Kampionati Europian i Peshëngritjes do të mbahet në Tiranë. Veliaj: Privilegj që do të jemi shtëpia e kampionëve
Nga datat 25 maj deri në 2 qershor, Tirana në cilësinë e Kryeqytetit Europian të Rinisë, do të mirëpresë Kampionatin Europian të Peshëngritjes. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky është një lajm i bukur për kryeqytetin, në vitin e Rinisë. Ai priti Presidentin e Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Conflitti, me të cilin theksoi se Tirana do të japë më të mirën në saj në organizimin e kampionatit.
“Është një lajm i shkëlqyer për Tiranën, ndaj do të bëjmë maksimumin, për t’u siguruar që edhe mirëpritja tipike tironse të jetë e njëjtë për të 44 vendet që do të sjellin skuadrat e tyre në kryeqytetin tonë. Për është privilegj që, Federata Europiane e Peshëngritjes, në jubileun e 100-vjetorit të kampionatit, ka vendosur ta zhvillojë në Tiranë,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se sportistët tanë sapo i sollën Shqipërisë medalje botërore. “Briken Çalja u kthye me medalje nga Uzbekistani. Patëm një performancë shumë të mirë edhe në Tokio. Unë besoj se i shkon, jo vetëm medaljeve, por edhe Tiranës, si Kryeqyteti Europian i Rinisë, që në këtë vit të rëndësishëm për ne, që përkon me 100-vjetorin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes, të jetë shtëpia e kampionëve,” tha Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

