Idrizi tregon pse iu bashkua opozitës: Marrëveshja e shkruar
Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka shpjeguar arsyet e bashkimit të kësaj force me opozitën. Në rubrikën “Opinion” në News24, Idrizi tha se qeveria ka një ndryshim qëndrimi 360 gradë në lidhje me çështjen çame. Sipas tij, ndonëse fillimisht Rama bërtiste më shumë se PDIU për çështjen çame, sot ajo nuk ekziston gjëkundi dhe për më tepër u godit faktori politik.
“Jo ka çeduar por ka ndryshim qëndrimi 360 gradë. Ne e mbështetëm këtë qeveri se kishte në program çështjen çame, sot e kanë hequr. PDIU e ka bërë të qartë që në fillim të krijimit të saj që ne do bashkëpunojmë me të gjitha ato forca që e kanë çështjen çame prioritare. Kur Edi Rama dhe kjo maxhorancë godasin politikisht PDIU-në për të mos qenë sot në parlament, kur e ka përzënë nga koalicioni sigurisht që nuk mund të na thonë sot ne ju po lëvizni. Ne jemi konsistentë. Lëvizja jonë që ne realisht ishim në opozitë dhe tani kaluam në opozitë zyrtare quhet lëvizje. Realisht ne kemi lëvizur vetëm një herë në vitin 2013. Ky bërtiste më shumë se ne për çështjen çame. Goditi faktorin politik për çështjen çame”, tha Idrizi.
Kreu i PDIU theksoi se për herë të parë marrëveshja e kësaj force me PD-në është e shkruar, duke dhënë garanci se çështja çame është në programin sot të opozitës dhe nesër në programin qeveritar.
“Për sa i përket marrëveshjes me PD jemi të bindur se jo vetëm është prioritet çështja çame por veç kësaj shqiptarët e kanë braktisur këtë qeveri. Ne besojmë se ky vend ka nevojë për një opozitë të fortë. Është pjesë e marrëveshjes së shkruar. As koalicioni ynë i parë me PD-në dhe as koalicioni i dytë me PS-në, të dy liderët nuk kanë pranuar të kenë një marrëveshje të firmosur. Është hera e parë që kemi një marrëveshje të shkruar, të firmosur me PD-në. Është pjesë e programit të opozitës sot dhe nesër të programit qeveritar”, deklaroi ai.
Lidhur me vettingun në politikë, Idrizi u shpreh se klasa politike duhet ta pranojë por maxhoranca nuk do.
“S’ka gjë më të rëndësishme për klasën politike se të pranojmë vettingun. Sigurisht që kjo maxhorancë nuk do të bëhet vettingu. Kur nuk do të bëhet një punë hajde ta çojmë nja 6 muaj në kanalet me gondola të Venecias dhe pastaj flasim”, theksoi Idrizi.
Deklaratat e Presidentit Grek
Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi ka folur edhe për çështjen çame dhe deklaratat e Presidentit grek Pavlopoulos se çamët kanë bashkëpunuar me nazistët.
Idrizi e cilësoi arrogante deklaratën e presidentit grek dhe thotë se ai u kthye në vendin e krimit ku janë vrarë qindra burra e gra çame, në Paramithi.
Gjithsesi Idrizi tha se plaku Pavlopoulos është trimëruar nga ndryshimi i qëndrimit të qeverisë greke, ose “idiotët e dobishëm të Tiranës”, ndërsa shtoi se po pritet një reagim nga Presidenti i Republikës.
“Ajo deklaratë është e papranueshme dhe arrogante. U bë në Paramithi të Çamërisë ku u mashtruan 72 krerë të Çamërisë me okupimin e saj, apo në 1944 u masakruan 600 burra e gra. Pra ai u kthye në vendin e krimit. Rruga e integrimit kalon nga Brukseli, Uashingtoni dhe assesi nga Athina. Dhe për shqiptarët e Çamërisë është një çështje nderi dhe drejtësie. Pavlopoulos duhet të jetë i ndershëm. Mjafton që të na nxirrni një foto apo një provë që shqiptarët e Çamërisë kanë kryer një krim. Tragjedia mbi shqiptarët e Çamërisë ka nisur që në vitin 1913 dhe ka vijuar në mënyrë sistematike. Më vjen keq qe ne asnjëherë nuk kemi akuzuar as qeverinë greke as popullin grek. Presidenti grek vetë u bë pasardhës i Napolon Zervës. Ata që bashkëpunuan me fashistët i ka në parlamentin e Greqisë apo në ministrinë e mbrojtjes, Kameno. Nëse ka pasur ndonjë qeveri që ka bashkëpunuar me gjermanët kanë qenë qeveritë greke. Ajo që më bën përshtypje është heshtja e shtetit shqiptar. Po presim akoma një përgjigje nga Presidenti, kryeministri apo ministri. Për shkak të ndryshimit të sjelljes në 360 gradë që ka kjo qeveri është bërë arrogant dhe plaku Pavlopoulos. Qeveria shqiptare duhet të hapë me urgjencë debatin publik për Çamërinë”, deklaroi Idrizi.
Kreu i PDIU-së i kujtoi presidentit grek presidentin çek Havel.
“Duhet t’i kujtoj Pavlopoulos që të kthehet minimalisht në pozicionin e një burri të madh siç është presidenti Havel i Çekisë, i cili dhe për pjesëmarrjen e studentëve kërkoi falje publike. Pavlopoulos nuk është në atë nivel, ai po vetëakuzohet. Po trimërohet nga idiotët e dobishëm të Tiranës. Një shtet që nuk njeh gjenocidin, që nuk njeh Kosovën duan ta bëjnë partner strategjik”, tha Idrizi.
I pyetur se çfarë po ndodh me marrëveshjen mes Greqisë e Shqipërisë, Idrizi tha se të gjitha sinjalet, informacionet i marrin nga shteti grek, nga presidenti apo ministri Kotzias, Kamenos etj.
“Ne jemi adresuar ministrit Bushati për të kuptuar më shumë se çfarë ka bërë për rezolutën çame për kërkesat e çamëve dhe jo vetëm që nuk kemi marrë një përgjigje por ministri Bushati nuk ka denjuar të takojë as shoqatën ‘Çamëria’ as PDIU-në kur deri dje takoheshim dy herë në ditë. Pjesa më e madhe e marrëveshjes greke është kryer tashmë. Kemi marrëveshjen e toponimeve. Kanë bërë sot ligjin për minoritetet ku Shqipëria del për herë të parë me 9 minoritete, duke zgjeruar edhe konceptin e zonës minoritare. Nuk e mendoja kurrë që për Edi Ramën dhe Bushatin të masakruarit e Çamërisë nuk vlejnë njësoj si ushtarët grekë”, deklaroi Idrizi.
KOHA JONË SONDAZH

