Ironia e Agron Gjekmarkajt për negociatat për President
Politikë E Mërkurë, 18 Maj 2022 09:39
Nga Agron Gjekmarkaj-
Lezeti i Begenisjes!
“Nuk di si ësht’ e vërteta
Nga vapa lumi u tha
-Shërom’ se nga mëndja ika
Jo moj jo, nuk bëj shaka “!
Kjo këngë popullore kendohej dje nga tre ministrushët e munguar a ndonjë tjeter në takimin me Mike Pompeun!
Tao mbajti një fjalim ngjatëtues.
Enkeledi gjithaç duke e futur penden si plor në histori nga ku nxirrte mbetje toksike komunizmi si rrezik!!
Miqtë na rikonfirmuan mbeshtjen e tyre që boll na bën punë.
Ministrushi Ulsi ishte tejet i mërzitur teksa në televizion englendisej një pjesë nga yndyra e partisë në takimin me Mike Pompeun.
Ai si i pa rëndesishem diku në një skutë kruante mjekrren e tij teksa shihte atë të Alket Hysenit në mes të kallaballëkut e cila shkëlqente e pikonte nga lezeti i begenisjes.
Po kaq të gjithë ata të sistemit drejtësisë ishin aty dhe me fjalime madje, e ai hiç si kuk e qyq me ca vartes me të cilët bisedonte në dialekt, atje në zyre.
Në kanape zhytur mallkonte Taon i cili po përjetonte një ditë lavdie në zemrek të politikes botërore. E di apo nuk e di i gjati këtë shmangie e sembonte në gji dilema si cfurk.
Më e rënda ishte se, as pyeste dot dhe sapo të takohet me Taon detyrohet të qeshë sikur asgjë të mos ishte.
Tao kalamendej në kenaqesi. Nuk kishte ngutje në përzemërsi as tahmah në indiferencë me njerëzit.
Fjalimet i ngjanin njëri – tjetrit , ku mbaronte njëri fillonte tjetri dhe anasjelltas.
Ministrushi Ben Ahmetaj i cili ashtu i ka ca punë ketij moti nuk u pa askund. Në ajer peshonte si balonë pa karburant ankthi i mungesës së tij. Mileti pyeste po xhagajdueri Ben siç thotë Kryeministri ynë ku bëhet?!
Në darkë u shfaq në një ziafet si biçim promovim ideshë rilindase si për të thënë:kisha gjëra me rendësi ndaj nuk munda të vij e ma bëni hallall e kabull.
Ministrushi Çuçi i cili po ta ftojnë vjen nëse nuk i bezajnë nuk merzitet po kaq!
Ai thellë thellë, gëzohet kur nuk shfaqet, mbijetesen e ka investuar tek heshtja.
Të jetë dora e Tao qerratait? Dhe këtu hajde merre vesh!
Ministrushi Niko qe dhe pata fatin ta kem në tavolinë ishte muhabetqar e lexues i mirë i ravgimeve të mia hokatare.
Ai ndihej në mes si ne që nuk jemi as tek foltorja e Doktorit e as tek celula e Bashes. Qerrata burrë.Pakez me masë, kishte prishaqejfje me mua sidomos nga perfolja që vrapit e braktisjes së Ditmirit kodrave në zaman të rreshqitje i kisha bërë !
Zamet i thashë, për një batutë djeg jorganin. “Nuk është si duket këmbëngulte!
Vërtetë nuk isha në krah të tij duke krijuar idenë e ikjes por e mbaja me gajret në telefon.
E nxisja, tek ai vraponte atij bregu, të kishte besim te Lideri dhe të pagabueshmeria e tij.
Dhe ja ardhi tek fjala ime, aty e mbeshteti koken tek gjoksi i tij leshtor, por prapë ka lakra në kokë, ja i jep mend Europes ç’të bëjë në vend që te reçensionojë “Kurbanin” pas rileximeve të shumta” !
Të drejtë kishte edhe mua më bëri përshtypje kjo hallakatje e tij pasi Ai e fali.
Ish Kryeministri Majko i cili mbi flokë mban ende pluhurin e botës se pertejme si Lazari i rikthyer, dëgjonte me nge e pa shumë habi.
E pyeta “pse Niko s’ka lënë mjekerr si Shalsi, Ulsi, Çuçi, Hyseni i ngatë e të tjerë”?
Ai pa u menduar shumë se me gjasë kishte arritur në konkluzion tha “e bën si disidencë dhe kundërshti ndaj Rames”.
