Goditi kryeministrin me vezë, Balla: Kallëzim Penal për Endri Hasën

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi gjatë fjalës së tij në seacnën parlamentare se deputeti i Partisë Demokratike, Endri Hasa, i cili qëlloi me vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, bazuar në Kodin penal do të kallëzohet penalisht për shpërdorim detyre dhe goditje për shkak të detyrës.
Sipas Ballës, akti i deputetit të PD-së është i turpshëm dhe se Partia Demokratike duhet të kërkojë ndjesë për aktin e turpshëm të deputetit Hasa.

Fjala e plotë e Taulant Ballës:
Siç njoftojnë mediat zotëria ka qenë në transmetim live në pjesën më të madhe të atyre televizioneve që kanë hapsirë televizive për të transmetuar. Kjo është qesharake, jemi bërë si një kopësht fëmijësh me kërkesa të tilla, që ndërprite fjalën ku i kërkohe Kryetarit të Kuvendit të përcaktojë regjinë e televizioneve private nëse jepet apo nuk jepet kryetari i opozitës duke folur në Parlament. Kjo nuk është normale.
Është e rëndë ajo që një përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të PD-së ka bërë sot në seancën e Kuvendit. Kemi qenë të gjithë këtu në Parlament, por kurrë zotërija atje që ka qenë kryeministër të jetë goditur në atë formë nga një deputet i opozitës. Do ti kërkoja PD-së sëpari të kërkojë ndjesë për aktin e turpshëm. Dua tju informoj se ndaj deputetit në fjalë bazuar në Kodin penal do të depozitojmë një kallëzim penal, qoftë për shpërdorim detyre, qoftë dhe goditje për shkak të detyrës ndaj deputetit Endri Hasa.

KALLËZIMI I PS:

Swiss Digital Desktop Reklama

 Drejtuar:  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë

Swiss Digital Mobile Reklama

Baza ligjore : Neni 283, 74 dhe 76.1 te  Kodit të Procedurës Penale

Objekti : Kërkohet ushtrimi i ndjekjes penale për veprat penale të «  Goditjes për shkak të detyrës » dhe « Shpërdorimit të detyrës »,  të parashikuara përkatësisht   nga  neni 237 dhe 248  të Kodit Penal.

Kundër : Endri Hasa, deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.

I /e nderuar zoti prokuror

Sot më datë 20.12.2018, Kuvendi i Shqipërise ka nisur seancën plenare të kësaj date sipas rendit përkatës, rend i cili u është bërë me dije paraprakisht të gjithë deputetëve, përfaqësues të grupeve të ndryshme parlamentare.

Në nisje të seancës plenare, leximin e rendit të ditës dhe emrat të diskutantëve nga Kryetari i Kuvendit z. Ruçi, fjala i është dhënë Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama.

Për rendin e ditës së mbledhjes plenare dhe për kohën e diskutimit për secilin nga grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, ishte rënë dakort paraprakisht në Konferencën e Kryetarëve,  të zhvilluar vetëm një ditë më parë, datë 19.12.2018.

Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, ka marrë fjalën dhe po fliste nga podiumi i sallës së seancave plenare, përballë tij, përballë foltores, ka shkuar i kallëzuari Endri Hasa,  deputeti i Partisë Demokratike, deputet i Qarkut Elbasan dhe e ka qëlluar me vezë , duke konsumuar kështu një akt të ulët dhe tejet vulgar.

Forcat  e sigurisë së Kuvendit, kanë neutralizuar të kallëzuarin nga kryerja e veprimeve të mëtejshme të dhunës dhe ndërkohë Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi, në zbatim të Rregullores së Kuvendit, neneve 62, 63.64 dhe 65.2 të saj, i ka komunikuar të kallëzuarit përjashtimin nga seanca plenare, ndalimin për të marrë pjesë në punimet në seancë plenare dhe  komisione parlamentare për 10 ditë.

 

I kallëzuari Endri Hasa, pasi ka qëndruar edhe për disa minuta të tjera përballë forcave të sigurisë që kanë ndërhyrë menjëherë në momentin kur ai goditi me vezë në drejtim të Kryeministri, është larguar prej aty për në vendin e tij, por pa u larguar nga salla.

