Jorida Tabaku zbërthen skemën: Ja si i bleu votat Partia Socialiste
Në prag të nisjes së punës së komisionit të reformës zgjedhore, deputetja demokrate, Jorida Tabaku, në një intervistë për gazetën “Shekull-i” zbulon skemën që Partia Socialiste ka ngritur për të blerë votat e qytetarëve.
Tabaku thotë se persona me lidhje të forta me krimin e organizuar kanë ndikuar në procesin elektoral, madje, sipas saj, ekziston një kategori politikanësh që shkojnë dhe kërkojnë të blejnë votën e qytetarëve. Duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2017-ës, ajo thotë se ishte edhe më i keq se ai i vitit 2001.
Të enjten në Parlament ju keni ngritur shqetësimin e shitblerjes së votës, e cila sipas jush është një fatkeqësi kombëtare. Kush e ka fajin sipas jush pse shitblerja e votës është kthyer në një fenomen?
E kam thënë dhe në Kuvend në fjalën time që mbajta të enjten se nuk ka ndonjë kategori njerëzish siç pretendon e majta që shesin votën, por ka një kategori politikanësh që shkojnë dhe kërkojnë të blejnë votën. Ekziston një kategori politikanësh që shkon dhe sistematikisht thotë votën ose dritat, votën ose legalizimin, votën ose lekët! E kjo është një fatkeqësi në Shqipërinë e vitit 2017! Nuk na zgjedh ne krimi, por zgjedhim ne krimin aty ku nuk mund të fitojmë e ky është turpi i këtij parlamenti, turpi i politikës sot!
Në të gjitha raportet në Shqipëri, paratë e ardhura nga krimi kanë qenë pjesë e fushatave zgjedhore. A po përdor PD-ja këtë si pretekst për humbjen?
Është mëse e vërtetë që zgjedhjet dhe krimi nuk kanë qenë fort të distancuara edhe më parë, ka pasur forca politike që kanë përdorur krimin për të marrë pushtetin. Ka pasur edhe forca politike që kanë futur pas hekurave të burgut grupet kriminale që bënin ligjin në Shqipëri. Por, në dijen time politike kurrë zgjedhjet nuk janë rrezikuar kaq haptazi nga krimi i organizuar. Në vitin 2015, unë me naivitet mendova që raporti i OSBE nuk mund të ishte më i keq se aq. Qartësisht ai raport zgjedhor akuzoi qeverinë për gjithë skemën e manipulimit të ushtruar në rang kombëtar, Korça 2013 kishte evoluar në Shqipëria 2015.
Mirëpo qeveria e mori me lehtësi raportin dhe vazhdoi të këmbëngulte në sjelljen e saj! Dibra 2016, evoluoi në Shqipëria 2017! Por raporti i këtij viti i OSBE/ODHIR-it ishte një procesverbal i plotë i gjithë abuzimeve nga fondet publike, shtrëngimin e administratës civile e deri tek kriminelët në kuvend dhe fushatën elektorale. Lexoni raportin e Këshillit të Europës se çfarë thotë për zgjedhjet në vendin tonë. Shumë prej vetë interlokutorëve të vëzhguesve i kanë transmetuar atyre se presioni nga ana e qeverisë ka qenë jo vetëm ndaj nëpunësve civilë por edhe ndaj të punësuarve në sektorin privat.
Raporti i Këshillit të Europës nënvizon se persona me lidhje të forta me krimin e organizuar kanë ndikuar në procesin elektoral. Sikundër për opozitën edhe për to, ky mbetet një shqetësim i madh sepse disa prej këtyre personave dikur kanë qenë anëtarë të kësaj salle dhe janë përjashtuar me ligjin e dekriminalizimin e ndërsa sot vazhdojnë të jenë pjesë e strukturave të partisë politike në pushtet. Natyrisht, kjo që përmenda më sipër nuk është alibia ime për të justifikuar humbjen tonë. Nuk jam prej tyre që fajin e nis nga tjetri pa parë më së pari nga gabimet e vetes. Mirëpo kjo nuk zhbën atë që përmenda dhe është problemi themelor që sot për sot i kanoset shoqërisë sonë, është sëmundja që po ia merr frymën pak nga pak lirisë.
Cili është propozimi i PD-së për të frenuar këtë fenomen?
Ka ardhur koha të hedhim hapat për reforma që do të ndryshojnë mënyrën se shqiptarët do të zgjedhin. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me formën e përzgjedhur për betejën e kandidatëve, por me detyrimin tonë për të krijuar mekanizmat ekuilibrues në një sistem zgjedhor që sot komandohet nga forcat politike por që ne duhet t’ia kthejmë qytetarëve. Kështu që askush prej nesh apo prej jush të mos komprometojë votën e shqiptarëve dhe të vendosë interesat partiakë përpara zgjedhjes së tyre. Kjo duhet të jetë Shqipëria e 2017, Shqipëria në Europë!
Propozimi
Deputetja demokrate, tha se pjesë e tryezës për reformën zgjedhore duhet të bëhet edhe ndarja territoriale. Sipas saj bashkitë u ndanë thjesht për llogari elektorale. “Në qoftë se themi se reforma territoriale do të kursejë 80 mln dollarë, sot sipas Ministrisë së Financave, reforma territoriale shpenzon 60 mln dollarë më shumë se ç’shpenzonte para vitit 2014.”, tha Tabaku, ku shtoi se kjo ndarje territoriale ka dështuar edhe në shërbimin ndaj qytetarëve. Sipas deputetes demokrate, reforma është e cunguar, e kësisoj lipset bisedë dhe ndërhyrje në të.
“Po shumëzojnë me zero Kushtetutën dhe po krijojnë këto mekanizma që në fund të ditës do të luajnë funksionin e qarkut, do të mbledhin funksionet e Arsimit, Bujqësisë, etj pa e ndryshuar Kushtetutën. Së pari, është antikushtetuese dhe së dyti, nuk ka për të funksionuar. Që kjo reformë territoriale të kishte disa rezultate të pritshme, duhej që ne të kishim ndjekur një rrugë tjetër dhe të mos shihnim interesin elektoral”, u shpreh Tabaku.
KOHA JONË SONDAZH

