fund të fundit”,- tha Edi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

