Kotzias për “Euractiv”: Europa të mbajë fjalën e dhënë për Shqipërinë
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në një intervistë për “Euractiv” thotë se, Evropa duhet të mbajë fjalën e dhënë për Maqedoninë dhe Shqipërinë, dhe të hapë negociatat me këto vende në samitin e 28-29 qershorit, duke shprehur mbështetjen e shtetit grek për çeljen e negociatave.
“Çështja është të bëjmë bashkë Francën dhe Gjermaninë për të shmangur destabilizimin e Ballkanit”, thotë shefi i diplomacisë greke për integrimin e këtyre dy vendeve.
Sipas tij vendet e BE-së mund të jenë të rrepta, por nuk duhet ta bllokojnë perspektivë e këtyre dy vende për në bllokun evropian.
“Unë u kam thënë homologëve të mi që të jenë strikt sa të duan. Por ne nuk mund të bllokojmë këtë perspektivë. Kam frikë se nëse nuk jepet një datë pranimi për Maqedoninë e Veriut, të gjitha këto përpjekje që ne kemi bërë me sakrifica të mëdha dhe kompromise nga të dy palët, mund të vihet në rrezik. Për më tepër, nëse një nga të dy vendet nis negociatat, dhe le të themi, Shqipëria lihet jashtë, do të krijonte një gjendje paqëndrueshmërie në rajon. Nëse disa vende kanë çështje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duhet t’i thoshin më parë. Tani, ne kemi raportin e Komisionit dhe propozimin për të shqyrtuar hapjen e negociatave. Tani ne e kemi arritur këtë pikë dhe duhet ta bëjmë. Evropa duhet të mbajë fjalën e saj. Gjermania duhet të jetë më e hapur për propozimet e Macron, ose së paku të përgjigjet për të ardhmen e Evropës. Mendoj se nevojitet më shumë qartësi nga ana e Gjermanisë. Dhe pala franceze duhet të pranojë të çelë këto negociata; duke pasur parasysh një qasje më pozitive që Berlini duhet të tregojë. Ne nuk na duhet të humbim, të fitojmë apo të ndahemi në dy kame, fitues e humbës. Ajo që duhet të bëjmë është të promovojmë vizionin evropian”, është shprehur Kotzias.
Kotzias tha më tej se Greqia është mike e të gjitha vendeve të Ballkanit, duke shtuar se ka një miqësi të madhe tradicionale me Serbinë.
“Për sa kohë do të qëndrojë Shqipëria duke parë Serbinë të përshpejtojë dhe të përfundojë negociatat, teksa Tirana nuk i ka nisur ende? Këto janë faktorë destabilizues, sepse qeveritë nuk do të arrijnë t’i mbijetojnë”, është shprehur më tej ministri i Jashtëm grek.
Lidhur me negociatat me Shqipërinë, ministri i Jashtëm grek shpreh optimizëm për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, por sipas tij partitë opozitare në të dyja shtetet nuk duhet të reagojnë në mënyrë histerike.
Ndërsa, marrëveshjen për emrin me Maqedoninë, Kotzias e quan si lajmin më të mirë për Evropën në këto pesë vitet e fundit, për një çështje që lindi në kohën e krizës ekonomike në Greqi, sipas tij.
KOHA JONË SONDAZH

