Kosova hap ambasadën në Jerusalem, reagon Turqia. SHBA pro vendimit
Ministria e Jashtme e Kosovës tha të shtunën se ka hapur ambasadën në Jerusalem, duke e bërë Kosovën vendin e tretë që hap misionin e saj diplomatik në atë qytet.
Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, pasi që më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump, pjesë e të cilit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Ministria e Jashtme tha të shtunën se “në pamundësi për të qenë prezentë̈ në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem”.
“Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem. Ambasada e Republikës së Kosovës në Jeruzalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Njoftimi i sotëm u dha fund debateve që ishin nxitur në Kosovë për shkak të reagimeve të vendeve që kundërshtojnë vendosjen e ambasadave në Jerusalem, përfshirë Turqinë e cila e cilësoi “zhgënjyes” faktin që “një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shqyrtohet nga autoritetet e Kosovës”.
Në një komunikatë të shpërndarë nga ambasada turke në Prishtin, thuhet se udhëheqësit e Kosovës “kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon. Ne i inkurajojmë udhëheqësit kosovar që të dëgjojnë mendjen e shëndoshë dhe të heqin dorë nga ky hap i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm”, thuhet në komunikatë.
Menjëherë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian ishte shprehur i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
Vëzhguesit tërheqin vërejtjen se vendndodhja e ambasadave është vendim i vendit mikpritës dhe Kosova nuk mund të përcaktojë se ku do ta ketë ambasadën e saj.
Në fund të vitit 2017, ish presidenti amerikan Donald Trump, shpalli vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraeli dhe në maj të viti 2018 hapi ambasadën në atë qytet. Guatemala është vendi i dytë që zhvendosi ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.
Të enjten në 11 mars Republika Çeke hapi përfaqësinë e saj diplomatike në Jerusalem.
Reagon Turqia
Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë në Kosovë ka reaguar pas hapjes së Ambasadës kosovare në Jerusalem.
Përmes një njoftimi të Ambasadës turke në Kosovë, autoritetet turke shprehen se janë të shqetësuara nga ky veprim i autoriteteve kosovare.
Sipas Ambasadës turke hapja e Ambasadës kosovare në Jerusalem është në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon.
Njoftim për media nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Jemi të shqetësuar thellë me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe e dënojmë këtë akt fuqimisht.
Vendimi i marrë nga udhëheqësit e një populli që u ballafaqua me vuajtje të mëdha për hir të fitimit të pavarësisë së saj, duke injoruar gjendjen e vështirë të palestinezëve, të cilët kanë jetuar nën okupim për dekada dhe kanë vuajtur shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, është jashtëzakonisht për të ardhur keq.
Duke vepruar në këtë mënyrë, udhëheqësit kosovarë kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon.
Ne i inkurajojmë udhëheqësit kosovar që të dëgjojnë mendjen e shëndoshë dhe të heqin dorë nga ky hap i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm.
KOHA JONË SONDAZH


