Gramoz Ruçi: Parlamentarizmi shqiptar hyri në shekullin e dytë. Në demokraci, vota është më e fortë se çdo mjet tjetër
Kryetari i Kuvendit,.Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot me një mesazh të veçantë 101- vjetorin e Kongresit të Lushnjes. Kreu i Kuvendit shprehet se sot është koha për reflektim për të fuqizuar Kuvendin si institucion përbashkues.
“100 vjet parlamentarizëm nuk janë pak për të reflektuar e nxjerrë mësime për të ardhmen. Sot, duke hyrë në shekullin e dytë të jetës së parlamentarizmit shqiptar, është koha të reflektojmë për rrugën e gjatë që kemi përpara, për ta fuqizuar Kuvendin si një institucion përbashkues e të respektuar të fjalës së urtë, të debateve të kulturuara rreth alternativave për zgjidhjen e problemeve dhe kapërcimin e sfidave të zhvillimit dhe të së ardhmes së Shqipërisë”,- shprehet ndër të tjera kreu i Kuvendit.
Mesazhi i plotë i kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi:
Historitë e kombeve e shteteve kanë shumë ngjarje të papërsëritshme, kthesa të rëndësishme, që nisin një epokë të re në jetën e tyre. Shqipëria, agimin e saj shtetëror të pavarur e pati më 28 nëntor 1912, kur Kuvendi Kombëtar i Vlorës, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, vendosi që Shqipëria të shpallej e lirë dhe e mosvarme.
Shteti i ri shqiptar, ende i pakonsoliduar, thuajse një vit pas njohjes në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, pas konturimit të kufijve gjysmakë e përcaktimit të statusit asnjanës, u përfshi, jashtë vullnetit të tij, në luftën botërore që shpërtheu dhe u pushtua nga ushtritë ndërluftuese.
Në përfundim të kësaj Lufte, kur shqiptarët prisnin që atyre tu bashkoheshin edhe gjysma e bashkëkombësave mbetur jashtë shtetit kombëtar, ndodhi e kundërta. Tre nga gjashtë Fuqitë e Mëdha evropiane fituese, vendosën të çbëjnë edhe vendimin gjysmak që kishin marrë vite më parë dhe të ricoptonin Shqipërinë.
Kombi shqiptar u ndodh në një nga udhëkryqet më të rënda të ekzistencës së tij. Koha bënte apel për veprim. Pararoja e ndërgjegjes kombëtare, burrat patriotë, në 21 janar 1920, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Lushnjës dhe morrën vendime të mëdha historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trungut kombëtar.
Këta burra, magjistratë të parlamentarizmit shqiptar, u betuan në flamurin e pavarësisë, përsosën dhe plotësuan vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, ringritën institucionet përfaqësuese e qeverisëse të shtetit dhe u dërguan kancelarive evropiane, Presidentit e Kongresit Amerikan mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur. Zëri shpëtimtar i Presidentit Wodroow Wilson ndali projektin famëkeq për coptimin e Shqipërisë.
Një nga vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Lushnjës ishte zgjedhja e Këshillit Kombëtar, me atributet e institucionit legjislativ të vëndit. Me këtë akt, i pari pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, fillon historia 100 vjeçare e parlamentarizmit shqiptar, i cili ka hyrë tashmë në shekullin e dytë të jetës.
Parlamentarizmi shqiptar përgjatë një shekulli ka kaluar në disa etapa, ka patur arritje dhe sfida, ulje dhe ngritje.
Në vitet e para të jetës parlamentare, spikatën filizat e pluralizmit demokratik. Këshilli Kombëtar u përball me problemet e mprehta të shtetformimit, reformave bazike, ndërtimit administrativ, mbrojtjes së integritetit territorial të vendit, njohjes ndërkombëtare të shtetit e të qeverisë së Shqipërisë së pavarur etj.
