Majlinda Bregu në Beograd: S’mund të ngelemi peng i së shkuarës!
Majlinda Bregu ka qenë e ftuar në konferencën “BE dhe Ballkani Perendimor pas Brexit”, e cila u mbajt në Beograd.
Në fjalën e saj zonja Bregu ka thënë se vendet e rajonit kane aq shume probleme sa nuk mund te ngelen peng i se shkuares.
“Njerëzit e përfshirë në politikë s’duhet të përdorin tone të zbutura, tone rozë duke fshehur të vërtetat poshtë rrogozit, në një kohë kur vetë situate aktuale nuk është e tillë.
Përvec ftesës nga kryenegociatorja e Serbisë, arsyeja tjetër pse sot jam këtu është bindja ime se ajo që na bashkon e ato që duhet të ndërtojmë mund të realizohen vetëm nëpërmjet dialogut dhe transparencës.
Që ta realizojmë na duhen mendje të ftohta dhe zemra të ngrohta e jo e anasjellta. Pas Brexit, marrëdhënia e Ballkanit Perëndimor me BE është bërë totalisht e pasigurtë.
Unë besoj se asnjë problem i Ballkanit Perëndimor apo i vetë Europës nuk mund të zgjidhet vetëm, qoftë siguria, refugjatët, problemet ekonomike apo radikalizmi islamik.
Zgjedhja që kanë politikëpërësit perëndimor është ose të njohin legjitimitetin e këtyre nevojave dhe të ndryshojnë rrënjësisht qasjen e tyre ose të vijojnë me politikën aktuale dhe të rrezikojnë rinovimin e konflikteve.
Konflikti, frika, kërcënimi dhe provokimi janë rrezik për të ardhmen europiane të të gjitha vendeve të ballkanit perëndimor. Sot ka dy raste të juridiksionit kombëtar. Një rasti Haradinaj, tjetri i trenit. Nëse dërgohet një tren me shkrimin Kosova është Serbi kjo nuk është një punë e madhe, po cfarë vlerë ka të bëhet kjo? Është fuqia e simboleve.
Ka një gardh, një tren dhe një urdhër arresti që nuk janë në frymën e dialogut Beograd-Prishtinë dhe që po vënë në rrezik arritjen historike të Ballkanit Perëndimor: Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Kosova nuk është Serbi, Kosova nuk është Shqipëri. Kosova është Republika e Kosovës që nga viti 2008. Ballkani s’mund të jetojë me skemat e konflikteve se këto të lenë peng të së shkuarës e jo së ardhmes.
I vetmi gardh që vendet tona duhet të kenë është zbatimi i ligjit. Nëse duam që rajoni jonë të ketë peshë, duhet të jemi bashkëpunues e jo luftëtar. Kufijtë ndërrohen vetëm me luftë, jo në paqe. Lufta nuk është kurrë zgjidhje. Ballkani jeton sot nën kërcënimin e sigurisë, gjendjes ekonomike, radikalizimit të islamit. Nuk mund të shtojmë edhe kërcënimin e së shkuarës”, deklaroi Bregu.
KOHA JONË SONDAZH

