Luan Rama: Reagimi i Ministrisë është propagandë. S’ka asnjë referencë ligjore
Ministria e Brendshme i cilësoi akuzuat e LSI dhe PD lidhur me marrëveshjen me Prokurorinë e Përgjithshme si qëndrime që synojnë të dëmtojnë punën e Policisë dhe Prokurorisë. Në sqarimin e Ministrisë që justifikonte marrëveshjen thuhej se “marrëveshja detajon aspekte organizative të nevojshme për të garantuar hetime efikase, çuarjen para drejtësisë të eksponentëve të grupeve kriminale si dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga aktivitete të paligjshme”.
Ndërkohë, Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama e cilëson këtë reagim të Ministrisë si propagandë. Ai shprehet se në qëndrimin e Ministrisë nuk ka asnjë referencë ligjore se ku mbështetet marrëveshja.
“Deklarata ka vetëm fjalë për propagande, jo argumenta me reference ligjore!”,- shprehet Luan Rama.
Më herët, në një deklaratë për shtyp, Zëvendëskryetari i LSI-së reagoi ashpër për marrëveshjen mes Fatmir Xhafaj dhe Arta Markut. Ai u shpreh se kemi të bëjmë me një shfaqje mediatike që nuk ka asnjë sens ligjor. “Kjo marrëveshje është një show mediatik për të dëshmuar një kapje politike të Prokurorisë së Përgjithshme sepse është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin. Antikushtetuese, e paligjshme, e frymëzuar politikisht dhe në tërësi një akt që dëshmon injorancë dhe lajthitje gjuhësore, logjike dhe juridike. Në emër të LSI-së dhe në emër të zbatimit të Kushtetutës dhe ligjit, kërkoj anulimin e kësaj marrëveshje, bërjen e saj nul nga ata që e kanë nënshkruar sepse ligjërisht nuk ka asnjë vlerë. Reforma në drejtësi presupozon autoritet ligjor të institucioneve që ligji iu jep tagrin të ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Nëse duam realisht implementimin korrekt të reformës në drejtësi le të krijojmë institucionet sipas frymës së Kushtetutës”,- deklaroi Luan Rama në konferencën për media.
Fatmir Xhafaj reagon për marrëveshjen me Prokurorinë: Keqardhje për PD dhe LSI
KOHA JONË SONDAZH