Kryetari i Kuvendit, i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur të lërë sallën duke lejuar zhvillimin e mëtejshëm të punimeve, pasi Byroja e Kuvendit e mbledhur, menjëhërë pas ngjarjes kishte vendosur zbatimin e masës së parashikuar nga neni 65.2 të Rregullores  së Kuvendit ndaj deputetit Endri Hasa. Deputeti nuk  është bindur  duke vijuar të mbajë të bllokuar zhvillimin e rregullt të  punimeve të Kuvendit.

Nga fakti i parashtuar më lart, rezulton e qartë se nga ana e të kallëzuarit Endri Hasa, janë konsumuar elementë të dy veprave penale,  “Goditjes për shkak të detyrës “ dhe “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 237 dhe 248 të Kodit Penal.

Goditja e Kryeministrit sic u përshkrua më lart, është kryer qartësisht për shkak të detyrës publike që mban z. Edi Rama, Kryeministri i zgjedhur i Republikës së Shqipërisë .

Ky veprim i shfaqur tanimë publikisht, i regjistruar nga kamerat e sigurisë së Kuvendit dhe ato të mediave të instaluara në sallë, dënohet si krim nga legjislacioni ynë penal.

Sigurisht që është një veprim i patolerueshëm, një akti mirëfilli rrugaçërie që duhet të ndëshkohet maksimalisht sipas sanksionit që ligji penal parashikon në nenin 237 të Kodit Penal.

Mandej, hyrja në Kuvend e të kallëzuarit, me objekte e sende që nuk lejohen, vijimi i qëndrimit  në sallën e Kuvendit me qëlllimin e qartë bllokimin e punimeve edhe  pas vendimit të Byrosë së Kuvendit dhe kërkesës së Kryetarit të Kuvendit të përsëritur disa herë deputetit të linte sallën, përbëjnë elementë të një vepre tjetër penale, sic është “Shpërdorimi i detyrës”.

I kallëzuari Endri Hasa , duke shfrytëzuar cilësinë e qënies deputet ka hyrë në Kuvend me sende që nuk lejohen, sikundër po në bazë të kësaj cilësie nuk iu është bindur dhe forcave të sigurisë së Kuvendit për ta përjashtuar nga seanca të kallëzuarin.

Veprat penale të mësipërme, prekin drejtpërdrejt disa marrëdhënie juridiko penale e që nga ligjvënësi jane vendosur qoftë për të garantuar nderin dhe  dinjitetin e një personi në funksion publik sikur  është Kryeministri, ashtu dhe jetën e shëndetin e tij që eventualisht për shkak të detyrës mund të vihen në rrezik nga veprime të kundërligjshme, të kundërshtarëve politikë apo të tjerë.

Në të njëjtën kohë, nga i kallëzuari Endri Hasa, janë cënuar dhe ato marrëdhënie juridiko penale që sigurojnë kryerjen, sjelljen konform ligjit me detyrën publike.

Në rastin konkret, sjellja e paprinciptë e të kallëzuarit, bie ndesh me detyrën e një të zgjedhuri, një funksionari publik, që pikërisht pse është i tillë,  duhet të respektojë të gjitha rregullat e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë për të lejuar zhvillimin normal të seancave plenare dhe  komisioneve parlamentare.

 

Per sa më lart, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, kërkon ushtrimin menjëherë të ndjekjes penale ndaj deputetit Endri Hasa, procedimin e tij sipas ligjit procedurial penal, për veprat penale të parashikuara nga nenet 237 “Goditje për shkak të detyrës”  dhe 248 “Shpërdorimit të detyrës” të Kodit Penal.

Bashkëlidhur këtij kallëzimi, ju vëmë në dispozicion CD me kopje të pamjeve filmike nga seanca plenare  e nisur më datë 20.2.2018, urdhëra të Kryetarit të Kuvendit për zhvillimin e kësaj seance si dhe vendimin e Byrosë së  Kuvendit për përjashtimin nga punimet në seancë plenare dhe komisione parlamentare për 10 ditë të deputetit Endri Hasa.

Tirane me 20.12.2018

 Kryetari  I Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

 z.Taulant Balla

 

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?