KQZ ndan milionat për partitë politike, PS merr pjesën e luanit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) mblidhet të henen për të shpërndarë fondin prej 186 milion lekësh që buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion të partive politike parlamentare të dala pas zgjedhjeve të 18 qershorit të vitit të kaluar.
Sipas ligjit “Për partitë politike”, 70% e fondit, e parashikuar si mbështetje financiare për partitë, shpërndahet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar; 20 % e fondit ndahet në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare, ndërsa 10 %, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 % të votave në shkallë vendi.
Në raportin e KQZ-së për mbledhjen e nesërme bie në sy fakti se pjesën më të madhe të këtij fondi e merr Partia Socialiste si fituese e vetme e zgjedhjeve, e cila merr konkretisht, 85.065.992 lekë të reja. Ndërsa, PD merr 51.808.975 lekëtë të reja, LSI-ja merr 26.160.224 lekë të reja.
Raporti i plotë i KQZ-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur,
V Ë R E N
Në zbatim të Nenit 15/2, pika 2, gërma e të Ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton masën e fondit publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore,
Ligji nr.109/2017, “Per buxhetin e vitit 2018”, ka parashikuar fondin prej 190 milionë lekësh si mbështetje financiare për partitë politike për vitin 2018.
Neni 19, pika 2, e Ligjit “Për partitë politike”, i ndryshuar, percakton rregullat sipas së cilave bëhet shpërndarja e fondeve vjetore për partitë politike:
- a) 70 për qind, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar në bazë të sistemit zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor;
- b) 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare dhe partive politike që kanë përfituar mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare
- c) 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi.
Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare.
Shuma totale që përfiton secila parti politike si mbështetje financiare për vitin 2018, është shumatorja e të gjitha shumave që rezulton nga llogaritjet e mësipërme duke zbritur sanksionet administrative me gjobë, vendosur nga KQZ, në zbatim të Ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, përkatësisht: për Partinë Socialiste 1 milionë lekë Vendimi i KQZ-së nr.576, datë 12.12.2017, për Partinë Demokratike 1 milionë lekë Vendimi i KQZ-së nr.578, datë 12.12.2017, për Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim 1 milionë lekë Vendimi i KQZ-së nr.577, datë 12.12.2017, Partia Socialdemokrate 1 milionë lekë Vendimi i KQZ-së nr.579, datë 12.12.2017.
PËR KËTO ARSYE
Bazuar në nenin 23, pika 1/a, të Ligjit Nr.10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, nenit 15/2, gërma e, neni 19, nenit 24 të Ligjit nr.8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, ligjit nr.109/2017 “Për buxhetin e vitit 2018”,
V E N D O S I
- Të shpërndajë fondin prej 186 milionë lekë, partive politike, për vitin 2018, sipas Lidhjes 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
TABELA TREGUESE E FONDEVE QË PËRFITOJNË PARTITE POLITIKE
| NR. | EMËRTIMI I PARTISË POLITIKE | FONDI QË PËRFITOHET
(LEKE) |
| 1. | Partia Socialiste e Shqipërisë | 85.065.992 |
| 2. | Partia Demokratike | 51.808.975 |
| 3. | Levizja Socialiste për Integrim | 26.160.224 |
| 4. | Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet | 10.107.290 |
| 5. | Lista e Barabartë | 6.570.833 |
| 6. | Partia Socialdemokrate | 6.286.685 |
| Totali | 186.000.000 |
/H.Mesi
KOHA JONË SONDAZH

