Kryemadhi, Ramës: Humbe mundësinë për të treguar se e do drejtësinë
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar pas vendimit për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, nga i cili do të shqyrtohet kërkesa e prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit të Saimir Tahirit.
Sipas Kryemadhit, vendimi i sotëm pengoi zbardhjen e një veprimtarie kriminale dhe ende Rama e Drejtrori i Përgjithshëm i Policisë vijojnë të qëndrojnë në detyrë.
Ajo bëri thirrje që qeveria duhet të heqë dorë nga sulmet ndaj drejtësisë, ndërsa shtoi se, si Rama ashtu edhe qeveria e tij sot humbën mundësinë për të treguar se e duan drejtësinë.
Konferenca për shtyp e Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi:
Kryeministri dhe mazhoranca sot tregoi përfundimisht qartë shkallën e inkriminimit pa kthim të përfshirjes dhe mbështetjes së tragjedisë së drogës që po përjeton populli shqiptar.
Kryeministri dhe mazhoranca humbi sot mundësinë e fundit për të treguar vullnet që drejtësia të bëjë punën e saj. Cilido qoftë votimi i saj nesër kjo nuk ka rëndësi. Të gjithë shqiptarët u bënë dëshmitarë të qëndrimit të paprecedent duke penguar zbardhjen e një veprimtarie kriminale edhe me dimension ndërkombëtar.
Mbledhja e sotme e cila kishte në shqyrtim imunitetin e mandatin që lidhej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe të armëve duhet të ishte mbledhja më e shkurtëer në historinë e parlamentarizmit, pasi lidhet me veprimtarinë më të rëndë kriminale që ky komision ka marrë në shqyrtim.
Është fare e qartë nga sot që ky kryeministër e mazhoranca e tij e kanë gëlltitur Kusinë e Çorbës së prishur deri në lugën e fundit.
Ky kryeministër dhe Haki Çako vazhdojnë akoma të jenë në detyrë si garantë të trafikut të drogës pasi nga dje dhe sot janë kapur 3.5 ton drogë me vlerën që kalon 35 milion euro.
Çdo ditë e vazhdimit të tyre në krye të qeverisë e policisë është një ditë e bardhë për trafikantët dhe ditë e zezë për shqiptarët.
Ju bëj thirrje maxhorancës dhe kryeministrit të heqin dorë nga sulmet, presionet dhe shantazhet politike ndaj drejtësisë.
KOHA JONË SONDAZH

