Idrizi: Na duhen të gjitha forcat politike për çështjen çame
“Kam raporte shumë të mira edhe me Metën, edhe me Ramën edhe me Bashën sepse jo vetëm është natyra ime, por edhe vokacioni i PDIU. Ne na duhen të gjitha forcat politike për çështjen çame dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Jam takuar, kam folur dhe nuk kam patur e nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Ne nuk duam luftë me partitë e tjera, nuk e kemi problem të bëjmë luftë, por nuk e duam”.
Kështu u shpreh kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi në “Top Story”, ku konfirmoi se do të ishte pjesë e koalicionit qeverisës edhe në zgjedhjet e ardhshme.
PDIU, sipas tij, do të kërkojë drejtimin e një Ministrie të Diasporës në të ardhmen.
Kurse për çështjen çame, ai tha se PDIU flet për një të drejtë që buron nga një padrejtësi e madhe historike.
“Në vitin 1996 komisionet mikse ranë dakort që të paktën të ngrihen varrezat për partizanët çamë. Ajo që po kërkojmë ne për reciprocitet është që të zbatohet kjo marrëveshje për viktimat çame. Përsa kohë që pala greke nuk është e gatshme që të paktën të vdekurit t’i trajtojë njësoj, kemi të drejtën që të mos lejojmë avancimin e varrezave të tjera greke në Shqipëri. Kërkohen 600 vendgërmime të tjera, të gjitha në hartën e asaj që grekët e quajnë vorio-epir. Gjyshërit e mi vlejnë po njësoj si ushtarët grekë dhe përsa kohë që gjyshërit e mi dhe shqiptarët e Çamërisë, nuk do të kenë varreza në Greqi, absolutisht unë personalisht dhe u bëj thirrje shqiptarëve që të mos lejojmë varrezat greke”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