Por pas vitit 1925, institucioni i Këshillit Kombëtar, i Dhomës së Deputetëve, Senatit apo edhe i parlamentit, siç filloi të quhej në vitet 30-të të shekullit të kaluar, humbi thelbin e qënies së tij, pluralizmin, dhe u shndërrua në një institucion formal që çertifikonte vendime e projektligje të paravendosura të regjimit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët luftuan si pjesë përbërëse e koalicionit antifashist, por parimet e parlamentarizmit u mohuan dhe u shkelën. Me mbarimin e Luftës, shqiptarët shpresuan një Shqipëri më të mirë, me demokraci parlamentare, por përfundimi i Luftës i gjeti ata në një udhëkryq tjetër të historisë.
Zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 për Asamblenë Kushtetuese, shpallja e Republikës dhe ekzistenca e një grupi deputetësh të pavarur në Kuvendin Popullor, u bënë simbole besimi për një Shqipëri e jetë parlamentare demokratike. Por këto shpresa u vranë shumë shpejt. Parlamentarizmi komunist u krijua dhe përfundoi si një institucion fasadë i regjimit për të ruajtur të ashtuquajturin legjitimitet të tij.
Ndryshimet demokratike që nisën në dhjetor 1990 hapën një kapitull të ri edhe për parlamentarizmin shqiptar. Alternativat e reja politike e pluraliste që u krijuan në vënd përmes zgjedhjeve, i dhanë jetë parlamentarizmit të ri në formë e përmbajtje. Jeta parlamentare u maturua gradualisht, edhe pse përmes alternimit të një klime të konsensusit relativ politik për reforma e vendim-marrje me konflikte e tensione parlamentare, thuajse permanente.
Kuvendi i Shqipërisë dhe deputetët e tij gjatë tre dekadave të Shqipërisë pluraliste e demokratike kanë dhënë kontribute të çmuara në ndërtimin e forcimin e rendit demokratik, shtetit ligjor, qeverisjes së mirë dhe luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Meritë e veçantë e parlamentarizmit të këtyre viteve janë hartimi dhe miratimi i Kushtetutës së vitit 1998, korpusi i ligjeve shqiptare të harmonizuara me legjislacionin evropian, aprovimi i paketës ligjore për reformën në drejtësi dhe ndërtimi i organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Kuvendi ka kontributin e vet të pazëvëndësueshëm për integrimin e Shqipërisë në institucionet euro-atlantike dhe institucionet e tjera ndërkombëtare: në NATO, BE, Këshillin e Evropës, OSBE e në organizata të tjera ndërkombëtare e rajonale. Vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian është një ndër arritjet më të mëdha të Shqipërisë gjatë dekadave të fundit. Tashmë ne jemi në pritje të mbajtjes së tryezës së parë ndërqeveritare.
Kuvendi ka një përvojë të gjatë në bashkëpunimin me parlamentet kombëtare të vëndeve mike e partnere. Marrëdhëniet me këto institucione homologe kanë qënë e mbeten intensive, me interes të ndërsjelltë dhe kontribute për mirëkuptimin e bashkëpunimin midis popujve.
Kuvendi dhe delegacionet parlamentare kanë sensibilizuar institucionet respektive parlamentare për të mbështetur më shumë Shqipërinë në nevojat dhe sfidat e saj të integrimit, të bashkëpunimit rajonal, por edhe të tejkalimit të pasojave që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2019 në vëndin tonë.
100 vjet parlamentarizëm nuk janë pak për të reflektuar e nxjerrë mësime për të ardhmen. Sot, duke hyrë në shekullin e dytë të jetës së parlamentarizmit shqiptar, është koha të reflektojmë për rrugën e gjatë që kemi përpara, për ta fuqizuar Kuvendin si një institucion përbashkues e të respektuar të fjalës së urtë, të debateve të kulturuara rreth alternativave për zgjidhjen e problemeve dhe kapërcimin e sfidave të zhvillimit dhe të së ardhmes së Shqipërisë. Për të konsoliduar rolin e Kuvendit si tempull i demokracisë shqiptare dhe garant i Kushtetutës. Ka mjaft prova që tregojnë se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë. Demokracia arrihet dhe fuqizohet duke luftuar përditë për të. Kuptohet, me mjetet që jep vetë demokracia. Në demokraci, vota është më e fortë se çdo mjet tjetër.
KOHA JONË SONDAZH

