Europol për drogën, PD: Prioriteti i Ramës, vendi në BE kur…
Europol në një raport të fundit, e cilëson Shqipërinë si burimin kryesor të kanabisit të trafikuar në BE.
Partia Demokratike, në një reagim nga selia blu, nëpërmjet deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, pohon se qeveria është burim droge dhe se ky është prioriteti i kryeministrit Edi Rama. Mes të tjerash deputeti theksoi se Shqipëria u bë burim i pastrimit të parave, ndërsa shtoi se vendi do të futet në Bashkimin Europian kur të inkriminuarit të dalin para drejtësisë.
Sipas PD, droga dhe krimi janë arsyeja kryesore që vendit tonë i mohohet prej tre vitesh hapja e negociatave të anëtarësimit. ”Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian kalon vetëm nga nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vagjush Dakos, Qazim Sejdinit, Agron Xhafës, Habilajve dhe Balilajve me shokë”, përfundon deklaratën e tij, Enkelejd Alibeaj.
Europol është agjencia kryesore e BE-së për zbatimin e ligjit dhe luftën kundër drogës dhe trafiqeve.
Fjala e plotë e Alibeajt
Më 6 Dhjetor, ditën kur Edi Rama fajësoi opozitën se po i nxinte faqen vendit me akuzat për drogën, EUROPOL konfirmoi se Shqipëria vazhdon të mbetet burimi kryesor i trafikut të kanabisit në Bashkimin Europian. EUROPOL eshte agjensia ligjzbatuese që mbështet 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Raporti i tij thotë se:
1. Tregu i drogës në Bashkimin Europian është 24 miliardë euro,
2. Se kanabisi përbën pjesën më të madhe të tregut që kontrollohet nga organizitatat kriminale,
3. Se Shqipëria është burim kryesor i trafikut të kanabisit dhe
4. Dhe se pastrimi i parave nga tregtia e drogës është rritur.
Raporti i EUROPOL rikonfirmon se nuk është opozita ajo që po i nxin faqen vendit, por është qeveria e Edi Ramës që ka lejuar dhe ka përfituar nga trafiku i kanabisit drejt Europës.
Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë vendi kryesor mikpritës i biznesit për shkak të taksave të ulëta, lehtësive ligjore, luftës kundër korrupsionit dhe sigurise juridike! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit!
Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë një nga vendet e Ballkanit jo vetëm anëtar i NATO-s, por edhe një vend që negocionte për anëtarësim në Bashkimin Europian! Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit!
Shqipëria në 4 vjet të Edi Ramës u bë burim i pastrimit të parave nga tepsia e madhe e parave të drogës, pjesën më të madhe të së cilës e zotëron Edi Rama. Dhe këto para duhen larë e pastruar për të financuar blerje të reja politikanësh e votuesish. Droga dhe krimi që Shqipëria eksporton në Bashkimin Europian janë arsyeja kryesore që Shqipërisë i mohohet prej tre vjetësh hapja e negociatave.
Vendet e Bashkimit Europian po kërkojnë përditë luftë kundër drogës dhe krimit të organizuar dhe nxerrjen para drejtësisë të të paprekshmëve. Ato po e thonë fare qartë se nuk do t’i hapin negociatat, nëse në Shqipëri nuk shkatërron organizatat kriminale të trafikut dhe nese nuk nxirren para drejtësisë politikanët që e lejuan dhe bashkëpunuan me krimin. Rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian kalon vetëm nga nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vagjush Dakos, Qazim Sejdinit, Agron Xhafës, Habilajve dhe Balilajve me shokë.
KOHA JONË SONDAZH

