Mandati i Tahirit, në orën 11:00 mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka dalë publikisht për mediat pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri. Ruçi ka deklaruar se Këshilli i Rregullores dhe Mandateve nuk do të mblidhej mbrëmjen e djeshme siç u njoftua fillimisht, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Tahirit. Por kryeparlamentari deklaroi se gjithçka do të vendoset ditën e sotme, ku Këshilli i Rregullores dhe Mandateve do të mblidhet në orën 11:00. “Lidhur me kërkesën e bërë nga prokuroria për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit dhe për ti dhënë fund spekulimeve, dua të them se sot në datën 19 tetor 2017 në orën 17:00 më është paraqitur kërkesa e prokurorisë për dhënien e autorizimit për ndalimin e Saimir Tahirit. Pasi u konsultova me stafin e Kuvendit, dua të ju them se sot brenda ditës dhe në orën 18:30 kam nxjerrë këtë urdhër. Materiali ti vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Këshillit të Mandateve. Ky material ti vihet në dispozicion Saimir Tahirit. Brenda datës së nesërme (sotme), në orën 11:00 kam urdhëruar mbledhjen e Këshillit të Mandateve”- u shpreh në konferencën e posaçme për mediat, kreu i Kuvendit.
Rregullorja e Kuvendit
Kuvendi ka afat deri në 4 javë për të pranuar ose rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të rënda për heqjen e mandatit të deputetit socialist Saimir Tahiri. Është ky parashikimi i Rregullores së Kuvendit, e cila në lidhje me heqjen e imunitetit të deputetit në në pikën 3 të nenit 117 të saj parashikon që në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së organit të akuzës, Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve, përmes votimit të fshehtë, Kuvendi vendos dorëzimin ose jo në prokurori të deputetit. “Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi”- thuhet në pikën 6 të nenit 117 të Rregullores së Kuvendit
KOHA JONË SONDAZH

