Gomarllëqet…

FEJTON nga Thoma Goga

E çuditshme, po e vërtetë. Gomarllëqet i bëjnë njerëzit dhe “autorësinë” ua ngarkojnë gomerëve. Po ç’keni me kafshën e gjorë që zoti e ka bekuar për punë? U ka dalë ca nami se janë “të trashë”. Me një fjalë, s’kanë aq mendje. Mbase ju nuk e keni dëgjuar këtë rrëfenjë. Po fundja, në e paçi dëgjuar, dëgjojeni edhe një herë se nuk është gomarllëk. Në sheshin qendror të pyllit mblidhen kafshët për të ndarë “pasurinë vetjake”. Larg, në hyrje të pyllit, zoti kishte shkarkuar disa kazanë të mëdhenj. Të mbyllur me kapak, por të pavulosur me vula doganore dhe pa stampën e BE. Po kush do i sillte deri në qendër të pyllit? Për këtë punë ishin gomerët. Duke mbajtur fort kazanin e parë, të dy gomerët nuk i hëngri meraku se ç’kishin kazanët brenda. “Paria” e pyllit; Luani, Elefandi, Ariu, Ujku e Çakalli filluan të hapin kazanin. Brenda kishte TRU. Filluan t’u jepnin të gjitha kafshëve, aq sa u takonte. Gomerët i lanë për në fund. Po fundi si fundi. Nuk mbeti asnjë thërrime TRU. Dhe gomerëve u doli nami se nuk kanë tru. Që këtu doli fjala: “Kur u ndanë, aq u ranë…”. Pastaj shkuan të merrnin të tjerë kazanë. “Le të bëhet nami”, thanë gomerët dhe hapën kazanin. Kishin hall se mbeteshin pa gjë. Brenda kishte një vegël të gjatë si matrapik që gomerëve u hynte shumë në punë. Prandaj dhe sot e kësaj ditë, gomerët krenohen me “matrapikun” e tyre…

Nejse. Sa gomarllëqe bëhen në këtë dynja! Sikur t’i mblidhje të gjitha, vetë gomerët e botës do çuditeshin. Edhe për këtë s’kanë faj. Ja, fjala vjen, ngrihet një deputet në parlament e nxjerr gjuhën para mendjes. Flet përçart. Hidhet një i marrë nga krahu tjetër dhe vërvit të tjera gomarllëqe. Jam i bindur se, po të ishte vetë gomari, nuk do bëhej gazi i botës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një fshatar e çoi djalin në shkollë të lartë. Në fakt djali kishte pak problem me mendjen. Po plaka nguli këmbë që edhe djali i tyre “të bëhej i madh”. Pastaj të dy pleqtë, me mundime të mëdha, i kryenin vetë punët e bujqësisë e blegtorisë. Kur djali i kthye për pushimet e dimrit, i ati kishte ndërtuar një kasolle të re për lopët. E po edhe ato duan kujdes se rob zoti janë. Kollaj t’u marrësh qumështin, viçin, mishin. Djalit i pëlqeu streha e re e lopës. Falenderoi dhe babanë për “arkitekturën” e kasolles.

Swiss Digital Mobile Reklama

– Si të duket?- pyeti babai.

– E mirë, e mirë po më bën përshtypje një gjë. Shikoj një bajgë atje lart, ngjitur tek trari. Çudi, si paska hipur lopa për ta bërë atje bajgën?!

I ati tundi kokën e iu kthye të birit.

– Ti nuk ke koqe mendje, o bir. Se këtë gomarllëk, që thua zotrote, edhe gomari ynë nuk e bën. Ndaj kthehu të na bëhesh krahë për punët e bujqësisë.

Mirëpo plaka ishte në “opozitë” me plakun. Donte ta shkollonte. Kushedi sa viça e kaponj deti rritën. Ther e ço me trasta në shkollë që djali të merrte provimet. Po djali, në vend që të shkollohej, u shkallua…Mjerë mileti po qe “bërë i madh”…

Një rast tjetër. Ka ndodhur këto kohët e fundit. Vjen ambasadori i një vendi fqinjë e “shkund thesin” me gomarllëqe. Dhe ku? Mu në mes të Shkodrës. Ju garantoj o miqtë e mi, se edhe gomari i Çeços tim nuk do fliste ashtu.

Le të sjellim në mendje një “lajm të rrallë”. Ju kujtohet ai ministri që premtoi se “do sillte eshtrat e Ismail Qemalit nga jashtë”? Hajde gomarllëk, hajde! Ndërkohë Babai i Pavarësisë prehej i qetë atje ku e ka vënë historia, atje ku ngriti flamurin.

E nejse. Gomarllëqet s’kanë të sosur dhe ato i bëjnë njerëzit që perëndia u dha një çikëz mendje. Më thoni një rast të vetëm, kur të ketë bërë një gomarllëk, qoftë dhe një gomar i vetëm. S’ka asnjë rast, mos e lodhni fiqirin. Mua një natë s’më merrte gjumi. Siç duket isha ca i lodhur nga punët atje në stanin tim, ku kam plot gomerë. E dini ku më shkoi ajo një çikë mendje që më ka rënë në pjesë? Punët në këtë “stanin e madh” të vendit tonë nuk po na shkojnë hiç mirë. Mbase ngaqë nuk i terezisin mirë punët disa nga ata që drejtojnë. Prandaj “pjellin” gomarllëqe. Dhe unë atë natë “polla” një gomarllëk pa zarar. Nga ato që nuk prishin punë e që nuk shiten në pazar. I rashë kalemit kështu; meqënëse gomarllëqet i bëjnë njerëzit dhe ua faturojnë gomerëve, pse të mos vëmë në ca vende drejtuese gomerë. Ju garantoj o miqtë e mi, se “stani i madh” nuk do të ketë fare gomarllëqe.

Ja këtë gomarllëk “polla”. Dhe meqë është pa zarar, po ua them vetëm juve. Veç ju lutem, mos e shisni në pazar…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?