Më bindi, në sytë e mi Niko u pervijua si Gandi. U pendova per llafet ne mos pa helm por edhe pa sheqer kisha lëshuar tutje -tehu nëpër gazeta.
Mimi dëgjonte pa ëndje të madhe e pa distancim të dukshem dhe tundte koken si e rrahur me vaj e ufull pa u kuptuar nëse miratonte apo mohonte!!
Herë pase here psherëtinte 29, 29 po vetëm kaq.
U ngrit e iku tek tavolina qendrore por aty ministrja e asaj tavoline su ndie aq rehat dhe fap ktheu karrigen, domëthënë shpinen!!!
Në tryezen tonë qe më ngrohtë, ne bukë e kripe e zemer pa kursim kishim.
Ndonjë thashethem edhe e bënim po pa qeder. Moderimin e bëri me një anglishte prej së vërteti.
Kryetarja e Parlamentit dukej sikur mermeriste me veten “fali Zot ku i gjejnë gjithë këto fjalë” !
Jorida e partisë tonë të vulës lëshonte buzëqeshje të matura pa adresë, e kujdesshme që as miza të mos lëndohet.
Fjalimin e kishte plot nektar politik ku e mira triumfonte dhe e keqja përpelitej.
Dy fjalë i thashë dhe vetë ashtu si eterit e tjerë të kombit.
Zonja Gridë erdhi si veri e iku si tufan, plot parehati në dekorin e kuruar të “vllazërim-bashkimit” !
Sperkati me indiferencë kë i desh zemra!
Aty si mes dy aktorve të Hollivudit, mes Mediut e Naços mbante nën fre mendimet e veta kandisur me horizont.
Zonja Elisë më qortonte me nopranllek por pa urrejtje.Kësaj here për romuzet e mia sipas saj seksiste per ministrushet, këtë çetë grashë në shërbim të Atmes. Desh me ra zali.
Niko herë pas here lëshonte një “eh” miratues dhe ndoshta mendonte sikur ta kisha kapterr në ushtri, ja rregulloja qejfin edepsezit. Po mbase jo edhe e kundërta ” e mo se nuk na vjen e keqja nga qyfyret e këtij ne, në rregull i kemi punët.Birinxhi, shendet kemi leka po”!
U lëshova, më erdhi t’ju them jam njeri i keq, jam katran, gojëprishur, rrihmeni, denomëni, por në atë moment fjalën mori Prokurori i Pergjithshëm dhe menjëhere pas tij Etilda me teza kadife si melhem mbi plagë shqiptare.
Dikush nën hundë klithi mungoka edhe Damua. Ç’ka djali tha një tjeter, në meze të vendit duhej të ishte.
Teze Mirela e menduar këto muaj po ashtu nuk u pa askund ! “Mbase si frankofone që është nuk ndihet mirë në ambjent proamerikan.Dhe Tao se ka sikletosur “u dëgjua një zë!
Në vend të saj rehat rehat ulej Ermonela.
Organizatorët ishin kujdesur që opozita dhe qeveria të rrinin si jaranë në të njëjtat tavolina dhe mua më dukej vetja si Selami Jenisheri e herë herë si Nimet Musai i opozites legjendare, i begenisur dhe i respektuar!
Ky është çmimi që i paguhet idesë, krahasimi.
Në fund e mori llafin Klotilda e cila foli shtruar e ëmbël, duke rrahur derte atdheu në kohë marazi.
I ra pak gjatë por ani.!
Klosi u pa vetem në të dalë. Evlati po shijon pereferinë e shikimit.
Kryeministri nuk na erdhi dhe kudo u ndie mungesa e tij!
Po te gjithë shihnin lart në qiell!
Pyeta njërin syresh pse koka përpjetë!
Shohim lart tha, Atin tonë të Rilindjes se ai është si Zoti, frymë e mister dhe rri mbi re nga ku kërkon Presidentin e Republikës një xhanan burrë a hanëme plot nur.
Teksa ika atij hoteli mu kujtua kënga”
“Ty moj nan’, të qofshim falë,
që na e fale ne kët djalë,
kët’ sokol, kët’ trim me fletë,
që na nxori n’drit’ përjetë!
O Enveri i shqiptarve,
o flamur i proletarve,
edhe foshnja kur belbzon,
emrin tand ma par’ mëson.
Shqipja sot për ty këndon,
Jet’ në shekuj të uron!”
KOHA JONË SONDAZH