Erion Veliaj: Kemi ndërtuar 40 shkolla të reja në Tiranë, do të ndërtojmë edhe 10 të tjera
Buqetës së shkollave të reja që do të hapen në shtator, i shtohet edhe një tjetër në zonën e njohur si Medreseja, në “Rrugën e Dibrës”. Në truallin e ish-ndërtesës së vjetër të UKT-së, Bashkia e Tiranës po punon për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare, e cila do të shërbejë edhe për ciklin parashkollor.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi kantierin e ndërtimit, ku nënvizoi se me shkollat e reja që po ndërtohen merr zgjidhje edhe çështja mësimit me dy turne.
“Këtë shtator hapim një buqetë shkollash të reja. Këtu më parë ka qenë godina e vjetër e UKT-së, në të cilën po ndërtojmë një shkollë pranë zonës së Medresesë. Me mundësinë që na dha Rindërtimi pas tërmetit, sot kemi një shkollë të re këtu, një tjetër në fillim të “Rrugës së Dibrës”, kurse te kthesa e parë në rrugën “Siri Kodra” kemi një shkollë tjetër. Pra, me këto 3 shkolla të reja praktikisht zgjidhet i gjithë segmenti i “Rrugës së Dibrës”, që është një nga zonat, jo vetëm më të vjetra, por edhe më të populluara të Tiranës, që do të vazhdojë të rritet”, tha ai.
Veliaj theksoi se deri më tani në kryeqytet janë 40 shkolla të reja, ndërkohë që shumë shpejt do të shtohen edhe 10 të tjera, për t’i dhënë fund mësimit me dy turne. Kreu i Bashkisë nënvizoi se ndërtimi i institucioneve të reja arsimore ka rritur vlerën e pronës së qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

