Meta: SHBA, BE dhe NATO investimet më të mëdha në Ballkan pasi vitit ’90
Gjatë vizitës në Uashington DC, Presidenti Meta ishte i Ftuar Nderi i Qendrës së Analizave Politike Europiane (CEPA) në Universitetin “John Hopkins”. Në këtë takim, kreu i shtetit mbajti një ligjëratë lidhur me zhvillimet në Ballkan dhe rolin e Shqipërisë. Në aktivitet ishin të pranishëm diplomatë, ambasadorë, analistë dhe studiues politikë, diplomatë, studentë, etj. Gjatë ligjëratës së tij, Presidenti Meta paraqiti këndvështrimin e tij mbi realitetin politik, ekonomik dhe social të rajonit tonë.
Duke folur për Ballkanin Meta ndër të tjera tha se “kur i them të gjitha këto, jam realist në njohjen dhe pranimin e faktit se Ballkani nuk është as rajoni më i rëndësishëm dhe as pika më e nxehtë e botës. Por Ballkani është rajoni ku Perëndimi, NATO-ja, SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë investimet më të shumta historike politike, ushtarake dhe ekonomike pas viteve 1990-të.
Nëse Perëndimi nuk do të jetë në gjendje ta realizojë plotësisht këtë projekt strategjik në hapësirën dhe zonët e vet, atëherë si mund ta ruajë e ta mbajë influencën e vet dhe të ndikojë në rajone të tjera që shtrihen edhe më tej në jug apo tutje në lindje? Bashkëpunimi rajonal për vendet tona në Ballkan, është çelësi për të shëruar plagët e konflikteve të së kaluarës dhe është e vetmja mënyrë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
Rruga e integrimit europian ka qenë një forcë shtytëse dhe nxitëse për vendet tona në rajon që të përqafojnë proceset e demokratizimit dhe të gëzojnë një begati afatgjatë ekonomike.
Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm paqja dhe qëndrueshmëria nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve tanë.
Po përballemi me sfida serioze, në veçanti me emigrimin e rinisë dhe punësimin e të rinjve tanë. Në këtë drejtim, na duhet të bëjmë më shumë për të thithur investime të huaja në rajon përmes projekteve strategjike konkrete në energji, të infrastrukturës, të prodhimit me dorë të mallrave, turizmit dhe sektorit të shërbimeve”
KOHA JONË SONDAZH

