Haxhinasto: Emigrimi në këto përmasa i shqiptarëve është tragjedi kombëtare

Deputeti i LSI-së, Edmond Haxhinasto deklaroi sot në takimin me strukturat e LSI në Përrenjas se qytetarët duhet të reagojnë ndaj keqqverisjes së Partisë Socialiste. Ish-ministri i LSI tha se këto vite që PS po drejton e vetme qeverinë u provua se problemi nuk ishte LSI-ja, por idetë e gabuara të lidershipit të PS dhe përzjerja e politikës me ligarkinë dhe krimin. “Nga Partia Socialiste nga mbetur vetëm emri, tani është partia e monopoleve”,- deklaroi Edmond Haxhinasto.

Fjala e plotë e deputetit të LSI, Edmond Haxhinasto:

“Është edhe për mua një kënaqësi e veçantë që takohemi përsëri, gjithmonë këtu në Përrenjas është kënaqësi e madhe sepse është një zonë ku punohet me shumë vështirësi politikisht për shumë arsye, një nga arsyet sepse ka shumë presione, ka shumë paragjykime, por ka edhe shumë varfëri. Kryetarja e shprehu shumë qartë natyrën dhe cilësinë që ka politika në këto moment, nuk është më ajo politika e mirëfilltë e platformave, por tani është politika dhe jo politika dhe antipolitika. Politika që do ti shërbejë njerëzve dhe ti ofrojë diçka më të mirë dhe antipolitika ajo që ka uzurpuar shtetin dhe do të përdorë dhe krimin edhe shtetin për të realizuar qëllimet e veta që nuk kanë asnjë lidhje me nevojat që kanë qytetarët, kjo është situata sot. Juve ju kujtohet shumë mirë që në fushatën e zgjedhjeve të kaluara u bë një dallim, kërkohej nga mazhoranca aktuale, duam tepsinë thamë që të bëjmë mrekullia. Ka njeri prej jush sot që të më thotë se situata sot është më e mirë se para 4 vitesh, në qofte se ka jam gati të debatoj. Pra nuk paska qenë problemi tek LSI-ja, problemi ka qenë tek politikat që janë realizuar nga ata që janë aktualisht në mazhorancë. Sot shprehja më e qartë e keq qeverisjes është mungesa e besimit të shqiptarëve për të jetuar në Shqipëri, kjo është një tragjedi kombëtare, është një tragjedi kombëtare. Të gjithë njerëzit po shikojnë mundësinë për tu larguar me familjet e tyre, jo vetëm për të punuar tashmë, ju kujtohet disa prej jush na shoqëruan në të gjithë Bashkinë e Përrenjasit, kur shkonim në Qukës ju kujtohet ato djemtë që thoshin tani po shkojmë në Gjermani, po kthehemi nga Gjermania, do shkojmë në Greqi, vetëm për të punuar këtu nuk fliste njeri, punonin me sezone, tani jo më me sezone, tani me gjithë familjen për të shkuar për të emigruar. Tani më kush do ta bëjë Shqipërinë? Kush do ta ndërtojë Shqipërinë? Shqipëria ka disa sfida shumë të mëdha përpara, në qershorin që vjen Shqipëria do të merret përsëri në provim nga Bashkimi Evropian dhe pritet që treguesit të jenë shumë më të mirë se më përpara, qoftë për institucionet, qoftë për shërbimeve që i bëhen njerëzve, arsimi, shëndetësia, qoftë për funksionimin e ligjit dhe institucioneve që po shkatërrohen çdo ditë, e qoftë për shumë gjëra të tjera. Jemi gati ne për të ecur më tej me Bashkimin Evropian? E ndjen njeri prej jush që i shërbehet më mirë njerëzve sot? Pikëpyetje e madhe, unë e di që ju të gjithë thoni jo me mendjen tuaj. Pra, nuk kemi asnjë pikë referimi që të kuptojmë çfarë po ndodh, se ne kam premtuar shumë, se na kanë bërë shumë më tepër tani me tepsinë dhe timonin e tyre, por ajo që i prekin njerëzit është zero, asgjë. Përkundrazi kemi një mungesë ndjeshmërie, një indiferencë totale nga ana mazhorancës, për pikërisht se si e perceptoni ju jetën, si e jetoni ju. Do thoni ju çfarë po flet, po flas këtë, rriten taksat , ju pyet njeri ju doni taksa më shumë apo jo? Rriten taksat po a ju pyet njeri juve se çfarë merrni mbrapsht, merrni ndonjë shërbim më të mirë, merrni shëndetësi më të mirë, merrni arsim më të mirë. 70% e shëndetësisë sot jepet nga privati me pagesë. Ku është sektori publik? Ku është sektori shëndetësor që duhet ti shërbejë njerëzve. Shikoni po ashtu arsimin, për