Integrimi, Milo flet për atentat nga politika: BE ka një plan për ne…
Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm apelon për qetësi nga politika shqiptare. Për Milon, kjo do ishte zgjidhja për të paktën 6 muaj, në mënyrë që vendit t’i hapen negociatat me BE-në. Ai thotë se klima e mirëkuptimit do sillte arritjen e këtij synimi për shqiptarët.
”Mendoj se në emër të këtij synimi strategjik që nuk është vetëm për sot apo për një vit, është për të ardhmen e shqiptarëve, palët politike duhet të gjejnë mirëkputimin minimal për këto muaj që kemi përpara për të arritur atë që aspirojmë, hapjen e negociatave dhe anëtarësimin në BE. Nuk do të bëhej qameti nëse grindja politike shterpe të spostohej 6 muaj më vonë dhe të kompesohet me një retorike ndoshta edhe më të ashpër në mungesë të muajve që do të heshtet, ose të krijohet një klimë minimale mirëkuptim”, thotë Milo në një intervistë për gazetën ”Shqiptare”.
Ai flet edhe për një atentat që po i bëhet procesit të integrimit, ndaj këshillon si opozitën dhe qeverinë që të tregojnë kujdes, që të mbushin objektivat që të mos mbesin në efektin e premtimeve.
”Do të bëhej një atentat i madh ndaj procesit të shumëpritur të integrimit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në BE. Kjo më tepër i takon opozitës, por edhe qeveria shqiptare duhet të jetë shumë e kujdesshme, shumë e vëmendshme që përkundrejt objektivave që ka shpallur të mos mbetet vetëm në artin e retorikës, të mos mbetet vetëm në fushën e premtimeve, por të bëjë realitet ato që ka parashtruar dhe që çojnë në mënyrë të natyrshme dhe të sigurt në përmbushjen e kritereve dhe standardeve që kërkohen nga Brukseli, në mënyrë të veçantë në zbatimin me transparencë të plotë dhe pa prapavija të dyshimta të reformës në drejtësi”, thotë Milo.
KOHA JONË SONDAZH

