Kola: Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve kërkon 20 vite kohë

Përfundimi i procesit për dëmshpërblimin për të gjitha kategorive e ish të përndjekurve politikë, do të kërkojë të paktën edhe 15 vjet.

Drejtori i Institutit të ish-të Përndjekurve, Bilal Kola deklaroi në studion e lajmeve të Ora News se procesi po ecën me ritme të shpejta, ndërsa deri tani janë shlyer 1/3 e detyrimit që shteti shqiptar ka ndaj kësaj kategorie.

Kola: Besoj që do të duhet një proces jo më pak se 15 vjet dhe maksimalisht deri në 20 vjet. KLSH-ja thotë; bazuar në trendin e rimbursimeve duhen edhe 18 vjet, por në qoftë se trendi do të rrijë kaq i ulët, besoj se kjo kohë do të konsumohet për pagesat.

Kola u ndal edhe te dosjet të ashtuquajtura problematike, atë të internimeve me tela me gjemba që korrespondojnë me vitet 1945-1954, të cilat ende nuk janë shqyrtuar.

Kola: Nuk mundet kurrsesi të  njëjësohet një dosje internimi me tela me gjemba me një dosje përkatëse ekzekutimi ose burgu. Për dosjet që kanë të bëjnë me ekzekutimet ose dënimet me burg, kryesisht ka vendime gjykatash. Ne kemi propozuar që ne vend të vendimit që nuk ekziston, secili nga aplikuesit të paraqesë statusin.  

Ndërsa për ata ish të përndjekur që janë ende gjallë, por nuk kanë paraqitur dokumentet e nevojshme, pritet të ketë një afat deri në dhjetor të 2017.

Kola: Secili prej të burgosurve që aktualisht jeton dhe nuk ka pasur mundësi vetëdeklarimi, për të marrë dëmshpërblimit sipas ligjit deri në 1 korrik 2009, afati fundor ka për të qenë data 31 dhjetor 2017.

SHKARKO APP