një cati shkolle aty u rrahën fëmijët, e pse duhet të rikonstruktohet një shkollë kur fillon viti shkollor, nuk mjafton e gjithë vera për tu bërë kjo punë. Pra një mungesë totale ndjeshmërie për jetët e njerëzve të thjeshte. Mendoj se interesi publik sot nuk ekziston nga ana e mazhorancës, shikoni se si punohet, shikoni se si investohet. Shqipëria ka një listë te prioriteteve të investimeve, është bërë kjo listë, janë disa rrugë kryesore që duhet të investohet, janë disa hekurudha kryesore që duhet të investohet, por a investohet tek këto? Jo, sot investohet vetëm ku kërkohet privati. Privati thotë unë dua të ndërtoj këtë segment rrugor se ky më del me leverdi më të madhe dhe qeveria i thotë po, shko investo atje. Është ne interesin publik kjo? Jo nuk është aspak. Kjo është interesi i një oligarkie qe e ka kapur për fyti këtë mazhorancë dhe mazhoranca i shërben kësaj oligarkie. Oligarki që ta dini ju është kur shteti kapet nga disa grupime të caktuara dhe bëhen edhe aktivitete kriminale për të ruajtur këtë pushtet për të përfituar pikërisht këto grupe, ja kjo është oligarkia. Kapet ekonomia, kapen institucionet, kapet pushteti, kapen që të gjithë dhe qytetarët janë të fundit që përfitojnë, të fundit që pyeten. Prandaj edhe Kryetarja e tha shumë qartë, sot duhet të flasin njerëzit, sot është momenti që duhet të flisni ju. Duhet të flisni ju me angazhimin tuaj, me qartësinë tuaj sepse shqiptarët të varfër janë, por kanë pasur zgjuarsinë të hedhin votën, ta bëjnë zgjedhjen aty ku duhet. Kur trashet zullumi, siç është trashur, ka një alternative tjetër. Ne si LSI gjithmonë kemi qenë të gatshëm të ofrojmë alternativën më të mirë për ti shërbyer njerëzve, e kemi bërë për qytetarët, nuk e kemi bërë asnjëherë për pushtetin. Jemi themeluar, kemi qenë në pushtet kur jemi themeluar në 2004, por dolëm në opozitë menjëherë. Ju kujtohet, ata që janë themelues sepse disa prej jush janë themelues. Pra nuk rendëm pas pushtetit por dolëm në opozitë, edhe në 2017 ishim në pushtet dolëm në opozitë. Edhe në 2013 ishim në pushtet dhe konkurruam në opozitë, ju kujtohet apo jo. Pra nuk është LSI-ja partia që rend pas pushtetit, që merr pjesën e tepsisë, por është e paraqitur si e tillë nga një makinë shumë e madhe e propagandës. Nuk jemi ne partia e tepsisë, ne jemi partia që ka mbi të gjitha interesin e njerëzve, interesin publik dhe kështu do bëjmë edhe në të ardhmen. Propozimet tona janë shumë të mira, ne duam që bujqësia të zhvillohet, fermerët të mbështeten fuqishëm, duam që biznesi të mbështetet, jo të mbyllen bizneset si pjesë e konsumit edhe e presionit të jashtëzakonshëm që bën administrata tatimore. Duam që të ketë arsim cilësor, që rinia ta shohë të ardhmen në Shqipëri dhe të mos marri rrugët e botës. Duam që njerëzit të shërbehen me një shërbim shëndetësor sa më cilësor, duam që të shfrytëzojmë pasuritë e natyrës dhe pasuritë që krijojmë si njerëz të lirë në këtë vend të begatë, që ka mundësinë për të qenë shumë më i begatë se sa është sot. Prandaj fjalën e keni ju, është momenti që secili prej jush të reflektojë. Nga Partia Socialiste nga mbetur vetëm emri, Partia Socialiste nuk është ajo sociale, ajo është partia e monopoleve dhe oligopoleve. Pyesni njerëzit tuaj kush merr tenderë, duhet të jesh patjetër i lidhur me pushtetin që të marrësh tenderë dhe të punosh, te tjerët duhet të mbyllin dyqanet dhe të ikin ose jashtë shtetit ose të qëndrojnë në shtëpi. Ndërkohë Shqipëria është shumë e varfër akoma, jemi akoma shumë të varfër dhe kemi nevojë për mbështetje të pushtetit tek qytetarët për politika sociale. Prandaj edhe njëherë ju bëj thirrje që secili prej jush të reflektojë, të mendojë dhe pastaj të angazhohet për të sjellë një ndryshim politik që ka kaq shumë nevojë Shqipëria. Faleminderit”.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?