KLP dhe KLGJ, Manja: Kandidatët kanë kaluar në disa filtra, opozita qëndrim politik
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i ftuar në studion e lajmeve të Ora News tha se kandidatët për anëtarë të KLGJ dhe KLP kanë kaluar në disa filtra për të verifikuar kushtet dhe kriteret ligjore.
Ai tha se opozita hodhi baltë mbi kandidatët për të deligjitimuar procesin.
Ulsi Manja: Kanë pasur një proces filtrimi deri dhe me seanca dëgjimore dhe me dokumentacion shoqërues për secilin nga kandidatët dhe janë të listuar dokumentat që ka paraqitur secili kandidat. Pastaj kandidaturat kanë ardhur tek sekretari i përgjithshëm i Kuvendit i cili ka bërë edhe ai vlerësimin e kushteve dhe kritereve ligjore, pastaj është hartuar lista nga sekretari i përgjithshëm dhe i ka sjellë në Komisionin e ligjeve. Në të gjitha këto filtra janë verifikuar kushtet dhe kriteret ligjore. Ajo që bëri opozita ishte një proces jo korrekt sepse për të deligjitimur procesin hodhi baltë mbi kandidatët.
Qëndrimin e opozitë në seancën e përzgjedhjes së emrave të kandidatëve, Manja e konsideroi si një qëndrim politik.
Ulsi Manja: Opozita mbajti atë qëndrim që e manifestoi edhe sot në mbledhjen e nënkomisionit, qëndrim i qartë politik, ku sipas opozitës e kemi me procesin dhe jo me kandidatët, por në fakt nuk la gjë pa thënë as për kandidatët.
Manja i bëri thirrje opozitës që ditën e enjte mos zgjedhë protestën në Kuvend, por ti bashkohen mazhorancës për të votuar anëtarët.
Ulsi Manja: LSI dhe PD kanë një mundësi ditën e enjte, të bashkojnë votat me ne dhe dy listat të marrin kuorumin e nevojshëm sipas kushtetutës dhe ti bashkohet ditën e enjte këtij procesi në rast se e ka seriozisht zbatimin e reformës në drejtësi. Nëse opozita zgjedh protestën të enjten në kuvend, opinioni publik ka të dejtën të japë gjykimin kush është pro reformës në drejtësi dhe vettingut dhe kush është kundër reformës në drejtësi dhe vettingut.
KOHA JONË SONDAZH

