Kryeministri i Izraelit anuloi vizitën për shkak të diplomatëve iranianë në Tiranë
Detaje të reja vijojnë të dalin lidhur me shpalljen “non grata” të dy diplomatëve Iranianë në Tiranë. Qeveria shqiptare vendosi dje dëbimin e dy diplomatëve, të cilët dyshohet se kanë pasur lidhje me një sulm terrorist të planifikuar në Shqipëri, gjatë ndeshjes Shqipëri- Izrael, në shtator të vitit 2016. Plani për sulm ndaj kombëtares së Izraelit, siç raportuan mediat ndërkombëtare në atë kohë, u sinjalizua nga shërbimet inteligjente të Izrealit dhe SHBA. Ndërhyja në kohë e shërbimeve amerikane dhe Izraelite bëri të mundur shmangien e një kasaphane të paimagjinueshme.
Gjatë dy viteve nga zbulimi i planit, hetimet kanë avancuar duke arrestuar dhe dënuar autorët e sulmit të mundshëm, por edhe identifikuar persona të tjerë që janë përfshirë në këtë ngjarje. Hetimet e institucioneve inteligjente të SHBA dhe Izraelit kanë arritur në përfundimin se zyrtarët e ambasadës iraniane kanë pasur rol jo të vogël në këtë ngjarje. Për këtë arsye, Qeverisë shqiptare i është kërkuar nga partnerët që të merret masat e duhura diplomatike shumë kohë më parë.
Një burim diplomatik bëri të ditur se mos zbatimi i kërkesës për dëbimin e diplomatëve nga qeveria shqiptare solli dhe anulimin e vizitës së kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu në Tiranë.
Në datën 1 nëntor, ishte planifikuar që në Tiranë të mbërrinte kreu i qeverisë së Izraelit, e para vizitë e një niveli kaq të lartë në Shqipëri. Por në momentin e fundit vizita u anulua, pa dhënë asnjë arsye të fortë në opinion.
Siç rezulton më vonë nga zhvillimi i ngjarjeve, motivet e anulimit të vizitës lidhen pikërisht me mos zbatimin e kërkesë së SHBA dhe aleatëve për dëbimin e diplomatëve iranianë.
Vetëm dje qeveria shqiptarë mori vendimin për shpalljen “non grata” të dy diplomatëve. Një vendim që në kohë rekord u mbështet nga autoritetët më të larta të SHBA.
Nuk dihen ende motivet se përse qeveria shqiptarë ka refuzuar për një kohë kaq të gjatë dëbimin e dy diplomatëve që për NATO dhe partnerët e tjerë të rëndësishëm kanë pasur lidhje me terrorizmin.
KOHA JONË SONDAZH

