Ministri e Brendshme akuza portalit të Artur Zhejit: Fsheh interesa kriminale

Reagimi lidhet me përgënjeshtrimin e një lajmi të publikuar në portalin e Zhejit, për një raport sekret mbi kultivimin e hashashit në Shqipëri.

“Qëllimi i fabrikimit të këtij lajmi, fsheh interesa personale, politike, por që në thelb mbeten interesa të paligjshme e kriminale”, thuhet në reagimin e ministrisë së Brendshme.

 Reagimi i plotë:

Lidhur me lajmin e publikuar në median online 360grade.al” e më pas rimarrë edhe nga portale të tjera, mbi ekzistencën e një raporti sekret për kultivimin e drogës në Shqipëri, Ministria e Punëve të Brendshme bën me dije se ky lajm është tërësisht i pavërtetë. Ai që është cilësuar si raport sekret, është vetëm vazhdim i “dokumentave” të fabrikuara e të sajuara qëllimisht‎ për të shpifur e hedhur baltë mbi punën e Policisë.

Raporte të tilla të ngjashme të fabrikuara më herët edhe nga redaksi të tjera lajmesh, dalin përtej misionit të medias për informim të publikut, pasi tentojnë të kthehen në “armë” me synim goditjen e policisë dhe punën e saj.

MPB deklaron me përgjegjësi edhe njëherë se një raport i tillë, botuar në median online, nuk ka egzistuar dhe nuk egziston.

Ministria e Punëve të Brendshme beson se qëllimi i fabrikimit të këtij lajmi, fsheh interesa personale, politike, por që në thelb mbeten interesa të paligjshme e kriminale.

MPB përsërit se rezultatet kundër drogës janë prova e vërtetë e vullnetit dhe punës së Policisë së Shtetit. Një tjetër provë e kësaj dëshmie, është besimi i palëkundur i partnerëve ndërkombëtarë.

Duke mbetur në dispozicion të medias për çdo informacion zyrtar që nevojitet për të përmbushur çdo standart për transparencë, MPB-ja i bën thirrje medias të verifikojë zyrtarisht informacionet përpara publikimit të tyre”.

Në shkrimin e portalit 360gradë.al thuhet se “janë 363 plantacione Cannabisi në të gjithë vendin, nga veriu në Jug. Po ashtu në raport theksohet se në zonën e Shkodrës zbulueshmëria është e ulët dhe ka nevojë për ndërhyrje emergjente. Gjithashtu theksohet se, Shqipëria ëshë shndërruar në një autostradë të trafikimit të drogës në Itali dhe vende të tjera të BE-së”.

SHKARKO APP